S'ka marrëveshje mes Shqipërisë e Greqisë për radhët në Kakavijë! Pala greke mbyll kufirin në 22:00, rifillon nesër në 06:00! Qytetarët mbeten në rrugë, për 8 orë kaluan 1800 shtetas

14 Gusht 2020, 17:14| Përditesimi: 14 Gusht 2020, 23:00

  • Share

KAKAVIJE - Edhe pse Ministria e Jashtme ka qenë gjatë gjithë ditës së sotme në bisedimet me ministrinë e Jashtme greke për të bërë të mundur vijimin e punës në pikën kufitare edhe pas orës 22:00, masë kufizuese e marrë për shkak të pandemisë, nuk është arritur asnjë marrëveshje mes palëve. Ora 22:00 ka shënuar mbylljen e kufirit të Kakavijës nga pala greke për të rifilluar sërish nesër në orën 06:00. 

Edhe pse kishte shpresa te qytetarët se puna do të vijonte përtej orës 22:00, por kjo gjë nuk është arritur duke bërë që pala greke të mbetet stoike në kufizimet që ka vendosur për të mbrojtur vendin e saj nga pandemia.

Qytetarët kanë mbetur ende në rrugë, gjendje që vazhdon prej tre ditësh, duke krijuar radhë kilometrike dhe sjellë shqetësime shëndetësore te shtresat vunerabël. Nga ora 14 deri në orën 22:00, Ministria e Jashtme njofton se për 8 orë kanë kaluar 1800 shtetas drejt Greqisë.

Gjatë pasdites së sotme Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka ka shkuar në Kakavijë, ku është takuar me autoritetet vendore dhe të policisë për plotësuar nevojat bazike të qytetarëve, por edhe për të garantuar sigurinë e tyre.

U desh apeli i fortë në Report Tv që të zgjojë reagimin e autoriteteve shqiptare, që pas negociatave me palën greke, të përshpejtohen kontrollet në pikën kufitare të Kakavijës pas bërjes së tamponit nga ekipet shëndetësore greke. Pas 3 ditëve në radhë në Kakavijë për të kaluar kufirin në Greqi, Forcat e Armatosura shqiptare dolën në terren për të furnizuar me ujë qytetarët, e rraskapitur nga pritja dhe temperaturat e larta.

Në një deklaratë për mediat, Xhaçka tha se janë sjellë ushqime, ujë, ekipe mjekësore dhe tualete të lëvizshme, në mënyrë që të sigurohen sa më shumë nevojat bazike për qytetarët e bllokuar.  

Gjatë ditës së sotme edhe Ministria e Jashtme në një reagim zyrtar tha se pas negociatave me autoritetet greke u përshpejtua bërja e tamponëve, si rezultat i shtimit të stafit mjekësor në kufi, që deri në orët e paradites, ishin vetëm dy mjekë grek për bërjen e tamponit ndaj mijëra udhëtarëve.  Ndërkohë, zv.ministri i jashtëm Agron Tare tha ekskluzivisht për Report Tv se ekipet greke tashmë e bëjnë tamponin vetëm me kampion për rastet e dyshuara me COVID, 1 në 10 makina për rastet e dyshuara.

Edhe Ambasada e Greqisë në Shqipëri, që njoftoi se kufizimet  për Shqipërinë do të shtyhen deri më datë 31 gusht 2020 dhe nuk do të kalojnë më shumë se 1050 veta në ditë në të dy pikat e kalimit kufitar Kapshticë dhe Kakavijë, konkretisht  750 persona në ditë në pikën kufitare të Kakavijës, ndërsa në Kapshticë do të lejohen të kalojnë 300 persona në ditë, sipas orareve të përcaktuara 06:00-22:00.

Ora 22:33
Greqia mbyll kufirin në orën 22:00, vijojnë radhët e gjata në pikën kufitare të Kakavijës

Pala greke në pikën kufitare të Kakavijës ka mbyllur punën në orën 22:00. Pavarësisht vizitës së Ministres së Mbrojtjes, Olta Xhaçka, puna është mbyllur në orën e përcaktuar më përpara nga Ambasada e Greqisë në Tiranë.

Me mbylljen e pikës kufitare, qytetarët duhet të presin ditën e nesërme për të kaluar kufirin grek. Pavarësisht bisedimeve të Ministrisë së Evropës dhe Punëve të Jashtme me autoritetet greke, vendi fqinj vazhdon që t'u qëndrojë rregullave të vendosura më herët.

Pala greke pritet që të fillojë punën nesër në orën 06:00 të mëngjesit.

