Punimet artistike në Vlorë, Axhi Dapaj, mjeshtri që ruan traditën e gdhendjes së drurit

26 Shkurt 2021, 16:51| Përditesimi: 26 Shkurt 2021, 17:01

  • Share

Punishtja është gjithë jeta e tij. Axhi Dapaj ka afro gjysmë shekulli që punon me përkushtim në punishten e tij të drurit në periferi të Vlorës. Në një rrëfim për Report Tv, 69-vjecari shprehet se e ka zbuluar pasionin kur ishte fare i ri dhe i duhej të ndërtonte shtëpinë e tij.

"Jam usta i 72'. Qëkur jam liruar nga ushtria. E kam bërë shtëpinë time. Dyert e dritaret kishin nevojë për para. Kam bërë tavanin me gjegje që në atë kohë. Fillova nëpër miq e shok. Në fshatra", tha artizani.

Më kohën e diktaturës, kur nuk lejoi tregtia ai bënte mobilje vetëm për miqtë dhe familjarët, ndërsa pas viteve '90 ka hapur punishten fillimisht në fshatin e lindjes e më pas në Vlorë.

"Jam zanatçiu i të gjitha gjërave. Jam i vetmi që bëj çdo gjë që është mbi tokë", tregoi zanatçiu Axhi Dapaj.

Në këtë punishte përpos mobiljeve gjen edhe punime artizanale. Dapaj rrëfen me pasion kohën që i kushton gdhendjes së drurit.

"Merr drurin dhe shkurton sa do. Do i japësh formën që duhet. Kur i jep formën e duhur e bëj me letër. Do një 3 orë punë", tregoi ai.

Një vazo që kushton vetëm 8 mijë lekë, mjeshtrit i duhen shumë orë pune.

"Kanë angari. Një vazo lulesh do 4-5 ditë. Një vazo e madhe ka shumë copë. Do prihen. Do sajohet", u shpreh Dapaj.

Drize e butë, bredh, arrë janë disa nga llojet e drurit me të cilat janë punuar vazot e luleve, dybekët, tabakatë, bucelat e rakisë e plot objekte të tjera që Dapaj i tregon kryesisht gjatë verës kur qyteti bregdetar frekuentohet nga turistët.

"Më ka dhënë bashkia vend në Lungomare. Kur vijnë turistët. Ato na marrin më shumë", tha ai.

69-vjeçari ka dhe një kërkesë për qeverinë.

"Mirë është që të na lërë të lirë që të shes në Tiranë, Krujë, Korçë. Pse mos të dal. Nuk i kemi të vjedhura", përfundoi ai.

Artizantë si Axhi Dapaj janë të rrallë në Vlorë dhe punimet dekorative, tradicionale preferohen më shumë nga të huaj që vizitojnë vendin tonë.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?