Qyteza turistike e Ksamilit çeli sezonin veror 2025 me “Festën e Midhjes”. Në qendër të festës janë midhjet e freskëta të Butrintit, që vlerësohen për cilësinë e tyre të lartë në tregjet kombëtare dhe ndërkombëtare.
“Ksamili është destinacion jo vetëm për plazhet, por edhe për përvojat kulinare”, thanë turistët.
Festa do të zgjasë tre netë me radhë, ku përveç ofertës gastronomike, janë planifikuar dhe shume aktivitete argëtuese.
Me shfaqje artistike, panair dhe aktivitete sportive sezoni është zyrtarisht i hapur dhe në qytetin liqenor të Pogradecit.
Turistët shprehën të kënaqur me mikpritjen dhe bukurinë natyrore të qytetit, buzë Ohrit.
Pritet që fluksi të rritet ketë verë, falë marrëvshjeve te operatoreve turiste me agjenci te huaja, kryesisht nga Gjermania.
Me “Festën e Valëve”, Fieri çeli këtë të shtunë sezonin veror në bregdetin e Darezezës, ku moren pjese vendas e te huaj.
“Më pelqen shumë Shqiperia, njerezit janë shumë mikprites”, tha një turiste gjermane.
Kryebashkiaku tha se do hartohet masterplani për zhvillimin e turizmit i cili parashikon ndërtimin e hoteleve në zone ende të virgjer.
Aktualisht janë 61 operatorë turistikë sezonalë që operojnë përgjatë vijës bregdetare Darëzesë – Seman.
*Përgatitën kronikën për Report TV, gazetarët: Limos Didani, Armand Braho, Kristaq Thano
Në një atmosferë festive, në qendër të Pustecit, është çelur zyrtarisht sezoni turistik veror 2025. Aktiviteti mblodhi turistë vendas e të huaj, përfaqësues të institucioneve vendore dhe aktorë të sektorit të turizmit, në një ngjarje që shënoi nisjen e sezonit me optimizëm dhe pritshmëri të larta.
Që prej fillimit të vitit, mbi 80 mijë vizitorë kanë zgjedhur Pustecin si destinacionin e tyre, ndërsa pritet që gjatë muajve të verës ky numër të rritet ndjeshëm. Një prej risive këtë sezon është hapja e plazhit të ri në zonën e Rrallnikut, një investim i realizuar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, që synon të sjellë një tjetër dimension zhvillimi në këtë zonë me potencial të lartë turistik dhe mjedisor.
Kryetari i Bashkisë së Pustecit, Pali Kolefski, vlerësoi ndikimin e këtyre investimeve në nxitjen e turizmit të qëndrueshëm dhe përmirësimin e cilësisë së jetës për komunitetin lokal. Ndërkohë, përfaqësuesi i “Kayak Albania”, Elton Dhefto, bëri të ditur se për të dytin vit radhazi do të organizohet Festivali i Kayakut, një ngjarje që ka fituar vëmendjen e turistëve të huaj dhe ndihmon në promovimin e liqenit dhe bukurive natyrore të Prespës.
Aktiviteti festiv u shoqërua me muzikë live, valle tradicionale dhe degustime të kuzhinës vendase, ku vizitorët patën mundësinë të njihen nga afër me mikpritjen dhe kulturën karakteristike të zonës. Interesimi i turistëve për Pustecin vijon të rritet, veçanërisht për natyrën, ushqimin dhe atmosferën e qetë që ofron ky destinacion ende i paeksploruar gjerësisht.
Bashkia e Pustecit ka planifikuar edhe investime të mëtejshme për të zhvilluar turizmin gjatë gjithë vitit, përmes ofertave të kombinuara me plazhe në verë dhe aktivitete në natyrë gjatë stinëve të tjera, duke shfrytëzuar pasurinë natyrore, biodiversitetin dhe trashëgiminë kulturore të zonës së Prespës.
Qyteti i Pogradecit ka hapur zyrtarisht sezonin turistik më 31 maj, duke e kthyer këtë ditë në një festë për qytetarët dhe turistët. Aktivitetet e organizuara përfshinë shfaqje artistike, panair të kulinarisë dhe trashëgimisë lokale, aktivitete argëtuese për fëmijë dhe nisma sportive përgjatë bregut të liqenit.
Bashkia e Pogradecit bëri të ditur se këtë vit janë marrë masa të shtuara për mbarëvajtjen e sezonit, duke nisur nga përgatitjet infrastrukturore deri tek bashkëpunimi me operatorët turistikë, të cilët kanë siguruar marrëveshje me agjenci nga vende të ndryshme, kryesisht nga Gjermania.