Ora 19:33
Pas 10 orësh pritje në kufi, normalizohet situata në Kapshticë! Një pjesë e qytetarëve kthehen mbrapsht

Normalizohet pas 10 orësh situata e pazakonte e krijuar ne piken e kalimit kufitar te Kapshtices. Gazetarja Gladiola Hoxha shprehet se është ulur ndjeshëm numri i shqiptarëve që udhëtojnë nga pika e kalimit kufitar të Kapshticës drejt Greqisë. Fluksi i udhëtarëve i cili arriti deri ne 4 km radhë gjatë ditës së sotme, është reduktuar shkurtuar ndjeshëm, kjo falë punës intensive të palës shqiptare që ka punuar me 6 sportele por edhe asaj greke që ka punuar me 4 sportele.

Prej dy ditësh në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës u krijuan radhë të gjata mjetesh dhe udhëtaresh të cilët kanë pritur 8-10 orë në tokën shqiptare, varg kilometrik që kalonte edhe fshatin e Kapshticës.

Ajo çfarë bëhet e ditur nga burime pranë pikës kufitare është se një pjesë e qytetarëve janë kthyer mbrapa për arsye të mosplotësimit të dokumentacionit online në portalin e vendosur pikërisht për kalimin e shtetasve shqiptarë drejt territorit grek.

Shkak i radhëve dhe i pritjeve të gjata është pikërisht vendimi i qeverise greke për marrjen e tamponit në kufi, por edhe karantinimin e detyruar 1 javor pas datës 16 Gusht.

Ne këtë pikë kufitare ka patur fluks të madh të qytetarëve, të cilët kanë pritur gjatë të shoqëruar nga fëmijë dhe të moshuar.

Ora 18:37
Të bllokuar në Kakavijë, momentet kur helikopteri dhe kamionët sjellin ndihmat e para për qytetarët

Helikopteri dhe kamionët e ushtrisë dhe emergjencave civile kanë sjellë ndihmat e para ushqimore dhe higjieno-sanitare në ndihmë të qytetarëve të bllokuar në Kakavijë prej 3 ditësh.

Report Tv siguron pamjet e helikopterit që ulet në një fushë sporti apo kamionëve në rrugë që i janë drejtuar pikës doganore të Kakavijës për t'u ardhur në ndihmë qytetarëve.

Ora 18:27
'Mos më shkeltë kurrë këmba në Shqipëri', qytetarët e revoltuar në Kakavijë: Kemi 50 orë pa bukë e pa ujë

Lodhja, vapa, dehidratimi dhe mosushqyerja, qëndrim prej tre ditësh në radhe në rrugë në pritje për të kaluar pikën kufitare të Kakavijës ka sjellë acarim dhe nervozizëm tek qytetarët. Në shenjë proteste qytetarëve u ranë borive të makinave të tyre dhe të apelojnë për ndihmë nga qeveri që t'i jap fund kësaj situate. Qytetarët shprehen për Report Tv se kanë 3 ditë në radhë, po jetojnë me molto dhe çmimet janë të shtrenjta aq sa shumica e qytetareve nuk kanë as mundësinë të ushqehen. Madje disa shprehen se nuk do të vijnë më kurrë në Shqipëri deri sa t'u skadojë sërish pasaporta.

"70 % e qytetarëve kanë ardhur këtu për të bërë pasaportat. Le të sjellë qeveria 5 punëtorë në Athinë për rinovimin e tyre dhe të mos vijmë këtu 500 mijë veta dhe të qëndrojmë në radhë për ditë të tëra", tha një qytetar.

"Mos më shkeltë më këmba kurrë në Shqipëri jo mua, por as fëmijëve të mi", tha një tjetër qytetar i revoltuar.

"Kam tre ditë në Kakavijë, ky është mesazhi që i them kryeministrit", tha një tjetër.

"Kemi 50 orë pa bukë e pa ujë, dhe qeveria të marrë vesh", u shprehen qytetarët

Ora 17:59
Xhaçka në Kakavijë: Po bisedohet më palën greke për të punuar edhe gjatë natës! Sigurohet ushqim, ujë e tualete për qytetarët e bllokuar

Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka tha se Ministria e Jashtme është në bisedime me palën greke për të rritur kapacitete e punës dhe të bëhet zgjatja e orarit përtej 22:00 duke punuar edhe natën në mënyrë që qytetarët të kalojnë dhe të mos presin më në radhë. Ministrja ndodhet në Kakavijë, ku siguroi se qytetarëve të bllokuar do të tregohet vëmendje maksimale. Xhaçka tha se në ndihmë të qytetarëve të bllokuar janë çuar tualete të lëvizshme dhe po sigurohet kushte higjieno sanitare për të siguruar mbrojtje në kohë pandemie. Gjithashtu familjeve po u çohet ujë dhe ushqim, ndërsa janë në dispozicion edhe ekipe mjekësore e ambulanca për t'u ardhur në ndihmë personave që kanë nevojë.

