Luis Enrique dhe e bija e ndjerë, Xana

Sport

PSG - Inter, një motivim shtesë për Luis Enriquen! Trofeu për t'ia dedikuar vajzës së ndjerë, Xana

8 Maj, 15:32| Përditesimi: 8 Maj, 15:35

  • Share

Imazhi i gdhendur në kokën e Luis Enriques është ai i triumfit të tij me Barcelonën në Ligën e Kampionëve në vitin 2015 në Berlin, kundër Juventusit. Kjo pasi në të është imazhi i vajzës së tij në fushë gjatë festimeve. Xana mbante në dorë flamurin e klubit të bashkuar me atë katalanas, e valëviti atë dhe më pas e vendosi në fushën e Olympiastadion.

Disa muaj më parë, trajneri aktual i PSG-së deklaroi se ëndrra e tij do të ishte të përsëriste të njëjtën skenë me parizienët, një ëndërr që ishte e pamundur, megjithatë, sepse vajza e tij ndërroi jetë para kohe në vitin 2019 në moshën 9-vjeçare pas një sëmundjeje të rëndë.

Finalja e Champions League më 31 maj në Munich ka një vlerë të shtuar për trajnerin e PSG-së, Luis Enrique, i cili për këtë arsye dëshiron t’i qëndrojë besnik premtimit të bërë në të kaluarën. Spanjolli do të rikthehet në aktin e fundit të garës më të madhe evropiane saktësisht 10 vjet pas herës së fundit që ngriti kupën me 'veshë të mëdhenj' në qiellin e Berlinit me Barcelonën, duke mposhtur Juventusin e trajnuar nga Massimiliano Allegri me rezultatin 3-1.

Shumë gjëra kanë ndryshuar në nivel familjar për Luis Enriquen që nga ai moment e deri më sot, në fakt në atë rast ai kishte në fushë edhe vajzën e tij më të vogël, Xana-n, e cila në vitin 2015 ishte vetëm 6 vjeçe, për të festuar me të. Të gjithë i kujtojnë imazhet e vajzës së vogël në fushë me të atin, me flamurin e Barcelonës dhe Katalonjës.

Xana ndërroi jetë më pas në moshën 9-vjeçare , në vitin 2019, pasi u diagnostikua me osteosarkomë, një kancer i rrallë dhe shumë agresiv i kockave. Kohët e fundit, "Lucho" zbuloi se sa shumë ndihet shpirtërisht i afërt me të bijën, pavarësisht se ajo nuk është më e pranishme fizikisht.

"Për mua, ajo nuk ka vdekur, por është gjithmonë me ne. Shpirtërisht, është. Çdo ditë flasim për të dhe mendoj se Xana ende na shikon nga diku", tha ai.

Disa ditë pas ndeshjes PSG 4-2 Manchester City, në konferencën për shtyp për ndeshjen kundër Lens, Luis Enrique shprehu një dëshirë.

"Mbaj mend një foto të pabesueshme në finalen e Ligës së Kampionëve në Berlin, ku Xana ngre flamurin e Barcelonës. Do të doja të bëja të njëjtën gjë me PSG-në. Vajza ime nuk do të jetë atje fizikisht, por do të jetë atje shpirtërisht", kujtonte Enrique.

Trajneri ka mundësinë ta bëjë gjithçka realitet. Ndeshja tjetër është kundër Interit, ku ai mund të bëhet kampion evropian për klube për herë të dytë si trajner dhe ta përjetojë përsëri atë imazh të gdhendur në mendjen e tij.

S.Dh/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A besoni se zgjedhjet do ndikojnë në rrugën e Shqipërisë drejt BE-së?