Gentjan Sula dhe Veton Surroi

Qiradhënësi i televizionit të Berishës, Gentjan Sula i përfshirë në dosje korrupsioni në Brezovicë, aksion i madh arrestimesh në Kosovë, dyshohet për 400 mijë euro ryshfet

11 Janar 2022, 15:18| Përditesimi: 11 Janar 2022, 22:33

  • Share

Oligarku Gentjan Sula, me lidhje të shumëfishta me familjet Meta dhe Berisha, dyshohet se është pjesë e një afere korruptive me përmasa të mëdha në Kosovë, në bashkëpunim me publicistin dhe shkrimtarin Veton Surroi. Gazeta Insajderi raporton se Prokuroria dyshon se janë dhënë mbi 400 mijë euro ryshfet, për të korruptuar zyrtarë të Kosovës, për ndërtimin në mënyrë të paligjshme të një hoteli në Brezovicë. Hoteli po ndërtohej nga kompania “Stella Consulting”, ku aksioner kryesor është pikërisht Gentjan Sula me 70 %, ndërsa Veton Surroi ka 30 % të aksioneve. Dosja konsiderohet si një nga aferat më të bujshme në Kosovë.

Gentjan Sula, përmes ish-kompanisë tjetër së tij ‘Agikons’, të cilën e ka kaluar në emër të të afërmeve, ka ndërtuar pallatin e famshëm të Monika Kryemadhit në Laprakë, ku zonja Kryemadhi ka shpenzuar vetëm 5 milionë lekë, duke përfituar miliona euro. Pikërisht me sipërfaqet e këtij pallati, Kryemadhi justifikon vilën në Gjirin e Lalzit, ndërsa ka fituar edhe 13 apartamente.

Në këtë pallat ndodhen edhe zyrat e televizionit pranë familjes së Sali Berishës ‘Syri’. Gentjan Sula ka lidhur një kontratë me televizionin e familjes Berisha për t’i dhënë zyrat me qira, përmes kompanisë së tij “S&D Invest”. Mësohet se qiraja mujore është në vlerën 460 mijë lekë në muajt.

Falë lidhjeve të dyshimta më të gjitha krahët, Gentjan Sula, përmes kompanive që kontrollon drejtpërdrejtë dhe përmes njerëzve të besuar, është një nga përfituesit më të mëdhenj të parave dhe pasurive publike në Shqipëri. Por në një kohë kur në Shqipëri organet ligjzbatuese flenë gjumë, në Kosovë duket se funksion shteti ligjor.

Shkeljet ligjore të Surroit e Sulës në ndërtimet në Brezovicë

Në dosjen e publikuar nga Gazeta Insajderi thuhet se arsyet e bllokimit të punimeve të hotelit nga kompanie e Gentian Sulës dhe Surroi konsistojnë në shkatërrimin e ujërave dhe shkeljen e lejes së ndërtimit. Në dosje thuhet se me 8 gusht 2019, organet e rendit së bashku me ato të Ministrisë së Mjedisit kishin inspektuar disa objekte në Brezovicë, në mesin e të cilave edhe ato të ndërtuara nga “Stella Consulting”.

Pak ditë përpara, ish-kryetari i Shtërpcës, Bratisllav Nikoliq, u arrestua nga Policia e Kosovës gjatë një aksioni në këtë komunë, për ndërtimet pa leje në Brezovicë. Ai po dyshohet se ka pranuar përveç të tjerave edhe 210 mijë euro ryshfet për dhënien e 21 lejeve ndërtimore të vikend shtëpizave për investitorin “Stella Consulting”, si dhe 200 mijë euro të tjera për lejen ndërtimore të objektit hotelier “Stella Consulting”, shkruan Gazeta Insajderi. Branisllav Nikoliqi, nga viti 2016 deri në vitin 2019 për rreth tri vite ka shërbyer si këshilltar i Hashim Thaçi, deri kur u detyrua ta shkarkonte, pasi mediat nxitën debat të ashpër me raportimin se ai është një agjent i shërbimit inteligjent të Serbisë, BIA-s.

Inspektorët kanë konstatuar se ndërtuesit nuk kishin respektuar kriteret e ndërtimit që parashihen me ligjet dhe rregulloret për ambient dhe ujë, për zonën e dytë të Parkut Kombëtar “Sharri”. Në raportin e inspektimit thuhej se shoqëria ku janë aksioneret Sula dhe Surroi, ka nisur ndërtimin pranë lumit Murzhica si dhe një objekt, i cili duket si impiant për trajtimin e ujit, që ndodhet brenda komplet pronës ujore. “Stella… nga MMPH posedon një pëlqim mjedisor për ndërtimin e 16 shtëpizave, por në këtë vendim nuk është cekur në asnjë pikë objekti hotelier”, shkruhet në raportin e Inspektoratit të Ministrisë së Ambientit. Për ndërtimin e objektit hotelier, “Stella Consulting”, do të duhej të pajisej edhe me leje ndërtimore komunale ashtu siç parashihet në Udhëzimin Administrativ për Leje Mjedisore Komunale.“Investitori nuk është pajisur me leje ndërtimore për objektin afarizëm–hotel në parcelat kadastrale në Vërbeshticë. Projekti ka qenë në ndërtim kur i janë ndaluar punimet në aksionin e përbashkët në gusht 2019”.

Ministria ka urdhëruar Komunën e Shterpcës të pezullojë kushtet ndërtimore për shkak të shkeljeve.

