Politikë

PS e Vlorës kërkoi shtyrjen e orarit të votimit për shkak të ‘Giro d’Italia’, PD kundër: Abuzim me procesin, zgjedhjet s’mund të përshtaten me orarin e propagandës qeveritare

10 Maj, 19:06| Përditesimi: 11 Maj, 16:37

  • Share

1745949695_partiademokratike.jpg

Për shkak të garës Giro d’Italia, një nga etapat e të cilës do të zhvillohet nesër në Vlorë, dega e PS-së në Vlorë i kërkoi KQZ-së zgjatjen e orarit të votimit në qytet deri në 22:00, nga 19:00 që parashikon Kodi Elektoral.

Por PD ka dal kundër, ku përmes një kërkesë drejtuar KQZ, PD thotë se ky aktivitet, i organizuar nga vetë qeveria aktuale ka karakter të qartë propagandistik dhe shërben më shumë për qëllime elektorale dhe promovimi.

‘Duke iu referuar kërkesës së paraqitur nga Partia Socialiste për shtyrjen e orarit të votimit në disa qendra në qytetin e Vlorës, për shkak të zhvillimit të aktivitetit sportiv “Giro d’Italia”, ju informojmë se Partia Demokratike – Aleanca për Shqipërinë Madhështore (PD–ASHM) është kategorikisht kundër këtij propozimi. Ky aktivitet, i organizuar nga vetë qeveria aktuale në ditët më kritike të fushatës zgjedhore, përfshirë ditën e heshtjes dhe tani edhe ditën e zgjedhjeve, ka karakter të qartë propagandistik dhe shërben më shumë për qëllime elektorale dhe promovimi. Të shpenzosh mbi 7 milionë euro nga fondet publike për një shfaqje të tillë, dhe më pas të kërkosh edhe shtyrje të orarit të votimit për t’ia përshtatur agjendës së kësaj ngjarjeje, është një abuzim i papranueshëm me procesin zgjedhor.

Duhet shtuar se për dy ditë me radhë është ndaluar lëvizja e lirë në territorin e Tiranës, janë pamundësuar aktivitetet politike të opozitës dhe i është mohuar e drejta kushtetuese subjekteve politike për të komunikuar me qytetarët në ditët vendimtare të fushatës. Ky precedent shkel parimet themelore të një procesi të lirë dhe të ndershëm zgjedhor.

Qëndrimi ynë është i qartë: zgjedhjet nuk mund të përshtaten me orarin e propagandës qeveritare. Është procesi zgjedhor që duhet të ketë përparësi absolute. Nëse aktiviteti sportiv bie ndesh me rregullsinë e zgjedhjeve, atëherë përgjegjësia bie mbi organizatorët dhe jo mbi qytetarët apo institucionet zgjedhore.

Për më tepër, një ndërhyrje e tillë e kërkuar nga PS vetëm pak orë para zgjedhjeve, cenon besueshmërinë e procesit dhe krijon precedent të rrezikshëm për të ardhmen. Kjo nuk është thjesht një çështje orari është një çështje parimi dhe standardi demokratik. PD–ASHM kërkon me forcë që kërkesa e PS të mos merret në konsideratë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Çdo vendimmarrje në këtë drejtim do të konsiderohej nga ana jonë si një ndërhyrje e papranueshme në barazinë e garës dhe një minim i rëndë i integritetit të zgjedhjeve jo vetëm në qytetin e Vlorës, por në të gjithë qarkun.

 


Lajmi kryesor:

Zgjedhjet/ PS e Vlorës i kërkon KQZ-së shtyrjen e orarit të votimit deri më 22:00! Shkak eventi i ‘Giro D’Italia’ që do zhvillohet në qytet dhe pengesat që mund të sjellë (SHKRESA)


S.B/r.k./ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria votoi për Kuvendin e ri, si ju duk procesi i votimit?