Kronikë

Denoncoi qarkullimin e tezës së provimit të Maturës në internet, Ndriçim Mehmeti: Krim arsimor, i nxjerrin administratorët nga presioni! Të nisin hetimet

7 Qershor 2021, 13:48| Përditesimi: 7 Qershor 2021, 14:15

  • Share

Eksperti për çështjet e arsimit në PD, Ndriçim Mehmeti, publikoi sot në Facebook tezën e provimit të maturës, duke denoncuar faktin e rrjedhjen së tyre para se maturanët të zinin vend në klasa për të zhvilluar provimin.

Në një lidhje me Skype për "Report TV", Mehmeti e konsideroi këtë 'krim arsimor', duke thënë se nxënësit po mësohen me "vjedhje". Sipas Mehmetit, testet i nxjerrin administratorët për shkak se i ushtrohet presion, ndërsa kërkon nisjen e hetimeve në shkolla.

"Është një krim arsimor, ne vazhdojmë t'i mësojmë me vjedhje, keqadministrim dhe sigurisht jemi mësuar edhe me heshtje, prindërit nuk reagojnë, nxënësit nuk reagojnë, shoqëria nuk reagon, mbetemi në kuadrin e heshtjes nga Ministria, me siguri do lëshojë një deklaratë ku do thotë do merremi me rastin dhe do vëmë para ligjit fajtorët. Por nuk është marrë asnjëherë asnjë masë. Kjo është shkelje e të drejtës së maturantëve për të konkurruar në mënyrë të ndershme. Është bërë ndonjëherë ndonjë analizë? Sa kohë që ne i kemi mësuar në mënyrë të tillë, mos të kërkojmë qytetarë shembullorë në provimet e Maturës Shtetërore. Ne e kemi mësuar ta ndihmojmë, t'i japim ndonjë notë se është nipi i këtij apo atij. Administrimi është çorganizuar, i mësojmë nxënësit të kopjojnë.

Testet i nxjerrin edhe administratorët dhe bëhet një presion shumë i madh, duhet hetuar se çfarë ndodh në shkollë, a ka mësues që kanë fëmijët e vet në shkollën ku bëhet provimi. Nuk ka asnjëlloj vizioni për të patur një tjetër gjendje në arsim. Ne duhet të ulemi me këmbë në tokë, të shohim se ku është arsimi dhe në rast se ne vëmë gishtin mbi plagë, do mundësojmë një arsim më të mirë dhe të anashkalohen këto probleme që kemi sot, përndryshe do vuajmë shumë paditurinë dhe kontigjentët e krimit  do të jenë gjithnjë më të rritura sepse një njeri pa shkollë do të gjejë mënyra të tjera për të siguruar jetesën", tha ai.

Maturantët iu nënshtruan sot provimit të Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë, që filloi në orën 10:00 dhe përfundoi në orën 12:00, ndërsa për "Report Tv" disa nxënës  konfirmuan se teza që qarkulloi në internet, ishte e njëjta me atë që ata bënë. Nuk ka ende një reagim nga Ministria e Arsimit në lidhje me këtë situatë të krijuar.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?