Foto nga sulmet e mbrëmshme në Ukrainë

Bota

Putin shkel marrëveshjen vetëm pak orë pas telefonatës me Trump, sulme të reja në Ukrainë

19 Mars, 08:08| Përditesimi: 19 Mars, 14:16

  • Share

Rusia dhe Ukraina kanë vijuar sulme ajrore që dëmtuan infrastrukturën e njëra-tjetrës, vetëm pak orë pasi presidenti rus Vladimir Putin ra dakord me liderin amerikan Donald Trump se Rusia do të ndalonte shënjestrimin e objektivave energjetike të Ukrainës.

Përmes një njoftimi në rrjetet sociale presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se avionët rusë kishin në shënjestër këtë herë spitale dhe rrjete të furnizimit me energji elektrike. Zelensky shtoi se Rusia lëshoi ​​më shumë se 40 dronë kundër Ukrainës në orët pas telefonatës midis Trump dhe Putin teksa theksoi se kishte shkelur një armëpushim të menjëhershëm 30 ditor.

Ushtria ukrainase tha sot se njësitë e saj të mbrojtjes ajrore rrëzuan 72 nga 145 dronët e lëshuar nga Rusia në sulmet gjatë natës.

“Sulmi rus preku rajonet Sumy, Odesa, Poltava, Dnipropetrovsk, Kiev dhe Chernihiv”, tha ushtria në Telegram.

Një ditë më parë sipas një deklarate të Kremlinit u lajmërua se Putin kishte rënë dakord të pezullonte sulmet ndaj objektivave energjetike të Ukrainës për një periudhë 30-ditore, teksa kërkoi ndalimin e furnizimit me armë të Kievit nga Perëndimi.

Gjithashtu sipas Moskës, u arrit edhe dakordësia për një shkëmbim të burgosurish me Ukrainën (nga 175 secili vend) si pjesë e përpjekjeve për uljen e tensioneve.

Bisedimet e SHBA-së për një armëpushim në Ukrainë do të vazhdojnë të dielën në Jeddah të Arabisë Saudite.

Ora 14:10
Putin: Në Kursk përfundojmë humbjen e Kievit, ushtarët ukrainas do trajtohen si terroristë

1741278958_vladimirputin.jpg

Foto: Vladimir Putin

Presidenti rus Vladimir Putin ka deklaruar  se do përfundojnë humbjen e ushtrisë ukrainase në Kursk dhe ushtarët e kapur do trajtohen si terroristë.

 “Sipas ligjit rus, të gjithë ushtarët ukrainas, veçanërisht mercenarët e huaj, të cilët janë në territorin tonë dhe kanë kryer sulme kundër popullatës civile, do të klasifikohen me ligj si terroristë. Mizoritë që ata kryen duhet të identifikohen, regjistrohen dhe hetohen tërësisht”, u shpreh presidenti rus.

Presidenti rus ka urdhëruar organe të ndryshme gjyqësore të hetojnë situatën në territorin rus të pushtuar nga ushtria ukrainase që nga fillimi i inkursionit të saj në gusht të vitit 2024.

"I kërkoj Prokurorisë, përfshirë prokurorët ushtarakë dhe organet e tjera, të kryejnë këtë punë në territoret e çliruara të Suxhas dhe në lokalitete të tjera", tha ai.


Të mërkurën, një gjykatë ruse dënoi pesë ushtarë ukrainas të kapur në rajonin kufitar me Ukrainën me 15 dhe 17 vjet burg për terrorizëm dhe pengim të evakuimit të civilëve rusë nga zona e luftimit.

Ora 11:10
Telefonata e Trump dhe presidentit të Rusisë një ditë më parë, Ministri gjerman: Putin po luan një lojë

Foto: Boris Pistorius

Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius e ka cilësuar telefonatën e presidentit amerikan Donald Trump dhe atij rus, Vladimir Putin një bisedë jo produktive, madje sipas tij, lideri rus po luan një lojë.

“Ne kemi parë se sulmet ndaj infrastrukturës civile nuk janë zbutur fare në natën e parë pas kësaj telefonate të supozuar novator, të mrekullueshme” midis Putinit dhe Presidentit të SHBA Donald Trump, tha në një intervistë televizive Pistorius.

Ministri gjerman e përshkroi gjithashtu si "të papranueshëm" këmbënguljen e Kremlinit se një "kusht kyç" për paqen do të ishte ndalimi i plotë i mbështetjes ushtarake perëndimore dhe inteligjencës për ushtrinë e Ukrainës.

"Kjo është shumë transparente," tha Pistorius, duke shtuar se Putin synonte të parandalonte mbështetësit e Kievit që të "mbështesin më tej Ukrainën dhe t'i mundësojnë asaj të mbrohet vërtet nëse ka një sulm tjetër, gjatë ose pas një armëpushimi".

Xh.K/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se Parlamenti i dalë nga zgjedhjet e 11 majit do të jetë më cilësor?