Ksamil- Kishte ardhur si turist në Shqipëri, por kryente vjedhjen e pushuesve në plazhin e Ksamilit dhe për t’u mbrojtur mbante në makinë një grusht përforcues.
Kapet duke u larguar nga vendi pas shpalljes në kërkim për vjedhjen e një portofoli me lekë dhe karta bankare 36-vjeçari i dyshuar.
Policia e Sarandës konfirmoi sot (31 korrik) se një ditë pas identifikimit dhe shpalljes në kërkim, në vijim të veprimeve hetimore për ngjarjen e 28 korrikut në Ksamil, agjentët prangosën në Pikën Kufitare të Qafë-Botës duke ikur për në Greqi, A.S., 36 vjeç, banues në Hungari.
“Ai dyshohet se ka vjedhur një portofol me një shumë parash dhe karta bankare të një shtetasi tjetër. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë, në bashkëpunim me shërbimet e Policisë Kufitare në PKK Qafë Botë, gjatë tentativës për të dalë nga territori i Shqipërisë, ndaluan të kërkuarin”, njoftoi policia vendore.
Gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin tip ‘Volksëagen’, në pronësi të tij, u gjet dhe u sekuestrua një përforcues grushti metalik.
Materialet për të dy rastet iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme procedurale.
Komente
