Pushime që zgjasin në kohë, duke vizituar vende të ndryshme me kosto të ulëta! Pushues të huaj që janë duke zgjedhur vendin tonë e kryesisht jugun, krahas hoteleve zgjedhin të udhëtojnë edhe me kamper, një mënyrë që të jep mundësinë të shijosh shumë vende, me më pak para. E për këta turistë, Portonova është padyshim pikë ndalese, e një prej destinacioneve më të preferuara.
Natyra e mrekullueshme, ende e paprekur nga ndërtimet, po rrit ndjeshëm numrin e turistëve nga viti në vit.
Pushuesit janë kryesisht nga Evropa, Gjermania, Republika Ceke, Austria e vende të tjera. Ata thonë se janë njohur me Portonovën edhe përmes sugjerimeve në internet, ndërsa shprehen të mrekulluar nga pamja.
“Unë jam nga gjermania, do të qëndroj 5 ditë dhe 4 net me miqtë, më pas ne do të vizitojmë në vende të tjera. Plazhi është shumë i mirë, dhe është bukur, mund të lëvizësh në disa plazhe . Na pëlqen pamja dhe është qetësi”
“Na pëlqen Vlora, ne nuk dinim shumë për qytetin, por na pëlqen. Ne udhëtojmë bashkë me miqtë dhe është këndshëm”
“Është bukur, relaksuese dhe më pëlqen që të vij me kamper dhe të kaloj kohë këtu”
“Jam nga Austria. Kam ardhur për vetëm 1 natë, por besoj se do të qëndroj më shumë, është perfekte këtu. Më pas do të shkojmë në Ksamil, dhe shpresojmë të gjejmë shumë vende si këtu”
“Jam nga Gjermania. Më pëlqejnë natyra dhe njerëzit këtu, Është hera e parë që vij”, thonë turistët.
Portonova tashmë është kthyer në një prej pikave kryesore të pushuesve me kamper. Larg zhurmës dhe vendeve të banuara ajo favorizohet edhe nga fakti se teksa udhëtojnë drejt Portonovës, turistët mund të ndalen edhe në atraksione të tjera si Manastiri i Zvërnecit.
Lajmi kryesor:
Speciale/ Drejt Porto Novos ‘me shtëpi me vete’! Plazhi që frekuentohet nga turistët e huaj në çdo stinë të vitit
SI.E.//ReportTv.al