VLORË- Në Portin e Vlorës ka radhë të gjata mjetesh për t’u larguar nga Shqipëria. Në port po vijon ende fluksi i largimeve, ndërsa shkak i vonesave dhe radhëve mësohet se janë bërë kontrollet e imtësishme për drogë që po ushtron Policia Kufitare. Në pamjet që sjell Report Tv dallohet radha e gjatë e mjeteve në pritje për t'u imbarkuar në tragetin e linjës Vlorë-Brindisi.
535 pasagjerë, 114 automjete dhe tre autobusë regjistrohen këtë mbrëmje, 7 janar. Kontrolli i Policisë Kufitare ka sjellë vonesa tek pasagjerët. Zyrtarisht trageti duhet të niset në 11:00, por vonesat për shkak të kontrolleve mund të shkaktojnë edhe shtyrjen e orarit të nisjes së tragetit.
Po ashtu, Report Tv solli edhe pamjet nga momenti kur një makinë funerali i është nënshtruar kontrolleve në Portin e Vlorës.
Ndërkohë, në Portin e Durrësit nuk raportohet për radhë. Sipas burimeve, gjatë ditës së sotme drejt Barit janë nisur 1715 pasagjerë, janë imbarkuar 456 mjete, 2 autobusë, 15 minibusë dhe 74 kamionë.
Kontrolleve në Portin e Vlorës nga Policia Kufitare nuk i ka shpëtuar as makina e funeralit. Për rreth 1 orë, makina e funeralit që shihni në këto pamje që sjell Report Tv, i është nënshtruar një kontrolli të imtësishëm nën dyshimet për drogë.
Makina kishte destinacion Italinë për të tërhequr trupin e një personi që ka ndërruar jetë atje. Kontrolleve për drogë u janë nënshtruar edhe mjeteve të tjera.
Mësohet se në të nuk është gjetur drogë.