Politikë

Begaj dekreton 16 ministrat e rinj, të premten votëbesim në Kuvend e betim në Presidencë! ‘Diella’, ende pa dekret, kush do betohet për ‘krijesën’ virtuale?!

15 Shtator, 15:31| Përditesimi: 15 Shtator, 17:21

  • Share

Qeveria Rama 4 pritet të marrë votëbesimin në Kuvend, në një seancë plenare që siç tradita e do, mund të zgjasë dy ditë, të enjten dhe të premten.  Më tej, kabineti i ri, do të duhet të betohet mbi kushtetutë në Presidencë. Para se të shkojnë në parlament, emrat e ministrave të rinj, u dekretuan nga kreu i shtetit, Bajram Begaj.

Siç Report Tv mësoi, ditën e premte, gjatë 1 orë e 20 minutave në presidencë, Edi Rama, jo vetëm mori emërimin e tij si kryeministër dhe të drejtën ligjore për formimin e qeverisë, por dhe i dorëzoi, Kreut të shtetit, aty për aty, edhe 16 emrat e kabinetit të tij në mandatin e katërt. 

Pikëpyetjet më të mëdha, janë se çdo të bëhet me anëtaren e 17-të të kabinetit, Diellën, të parën ministre virtuale në botë. A do të ketë për të një dekret të posaçëm? 

Në dekretet e presidentit Begaj mungon ministrja virtuale. "Diella" për momentin është vetëm në nenin 2 të dekretit të parë të Presidentit, ku përveçse emëroi Edi Ramën, kryeministër, specifikoi se ushtron edhe përgjegjësinë "për ngritjen dhe funksionimin e ministrit virtual të Inteligjencës Artificiale “Diella”.

Por kush po e krijon Diellën dhe kur do të jetë ajo funksionale?

Deri më tani nuk ka një përgjigje zyrtare nga Kryeministria, se me çfarë të dhënash po furnizohet Diella për sektorët që do të ketë në kompetencën e saj dhe se kur mund të jetë gati ministrja e parë virtuale.

Në kushtet kur 16 ministrat të premten pas votëbesimit në Kuvend, pritet të bënë dorën mbi kushtetutë e të firmosin betimin në Presidencë, si do të jetë kjo procedurë për Diellën?

A ekziston mundësia që kryeministri të cilit përmes dekretit presidencial iu dha detyra edhe për ngritjen e ministrit virtual, të mund të betohet në vend të Diellës?

Megjithë këto pikëpyetje, ende ka mjegull juridike për bazën kushtetuese në pikën 2 të dekretit të parë të presidentit për ushtrimin e përgjegjësisë nga kryeministri për funksionimin e ministrit virtual, dekret që opozita e ka cilësuar antikushtetues.

Ora 17:06
Drejt formimit të qeverisë së re, Begaj dekreton 16 ministrat e qeverisë ‘Rama’! Mungon ‘Diella’

Presidenti Bajram Begaj ka dekretuar emrat e 16 ministrave të rinj të kabinetit Rama. Dekretet tashmë do të t’i kalojnë Kuvendit, ku qeveria Rama 4 pritet të marrë votëbesimin në Kuvend, në një seancë që mund të zgjasë dy ditë, të enjten dhe të premten.  Më tej, kabineti i ri, do të duhet të betohet mbi kushtetutë në Presidencë.

Por, në dekretet e Presidentit Begaj, mungon ministrja virtuale “Diella”. Ministrja virtuale për momentin është vetëm në nenin 2 të dekretit të parë të Presidentit. Ky i fundit përveçse emëroi Edi Ramën, kryeministër, specifikoi se ushtron edhe përgjegjësinë "për ngritjen dhe funksionimin e ministrit virtual të Inteligjencës Artificiale “Diella”.

Ministrat e dekretuar nga Begaj
1-Belinda Balluku Zëvendëskryeministër dhe Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë;
2-Albana Koçiu Ministër i Punëve të Brendshme;
3-Elisa Spiropali Ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme;
4-Petrit Malaj Ministër i Financave;
5-Blendi Gonxhja Ministër i Turizmit, Kulturës dhe Sportit;
6-Sofjan Jaupaj Ministër i Mjedisit;
7-Mirela Kumbaro Furxhi Ministër i Arsimit;
8-Evis Sala Ministër i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale
9.-Delina Ibrahimaj Ministër i Ekonomisë dhe Inovacionit;
10-Besfort Lamallari Ministër i Drejtësisë;
11-Pirro Vengu Ministër i Mbrojtjes;
12-Andis Salla Ministër i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural;
13-Ervin Demo Ministër i Shtetit për Pushtetin Vendor;
14-Majlinda Dhuka Ministër Shteti dhe Kryenegociator;
15-Adea Pirdeni Ministër i Shtetit për Administratën Publike dhe  Antikorrupsionin;
16-Toni Gogu Ministër i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin
G.M./SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Sa të sigurt ndiheni nga mashtrimet online?