Autori Çalamani dhe viktima Mateo Vasiu

Opinion

Quhej Mateo dhe nuk e vrau Çalamani!

17 Nëntor 2021, 13:23| Përditesimi: 18 Nëntor 2021, 10:27

  • Share

Pëshpërimat e mëngjesit, (shqetësuese), që të bëhen pjesë e tavolinës teksa kalimthi kthen kafen e shkurtër për të nisur punën, sot nuk ishin më as për kandidatët e betejës për “fronin” e PD-së, as për joshjet dashurore me skenarët qëndisur për thyerje klikimesh e shikueshmërie dhe as për Vëllain e Madh që vëzhgon VIP-at (e regjur me kohën, e herë të panjohur) që thuhet se kanë mbërthyer publikun duke i parë 24 në 24.

Nuk ja përmendnin emrin, por moshën ja dinin. “Ishte vetëm 8 vjeç. I vranë fëmijën. Kush mundet të ta bëjë këtë? Si mundet ta përballojë ajo nënë? (A thua se babës nuk i dhemb njëjtë!!!)”. Të tjerë, me revoltën e kahershme të përsëritur në të njëjtat forma. “Të varet! (Por jo pa vuajtur një rrahje të mirë nga policia dhe “shokët” e qelisë).

Djali quhej Mateo. Ishte bjond me sytë që i qeshnin. Familja Vasiu, babai Ligori, nënë Flora dhe vëllai Antonio janë të vrarë, të plagosur, të lënduar, por pa zë. Të vetmen forcë e kanë mbledhur për të nxjerrë nga shpirti dhimbjen e humbjes së të voglit të tyre, me lot që as nuk i rrjedhin dot në faqe.

Shokëve ua kujton tragjedinë një buqetë lule vendosur në bangën ku Mateo ulej në klasën e tretë të shkollës “Thanas Ikonomi”, aty ku sot të gjithë janë pa fjalë nga mungesa e tij.

Heshtja ka pllakosur edhe në fshatin Grecalli të Fierit. Në fakt, është pikërisht kjo heshtje e frikshme që i mori jetën në mënyrën më makabre një krijese të pafajshme. Mateo Vasiu nuk ka faj që ka lindur në mesin e një shoqërie që hesht kur duhet bërtitur dhe flet kur duhet menduar.

Me rrathë të nxirë, sytë e Klodian Çalamanit, nuk janë të qeshur si të Mateos. Ndoshta janë nxirë nga policia që mund të ketë realizuar dëshirën e pëshpërimave bërtitëse të kafes, pasi arrestoi një vrasës që menjëherë pohoi: “Po, unë i mora jetën!”. Nuk ka asgjë të përafërt me pamjen e një 38-vjeçari që shumë përfytyrojnë. Errësira e pamjes së fytyrës i shton shumë vite, burrit të vetmuar, të braktisur nga nëna, me babanë që ka ndërruar jetë dhe vëllanë në burgjet e Greqisë.

Ai nuk i fshihej njeriu. Jetën e bënte të lirë mes një shtëpie përdhese që e shfaq hapur varfërinë,  rrugicave dhe lokalit të fshatit ku të gjithë thonë se konsumonte alkool. “Ishte pijanec. Ka bërë shumë maskarallëqe” – e thonë të gjithë tashmë që Çalamani është pas hekurave. Të tjerë shkojnë edhe në histori abuzimi seksual (që vlen të shihen me hije dyshimi, përsa kohë, pas vdekjes, shqiptarët (edhe unë!!!) vdesin të lavdërojnë apo të ta bëjnë emrin edhe më të zi se fytyra e Klodianit) vetëm që të bëhen protagonistë dhe të kenë një zë në historinë që po flasin të gjithë! (E çuditshme!)

Megjithatë, askush nuk foli kur duhej. Askush nuk sinjalizoi asnjë autoritet shtetëror që mund të kishte pikasur çmendurinë e një personi me probleme të shëndetit mendor -siç ata e shquajnë - por që asnjë profesionist nuk e kishte parë nga afër për ta shpallur të sëmurë me kartelë mjekësore.

Klodiani që (rastësisht) mangësitë e mundshme mendore ja shfaq edhe mbiemri i “çalë” nuk do të flitej sot për tragjedi të tilla që shkaktojnë dhimbje tek çdo person që mendon në ato çaste fëmijën e tij, nipin, kushëririn, fqinjin e vogël. Populli, që i revoltuar kërkon sot dënimin me vdekje, harron se çekiçi i drejtësisë do të bie po nga ky sistem i kalbur që e nxorri nga burgu 38-vjeçarin edhe 15 vite më parë kur rrëmbeu fqinjën e tij 16-vjeçare. I ndjerë triumfues përballë një sistemi të tërë, Klodiani zgjodhi të shkelë sërish në një terren të njohur për të, një fushë që e dinte që do ishte e butë. Edhe 4 vite të tjera në qeli ishte i sigurt që nuk do e vrisnin aspak!

Teksa një familje vajton humbjen tragjike të birit të tyre, sot edhe në shtëpinë e mjerë të Klodianit derdhen lot. Një gropë balte hapur pranë tualetit në oborr do i kujtojë të gjithëve fytyrën e qeshur të Mateos që u shua nga goditja me kazmë dhe u gropos pa mëshirë mbuluar me baltë nga duart e një vrasësi (po, po një krimineli!) që gabojmë të gjithë teksa gishtin e fajtorit e kthejmë drejt tij, dhe i japim kënaqësinë dhe mundësinë një sistemi të deformuar të “programojë” vrasjen tronditëse të radhës, që do na bëjë sërish të përsërisim të njëjtat pëshpërima nëpër kafene, orientuar me shënjestër të gabuar:

 “Të varet” – (Po, Po! Të varet!) Por jo Klodiani. Të varet e të vritet sistemi “Çalaman” që do i japë “madhështinë” në duar çdo të çali (mendor).

K.T.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Klodian: 18/11/2021 13:44

    Edhe une te njejtin mendim me parafolesin jam.te behet shembull.te varet me padyshim

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?