Kryeministri Edi Rama

Kosova & Rajoni

Protesta në mbështetje të ish-drejtuesve të UÇK, Rama: Pse Kuvendi i Kosovës s’e ka ngritur zërin me rezolutë? Të gatshëm ta votojmë dhe ne!

7 Gusht, 21:38| Përditesimi: 7 Gusht, 22:21

  • Share

Kryeministri Edi Rama ka reaguar sot për protestën e mbajtur në Prishtinë në mbështetje të ish-drejtuesve të UÇK-së që po gjykohen në Tribunalin e Hagës, mes tyre edhe ish-presidenti Hashim Thaçi.

Nëpërmjet një postimi në rrjetin social Facebook, ai e ka vënë theksin tek indiferenca e Kuvendit të Kosovës, i cili nuk ka bërë ende një rezulutë pa dallime partiake ku të rreshtojë shkeljet e shumta të procesit në Hagë, ku janë shkelur të drejtat e Thaçit dhe të tjerëve.

Rama ngre pyetjen dhe nënvizon se nëse Kuvendi i Kosovës do e bënte këtë rezolutë të vonuar, edhe Kuvendi i Shqipërisë do mblidhej menjëherë për të votuar të njëjtin tekst dhe për ta “përcjellë zërin e shqiptarëve në Tribunalin e Hagës”.

Gjithashtu kryeministri ka ndarë edhe një foto nga protesta në shesh, ku shihen përveç masës së madhe të qytetarëve protestues, flamuj të Shqipërisë, UÇK-së dhe të Kosovës.

Postimi i plotë i Edi Ramës në Facebook:

“Vazhdoj pyes veten pse Kuvendi i Kosovës nuk e ka ngritur ende zërin përmes një rezolute pa dallime partish, ku të rreshtohen sa e sa shkeljet faktike të normës elementare demokratike të procesit të rregullt ligjor nga ana e Tribunalit të Hagës, ku të drejtat e Hashim Thaçit e shokëve të tij të izoluar nga bota prej vitesh të tëra tanimë, janë shqelmuar si hiçasgjë?!

Natyrisht që në rast se Kuvendi i Kosovës do ta bënte këtë rezolutë të vonuar, ne do ta angazhonim menjëherë Kuvendin e Shqipërisë, për ta votuar të njëjtin tekst dhe për ta përcjellë zërin e krejt shqiptarëve në çdo shtet demokratik që e sponsorizon Tribunalin, e që nuk duhet të tolerojë asnjë cënim e jo më asgjësimin e procesit të rregullt ligjor me kontributin financiar të taksapaguesve të vet”.

Pasditen e kësaj të enjteje në Prishtinë u mbajt një tubim i organizuar nga Veteranët e Luftës së UÇK-së, në shenjë kundërshtimi ndaj mbajtjes në paraburgim të ish-krerëve të UÇK-së.

Mijëra protestues, nga qytete të ndryshme të Kosovës dhe vende të rajonit, u mblodhën në sheshin Skënderbeu të Prishtinës.

Të pranishëm ishin edhe kreu i Bashkimit Demokratik për Integrim në Maqedoninë e Veriut, Ali Ahmeti, si dhe Nevenka Tromp, e cila për një dekadë ka qenë hulumtuese e Tribunalit të Hagës për krimet e luftës në ish-Jugosllavi.

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, së bashku me Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin, ndodhen në paraburgim në Hagë që nga nëntori i vitit 2020, nën akuzat për krime lufte.

Gjykimi i tyre ka nisur më 3 prill 2023, ndërsa vetëm një ditë më parë, Dhomat e Specializuara të Kosovës vendosën të zgjasin edhe një herë masën e paraburgimit ndaj tyre.

Postimi i kryeministrit Edi Rama në Facebook

Ora 20:15
Protesta në mbështetje të ish-drejtuesve të UÇK në Prishtinë, reagon Spiropali: Mbajtje e padrejtë dhe joligjore në Hagë!

1752486665_elisaspiropali.jpg

Kryeparlamentarja Elisa Spiropali

Pas protestës masive të zhvuilluar në Prishtinë, në mbështetje të luftëtarëve ish-drejtues të UÇK-së që po gjykohen në Hagë, ka reaguar edhe kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali.

Kryeparlamentarja e cilësoi protestën si një zë të fuqishëm kundër një padrejtësie historike dhe një akt solidariteti gjithëshqiptar.

“Protesta rikonfirmoi indinjatën e thellë mbarëshqiptare ndaj mbajtjes së padrejtë të ish-drejtuesve të UÇK-së në Hagë, në kundërshtim me çdo standard ligjor, moral e njerëzor,” shprehet Spiropali mes të tjerash në postimin e saj në rrjetin social Facebook.

Sipas saj, drejtësia nuk mund të përmbyset dhe viktimat nuk mund të shndërrohen në agresorë.

Postimi i plotë i Elisa Spiropalit:

“Protesta masive në Prishtinë rikonfirmoi indinjatën e thellë mbarëshqiptare ndaj padrejtësisë historike, si dhe mbështetjen ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së, të cilët, në kundërshtim me çdo standard ligjor, ndërkombëtar, moral, logjik e njerëzor, po mbahen të mbyllur në hapsanën e Hagës; një akt kundër të drejtës, kundër lirisë, në abuzim me sovranitetin e një shteti të pavarur e demokratik.

Drejtësia nuk mund të përmbyset, viktimat nuk mund të shpallen agresorë dhe agresorët nuk mund të shiten si viktima”.

Postimi i Elisa Spiropalit në Facebook
A.Q/ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    A po i liron hapësirat publike aksioni i qeverisë?