Policia e Vlorës ka vendosur ditën e sotme në pranga në flagrancë adminitratorin e firmës së ndërtimit 45-vjeçarin D.N. Sipas policisë administratori akuzohet për veprën penale ‘Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë’.
Nga ana tjetër uniformat kanë marrë në hetim dhe përgjegjësin e punimeve 41-vjeçarin U.S i cili dyshohet se ka shkelur detyrimet ligjore, që kanë qenë dhe shkaku i humbjes nga jeta të 38-vjeçarit Dorian Hasani. Prokuroria ka marrë materialet policiore për të vijuar hetimin.
Njoftimi i policisë
Në vijim të veprimeve hetimore për ngjarjen e ndodhur më datë 19.04.2025, në ambientet e aeroportit në ndërtim, në Akërni, ku humbi jetën si pasojë e rrëzimit nga lartësia, shtetasi D. H., 38 vjeç, punonjës i kompanisë së ndërtimit, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Vlorë arrestuan në flagrancë, për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, shtetasin D. N., 45 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë administrator i kompanisë së ndërtimit, si dhe nisën procedimin penal për shtetasin U. S., 41 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë përgjegjës i punimeve në të njëjtën kompani. Këta shtetas dyshohet se kanë shkelur detyrimet ligjore për zbatimin e masave të sigurisë teknike në vendin e punës, çka ka sjellë si pasojë vdekjen e punonjësit D. H.
Komente
