Kryebashkiaku i Himarës, Vangjel Tavo thotë se bashkia e Himarës nuk ka probleme sa i përket performancës financiare, por shtoi se duhet të bëjnë më shumë punë për bujqësinë dhe legalizimet. Në një intervistë për Report TV, Tavo komentoi takimin e kryeministrit Edi Rama me drejtuesit lokalë dje në Durrës, si dhe çështjet e problematikat që u diskutuan.
“Padyshim që çdo bashki ka problematikat e veta. Nuk ka problem Himara sa i përket performancës financiare, nuk ka problem sa i përket rolit që duhet të luajë në integrimin evropian. Ka nevojë për më shumë punë nga ana e pushtetit vendor për të mbështetur bujqësinë në këtë zonë se kemi dëgjuar në Himarë për turizëm. Në Himarë kultivohet ullirit dhe shquhet për cilësinë e vajit të ullirit. Edhe për legalizimet kërkohet më shumë puna nga ana e pushtetit vendor. Bashkia ka pasur ndër vite problematikë, të zgjidhet në një kohë sa më të shpejtë të mundshme.”, u shpreh Tavo.
Duke u ndalur te aksioni për lirimin e hapesirave publike, Tavo thotë se s’mund të lejojnë bllokimin e hapësirave publike me pretekstin se është sezon turistik. Ai tha se aksione të tilla janë ndërmarrë dhe do të vazhdojnë t’i marrin. Vetëm mbrëmë, theksoi kryebashkiaku, në Himarë ishin vendosur dy kioska pa leje, të cilat u hoqën nga policia.
“Tani jemi në sezon por ne vazhdimisht kemi kryer aksion për lirimin e hapësirave publike dhe vazhdojmë të kryejmë. Në qendër të Himarës janë vendosur dy kioska pa leje vetëm mbrëmë dhe sot në mëngjes ka nisur një aksion i policisë e të gjitha strukturave për çlirimin e hapësirave që janë zënë dje në darkë. Është një fenomen i njohur ndër vite dhe është kryer gjithmonë ky aksion. S’mund t’i lejojmë me justifikimin se është sezoni turistik.”, u shpreh Tavo.
Kryebashkiaku i Himarës komentoi gjithashtu edhe ultimatumin e kryeministrit Edi Rama për shkarkimin e kryetarëve të njësive administrative dhe të nënkryetarëve të bashkive. Sipas tij, një ‘rifreskim’ në këto struktura është i nevojshëm, dhe se nuk mund të rrinë për vite me radhë në poste të tilla, por sa i përket nënkryetarëve të tij, ai tha se janë të rinj dhe do t’u duhet kohë për të vlerësuar punën.
“Absolutisht. Dëgjoni të jemi korrekt me atë që thuhet. Unë po e ritheksoj atë që thashë dje, në varësi të performancës të gjithësecilit administrator nuk mund të qëndrojnë në bashki për 10 apo 15 vjet. Administrata në përgjithësi sidomos në këto bashki turistike që kërkohet angazhim maksimal, nuk mund të flejë gjumë se njerëzit kanë pritshmëri të madhe dhe jemi të detyruar t’u ofrojmë njerëzve gjithë angazhimin tonë, punën tonë për të arritur pritshmëritë e komunitetit. Nuk mund të flerë administrata. Duhen shkundur. Jam dakord me kryeministrin. Administrata do të ndryshojnë, për nënkryetarët kam vetëm një muaj që e kam emëruar. Do ta shikojmë. Kështu që çdo strukturë tjetër që kërkon rifreskim do të bëhet ndërhyrja nga ana e kryetarit të bashkisë.”, u shpreh Tavo.
Komente
