Që 12 vjeçe me leucemi, Vojsava: Marr borxh për ilaçe, shteti s’mi rimburson

28 Korrik, 18:00| Përditesimi: 28 Korrik, 18:58

  • Share

Pacientët me Leucemi po përballen me vështirësi në sigurimin e medikamenteve. Report TV sjell historinë e një 36-vjeçareje, e diagnostikuar që 12 vjeçe, e cila është detyruar të ndërpresë edhe mjekimin, pasi kushton mbi 2 mijë euro. E vetmja gjë që kërkon nga shteti, është që ilaçi jetëshpëtues “Dasatinibi” të rimbursohet.

“12 vjeç kur u sëmura për  herë të parë, ditëlindjen e festova në spital”.

Sot Vojsava Lleshi është 36 vjeç dhe ka plot 24 vite që bashkëjeton me sëmundjen e Leucemisë. Edhe pse asokohe e vogël, lajmin e sëmundjes e ka përjetuar keq.

“Kur e mësova u bëra shumë keq, kisha stres, shumë dhimbje. Thoja o Zot më ndihmon. Ditë e zezë, se dija a jetoj a jo. Motrat dhe vëllezërit, e prindërit vuani për mua”.

Ditët kalonin e Vojsava përballej me avancim të sëmundjes dhe frikën se nuk do të ishte më.

“Vjen çdo ditë e më shumë duke u përkeqësur. Kam përdor ilaçe si glivekun në fillim dhe nuk më ka bërë efekt, Tasinia më bëri alergji, pra nuk më bëri efekt. Në linjën e parë dhe të dytë i merrja ilaçet nga shteti, po ata nuk ma kaluan sëmundjen”.

Krahas dhimbjeve të vazhdueshme, ajo po vuan edhe pamundësinë e sigurimit të medikamenteve të shtrenjta e të parimbursueshme me kosto mbi 2 mijë euro, pasi ilaçet e spitalit i bëjnë alergji.

“Është shumë i kushtueshëm, 2 mijë euro bën ilaçi edhe 200 euro posta, kushton shumë. Burrin e kam më shumë papunë se sa me punë.  E kam marrë për dy vite, e kam marrë borxh.  Një muaj ma ka marrë vëllai. Nga spitali na kanë thënë nuk ka, nuk na e blen ministria, nuk na e siguron. Unë çfarë të bëj. Pa atë nuk jetoj dot”.

Dasatinibi është medikamenti jetëshpëtues për 36-vjeçaren, së cilës për një kohë i është dashur ta ndërpresë.

“Për 6 muaj se mora dot këtë ilaç, dasatinibin, mora një tjetër me rimbursim. Ai më bëri më keq. Kisha shumë dhimbje barku, shumë dhimbje kockash. Bëra analizat më dolën shumë keq, dhe më shtruan në spital. Pa u gjet ilaçi nuk më nxirrni, me mundësi pa mundësi e gjeta. Qëndrova për dy javë në spital. Dola nga spitali, sapo mbërrita në shtëpi gjendja u përkeqësua, erdha sërish në spital".

Kempi vetëm 7 mijë lekë në muaj që merr nga shteti, nuk i mjafton as për qira, e jo më për ilaçet e veta e të djalit, apo për të paguar qiranë.

“Më shumë borxh e kam siguruar, unë një kemp prej 70 mijë lekë nuk më del për asgjë. 70 mijë lekë marr nga kempi, çfarë të marrë më parë nga ato? Nuk marr dot asgjë me ata, ilaçet e mija si blej dot, as ilaçet e djalit jo. Jam edhe me qera, kam dhe djalin sëmurë me mpiksje gjaku. Unë nuk punoj dot se jam invalide, nuk qëndroj dot në këmb, më dhemb mesi dhe barku”.

E pashpresë e në kërkim të një zgjidhjeje i ka shkruar edhe kryeministrit Edi Rama.

“Jo ata nuk më kanë kthyer asnjë lloj përgjigje. Më ka dhënë doktoresha letrën që t’ju shkruaj ku ka shtet, po askush s’më ka kthyer përgjigje”.

E vetmja forcë e saj është i biri, të cilin gjatë shtatzënisë i kërkuan që ta abortonte, me frikën se do të trashëgonte sëmundjen.

Mjekët e spitalit të QSUT që trajtojnë çdo ditë pacientë me Leucemi akute, tregojnë jashtë kamerave për Report TV se si rasti i Vojsavës janë edhe pacientë të tjerë që po përballen me vështirësi të sigurimit të medikamenteve. Në fazën e tretë të sëmundjes së Leucemisë, pacientëve u rekomandohet fillimi i Asiminipit për trajtimin e duhur, ilaç që në vend nuk rimbursohet. Të rimbursueshme janë vetëm medikamentet e fazës së parë e të dytë të leucemisë, por jo Asiminipi, ose Dasatinibi që kushtojnë mbi 2 mijë euro.

Xh.K/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Turi: 28/07/2024 18:42

    Njerezit duhet te ngrihen kundra ketij sistemi te kalbur dhe nuk duhet te mashtrohet nga propaganda qe bejne keta qelbesira gjoja mjekesia eshte falas sepse nese nuk ke leke keta mq te len te vdesesh

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?