Kronikë

Punëtori 60 vjeçar vdes në kantierin e ndërtimit në aeroportin e Vlorës, e përplasi fadroma! Ishte dita e tretë e punës! Inspektoriati i Punës nis verifikimet (EMRAT)

18 Janar, 08:31| Përditesimi: 18 Janar, 19:45

  • Share

VLORE-  Një punëtor ndërroi jetë mbrëmjen e 17 janarit në kantierin e ndërtimit në aeroportin e Vlorës. Ngjarja u shënua rreth orës 21:20 të 17 janarit. Viktima, Nusret Xhoka 60 vjeç nga Dibra u përplas nga një fadromë që drejtohej nga  63 vjeçari, nga Prishtina, Rrahman Sllamniku. Të dy ishin punësuar pranë kompanisë “2A Group”.

Policia e Vlorës tha se ka arrestuar 63 vjeçarin, pasi dyshohet se duke drejtuar një fadromë, ka humbur kontrollin mbi drejtimin e saj dhe ka përplasur një trajler, informoi sot policia. 

Burimet thanë se fadroma ka përplasur shoferin, Nusret Xhoka, i cili sapo kishte zbritur nga mjeti i tonazhit të rëndë, dhe për pasojë ka ndërruar jetë në vend. Vazhdojnë hetimet për zbardhjen e këtij aksidenti të rëndë në punë, në kantierin më të madh të ndërtimit në vend.

Në aeroportin e Vlorës punohet me tre turne me qëllim që punimet të përfundojnë brenda afatit. 

Njoftimi i policise se Vlores
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë arrestuan shtetasin Rrahman Sllamniku, 63 vjeç, banues në Prishtinë, Kosovë, pasi dyshohet se më datë 17.01.2025, rreth orës 21:20, në kantierin e ndërtimit të Aeroportit të Vlorës, duke drejtuar një fadromë, ka humbur kontrollin mbi drejtimin e saj dhe ka përplasur një trajler. Si pasojë, drejtuesi i trajlerit, shtetasi N. Xh., 60 vjeç, banues në Dibër, ka humbur jetën'

2A Group rezulton në pronësi të biznesmenit Valon Ademi, i cili deri në vitin 2019 ka qenë konsull nderi i Shqipërisë në Kosovë. Kompania zotëron 2 % të aksioneve. Ndërkohë Valon Ademi rezulton dhe administrator i konsorciumit Vlora International Airport – VIA që po ndërton aeroportin e Vlorës. Në këtë shoqëri aksionerë ‘Mabco Constructions SA  e Bexhet Pacollit ka 98 % të aksioneve dhe 2A Group SH.P.K. - 2%.  Konsorciumi fitues ka marrë përsipër që të investojë 104 milionë euro dhe ndërtimi ka nisur në maj 2023 dhe afati i përfundimit është 36 muaj.

Ndërsa në prill qeveria ka njoftuar se mbyllet faza e publikimit të aeroportit sipas standardeve ndërkombëtare, nën mbikqyrjen e operatorit të aeroportit, i cili është Aeroporti Ndërkombëtar i Mynihut

Punimet për aeroportin e Vlorës nisën në fund të vitit 2021. Në fazën e parë, Aeroporti i Vlorës, do të operojë me një kapacitet prej 2 milionë pasagjerësh. Pas mbylljes së fazës së parë, aeroporti do t’i nënshtrohet edhe dy fazave të tjera që përfshijnë, infrastrukturën për godinën kargo, zgjerimin e terminalit të pasagjerëve, dhe ngritjen e akademisë së fluturimit.

1737190983_aeroportiivlores.jpg

Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë

 

Ora 10:35
Aeroporti i Vlorës/ Punëtori që vdiq në kantierin e ndërtimit, ishte në ditën e tretë të punës

Inspektoriati shtetëror i punës ka shkuar në kantierin e ndërtimit për të inspektuar shkakun e aksidentit të rëndë në punë ku humbi jetën 60 vjeçari, si dhe nëse janë zbatuar rregullat e sigurimit në punë.

Për Nusret Xhoka 60 vjeç nga Dibra mbrëmja e 17 janarit ishte dita e tretë e punës. Ai u përplas nga një fadromë që drejtohej nga  63 vjeçari, nga Prishtina, Rrahman Sllamniku. Të dy ishin punësuar pranë kompanisë “2A Group”.

S.G/G.K/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni gjendjen e sigurisë në vend?