Turistët e huaj që morën pjesë në ceremoninë e hapjes shprehën kënaqësinë për atmosferën festive, mikpritjen dhe bukurinë natyrore të qytetit, duke e konsideruar Pogradecin një destinacion të pëlqyer për pushimet verore.
Edhe operatorët turistikë janë shprehur të përgatitur për të përballuar fluksin e vizitorëve me standarde më të larta shërbimi dhe me gatime tradicionale që përfaqësojnë kuzhinën karakteristike të zonës.
Pogradeci mbetet një nga destinacionet më të frekuentuara në juglindje të vendit, duke tërhequr çdo vit mijëra turistë vendas dhe të huaj falë kombinimit të natyrës, kulturës dhe trashëgimisë së pasur historike.
Është çelur sot zyrtarisht sezoni turistik 2025 në bregdetin e Darëzezës. Aktiviteti i titulluar ‘Festa e Valëve’ ka mbledhur dhjetëra pjesëmarrës të cilët kanë ndjekur koncertin e larmishëm artistik me kërcime, këngë e valle.
Kryebashkiaku Armando Subashi, ka pohuar në prononcimin e tij për mediat se kjo perlë e pashfrytëzuar e Adriatikut, këtë sezon veror pret dyfishim të turistëve ndërsa ka theksuar se hapi më i rëndësishëm është hartimi i masterplanit për zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit i cili parashikon ndërtimin e hoteleve e bizneseve bashkëkohore në zonë.
Subashi ka pohuar gjithashtu se sipërfaqja e madhe e rërës do të shfrytëzohet 40 % si hapësirë publike dhe pjesa tjetër për privatët ndërkohë që vijojnë investimet për përmirësimin e infrastrukturës rrugore dhe projektit madhor të ujësjellësit për të siguruar furnizim të pandërprerë me ujë, një shërbim i munguar ndër vite.
‘Në bashkëpunim edhe me qeverinë ne kemi filluar hartimin e mastër planit për të gjithë këtë vijë brengdetare të Bashkisë së Fierit. Ai master plan do të përfundojë dhe do t’i hap rrugë gjithë investimeve në këtë zonë’, tha ai.
Janë 61 operatorë turistikë sezonalë që do të operojnë përgjatë vijës bregdetare Darëzesë - Seman këtë verë.
Qyteza turistike e Ksamilit ka çelur zyrtarisht sezonin veror me një nga festat më karakteristike dhe domethënëse për këtë zonë bregdetare Festën e Midhjes. Me këtë event, Ksamil rikthen një traditë të nisur pikërisht këtu vite më parë, e cila jo vetëm që nderon një nga produktet më të njohura të gastronomisë vendase, por kthehet edhe në një simbol të promovimit të turizmit dhe kulturës lokale.
Në hapjen e aktivitetit mori pjesë nënkryetari i Bashkisë Sarandë, Florjan Sali, i cili deklaroi:
“Ksamili i është rikthyer festës së midhjes, një festë që lindi këtu dhe tashmë rikthehet më e pasur, më e organizuar dhe me një infrastrukturë të përmirësuar për të pritur siç duhet turistët vendas dhe të huaj.”
Në qendër të festës janë midhjet e freskëta të Butrintit, të cilat janë kthyer në simbol të kuzhinës së zonës dhe vlerësohen për cilësinë e tyre të lartë në tregjet kombëtare dhe ndërkombëtare. Gjatë ditëve të eventit, dhjetëra biznese lokale janë angazhuar në përgatitjen e ushqimeve me bazë midhjet, duke ofruar për vizitorët gatime tradicionale dhe moderne që kënaqin çdo shije.
Përfaqësues të bizneseve pjesëmarrëse në tendat e festës janë shprehur se ky organizim është një nxitje shumë e mirë për sezonin turistik, duke rritur interesin për Ksamilin si destinacion jo vetëm për plazhet, por edhe për përvojat kulinare që ofron.
Festa do të zgjasë tre netë me radhë, ku përveç ofertës gastronomike, janë planifikuar edhe një sërë aktivitetesh kulturore dhe argëtuese për të gjitha moshat – duke përfshirë muzikë live, shfaqje për fëmijë, performanca artistike dhe aktivitete ndërvepruese për publikun.
Me këtë festë, Ksamil konfirmon edhe një herë veten si një nga perlat e bregdetit shqiptar, ku natyra, ushqimi dhe kultura ndërthuren në mënyrë perfekte për t’u ofruar vizitorëve një sezon të paharrueshëm.
Komente

Zona è Rrjoll Velipoje do te jete rekordi i ketij sezooni turistik
Përgjigju