TIRANË- 30 deputetë të Rithemelimit dhe të grupit të Gazment Bardhi kanë dalë krah studentëve të mjekësisë dhe kanë çuar ligjin që u mban peng diplomat në Gjykatën Kushtetuese.
'GPPD ka mbështetur kërkesën e studentëve të mjekësisë për të kundërshtuar në GjK ligjin që pezullon diplomimin e mjekëve të rinj për 5 vite.'- shkruan Gazment Bardhi.
Ky depozitim ishte paralajmëruar nga deputetja e Rithemelimit, Albana Vokshi pak ditë më parë.
Deputetja e opozitës tha se qeveria e fryu koston vjetore të Mjekësia, si një mënyrë për të bindur studentët që të lënë peng diplomën për 5 vite punë në atdhe. Vokshi u shpreh se Bordi i Universitetit sipas saj, nuk ra pre e presioneve dhe e vlerësoi koston vjetore shumë më pak.
Prej më shumë se një muaji që prej fillimit të vitit të ri akademik, studentët e mjekësisë kanë refuzuar të jenë pjesë e auditorëve duke bojkotuar mësimin si dhe duke protestuar çdo ditë përpara ministrisë së Arsimit dhe Universitetit të Mjekësisë.
Kujtojmë se Kuvendi miratoi me 71 vota pro, 23 kundër dhe asnjë abstenim projektligjin për studentët e Mjekësisë. Sipas ligjit, studentët aplikantë në Mjekësi që futen këtë vit në sistem, janë të detyruar të firmosin një marrëveshje në bazë të së cilës ata duhet të punojnë në spitalet shqiptare për një periudhë 5 vjeçare pas diplomimit. Ndërsa ata që vijojnë studimet nga viti i dytë deri në të gjashtin, kanë mundësi të firmosin marrëveshjen që i detyron të punojnë 2 ose 3 vite në Shqipëri. Në të kundërt do të paguajnë tarifë të plotë studimi. Studentët janë shprehur kategorikisht kundër për këtë ligj.