“Të pezullojë kushtet ndërtimore me numër 06-351/01-7974/18, dt. 24.07.2018 dhe Lejen ndërtimore nr 06-351/02-12”, thuhet në vendimin e Ministrisë. Publicisti, Veton Surroi pati mohuar se kompania, pjesë e të cilës është ai ka bërë ndonjë shkelje. “Objekti në fjalë është pronë e Shoqërisë me përgjegjësi të Kufizuar ‘Stella Consulting’ , në të cilën jam aksionar minoritar. ‘Stella Consulting’ ka marrë të gjitha lejet e nevojshme ndërtimore , sipas ligjeve në fuqi, para se ta fillonte ndërtimin dhe u është përmbajtur atyre”, pati thënë Surroi në një përgjigje për Insajderin. Surroi ka pretenduar gjithashtu se nuk ka marrë urdhër për ndërprerje të punimeve nga ana e autoritetit ligjor i cili ka dhënë leje.

Arrestime, dyshime për 400 mijë euro ryshfet

Ish-kryetari i komunës Shtërpcë, Bratislav Nikoliq, bashkë me disa të tjerë, u arrestuan për marrje të ryshfetit në këmbim të lejeve ndërtimore në Brezovicë. Sipas Gazetës Express, prokuroria dyshon se kompania “Stella Consulting” në pronësi të Gentin Sulës dhe Veton Surroi i ka dhënë Nikoliqit mbi 400 mijë euro ryshfet. Bratislav Nikoliq dyshohet se në këmbim të lejeve ndërtimore ka marrë ryshfet mbi një milion euro ryshfet. Sipas prokurorisë, një pjesë të kësaj shume, Nikoliq i ka marrë nga “Stella Consulting”, në këmbim të lejeve dhe lejimit të ndërtimit të hotelit. Së bashku me Nikoliqin janë arrestuar edhe nëntë persona të tjerë, në mesin e të cilëve është edhe drejtori për Urbanizëm në Komunën e Shtërpcës, Dimitrije Raçiqeviq.

U arrestuan po ashtu edhe disa pronarë të kompanive të ndërtimit, si dhe disa qytetarë me inicialet: D. M., H. B., S. M., R. B., R. H., B .I., S. S. dhe J. K. Janë sekuestruar 61 mijë euro dhe monedha të tjera, 8 vetura në vlerë prej 300 mijë eurosh, armë zjarri, telefona, aparate për prodhimin e kriptovalutave etj. Prokuroria Themelore e Ferizajt ka njoftuar më 21 dhjetor se objektet që janë ndërtuar pa leje do të sekuestrohen përkohësisht.

Mediat në Kosovë kanë raportuar edhe për ngrirje të llogarive bankare të kompanisë “Stella Consulting”, së Gentian Sulës dhe Veton Surroit, e përfshirë në ndërtim të paligjshëm dhe e dyshuar për dhënie ryshfeti. Ndërkaq, nuk ka të dhëna deri më tani për procedim të Gentian Sulës dhe Veton Surroit, kompania e të cilëve është në qendër të skandalit që ka plasur në Kosovë.

Kryeprokurori i Ferizajt, Shukri Jashari, tha në një konferencë për media se të arrestuarit dyshohen për veprat keqpërdorim i pozitës zyrtare dhe marrje të ryshfetit. “Me vendim të prokurorit, është ndaluar për 48 orë Bedri Halimi, kryeinspektor i Ministrisë së Mjedisit nën dyshimin e bazuar se ka kryer veprën penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar. Gjithashtu është ndaluar ish-sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit, Arben Çitaku për shkak të dyshimit se i njëjti ka kryer veprën keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar si dhe marrje të ryshfetit. Gjithashtu me vendim të prokurorit është ndaluar edhe një qytetar, respektivisht një investitor në Brezovicë nën dyshimin se ka kryer veprën penale ushtrim i ndikimit dhe marrje e ryshfetit”, tha Jashari.

M.Q.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Iris: 12/01/2022 02:16

    Ky eshte nje rast qe SPAKU te hetoje nese jane perdorur praktika te ngjashme nga kjo kompani dhe ne Shqiperi per te perfituar leje ndertimi.

    Përgjigju
  • aliu: 11/01/2022 15:39

    Më afër është me Ramën ky Sulaj sesa me dy hajdutët Meta e Berisha. Shifni Kodrën e Diellit dhe Gentjana Sulën bashkëshorten e Gent Sulës se ku punon. Gjithë dosjet e sigurimsave ajo i ka në dorë dhe bën ça i thotë i gjati e lali Eri…

    Përgjigju
    • Qytetari: 11/01/2022 15:51

      Pershendetje Ali, Mendoj qe jeni i pasakte. Ky zoteria eshte thjesht menaxheri i bizneseve te familjes Meta, keto jane biznese te familjes Meta, jo te tijat. Ky vetem i menaxhon. Nqs SPAK do te punoj ja ku e ka shembullin, por qartesisht reforma ne drejtesi mund te quhet, reforma per drejtesi te dirigjuar. Korrupsioni eshte sheshit, dihen ne Tirane hapur se kush jane sekseret dhe leket e kujt politikani pastrojne. Asgje nuk ju ndodh. Keshtu qe njerez, SPAK eshte thjesht zhgenjimi i radhes per ju. Eshte vetem instrument politik, i PS, PD, dhe LSI. That's all. Do ruhet gjeja e vjedhur e te gjithe liderave te korruptuar.

  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?