"Jemi duke ndjekur me shumë vëmendje situatën në pikat kufitare me Greqinë, Qeveria është e angazhuar së bashku me emergjenca civile ku kemi ardhur për ta ndjekur në vend situatën.  Mbas vendimit të autoriteteve greke për të vendosur marrjen e certifikatës për një tampon negativ për çdo qytetar që kalon kufirin dhe izolimin për 7 ditë në Greqi. Po bëjmë shumëçka që të gjithë qytetarëve të mos u mungojnë nevojat bazike. Jemi koordinuar me Ministrinë e Shëndetësisë për të sjellë mjekë dhe ambulanca për qytetarët që kanë nevojë dhe për të marrë masat për të krijuar kushtet higjieno-sanitare për të mos rrezikuar më shumë në kohë pandemie. Me ministrinë e Infrastrukturës kemi sjellë tualete të lëvizshme për ti ardhur në ndihëm qytetarëve dhe bashkë me bashkitë e Dropullit dhe Gjirokastrës po koordinojmë pajisjen me ushqim të të gjitha familjeve që janë në pritje. Ministria e Jashtme është duke komunikuar intensivisht me palën greke, për të bërë të mundur rritjen  e testimeve deri në 330 tamponë për orë, por me perspektivën për ti shtuar edhe më këto kapacitete. Jemi në bisedime Intensive që orari i punës në pikën kufitare të zgjatet përtej orës 22:00 dhe puna të vijojë edhe natën. Kjo nuk është një situatë e vendosur vetëm për Shqipërinë, por mund t'ju them që jemi dukem marrë të gjitha masat që rregullat që ata kanë vendosur jo t'i zhbëjmë por të bëjmë çfarë është e mundur që të shtojnë kapacitete dhe punojnë përtej orës së vendosur. Jemi këtu për të treguar vëmendjen maksimale të qytetarëve që kanë mbetur nga kjo anë e kufirit dhe jo nga ana tjetër. Është një situatë që për fat të keq që janë përballur jo vetëm vende jashtë BE por dhe vende të BE. Kjo është krijuar nga vështirësitë e pandemisë dhe po punojmë intensivisht që kjo situatë të zgjidhet një orë e më parë. Zgjatja e orarit dhe rritja e intensitetit të punës janë ende tema që po diskutohen intensivisht", tha Xhaçka

  

Ora 17:59
Cakaj bisedë telefonike me homologun grek: Po diskutojmë për të lehtësuar radhët në kufi

Ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj ka zhvilluar një bisedë telefonike me ministrin e jashtëm të Greqisë, Varvitsiotis për të diskutuar për lehtësimin e kalimit kufitar në Kakavijë.

"Duke respektuar të gjitha masat dhe forcimin e grupeve që punojnë në kufi, ne jemi duke ndjekur vazhdimisht situatën për të lehtësuar ngarkesën në kufi", shprehet ai.

Ministria e Jashtme deklaroi më herët se është në bisedime për të zgjatur orarin e punës në pikat kufitare, në mënyrë që qytetarët të mund të kalojnë edhe në orë e vona të natës. Nga ana tjetër, Ministria e Shëndetësisë dhe Ministria e Mbrojtjes kanë vendosur në dispozicion të qytetarëve të bllokuar në radhë disa ekipe mjekësore dhe autoambulanca, si dhe shërbime higjieno-sanitare.

Ora 17:47
Greqia shtyn kufizimet deri më 31 gusht, në Kakavijë lejohet të hyjnë 750 persona në ditë e 300 persona në Kapshticë

Ambasada e Greqisë në Shqipëri njoftoi sot se sipas vendimit të qeverisë greke kufizimet për hyrjen në Greqi nga Shqipëria shtyhen deri më datë 31 gusht 2020.

Gjithashtu është njoftuar se do të lejohet që të hyjnë 750 persona në ditë në pikën kufitare të Kakavijës, ndërsa në Kapshticë do të lejohen të kalojnë 300 persona në ditë, sipas orareve të përcaktuara.

“Sipas vendimit të qeverisë greke përjashtohen nga kufizimet poseduesit e pasaportës greke, të Kartës së Posaçme të Identitetit të Homogjenit dhe lejes së qëndrimit, personat që e kanë vendbanimin e tyre kryesor në Greqi dhe të gjithë ata që hyjnë pas marrjes së lejes përkatëse për nevoja profesionale absolutisht të domosdoshme. Hyrja e personave të mësipërm nga pikat kufitare të Kakavijës, që lejohet të hyjnë 750 persona në ditë, dhe të Kapshticës që lejohet të kalojnë 300 persona në ditë, nga ora 07:00 deri në orën 23:00, ose me aeroplan (fluturimi Tiranë – Athinë)”, thuhet në njoftimin e Ambasadës.

“Sipas vendimit, nga dita e diel 16.08.2020 ora 00:01 deri më 31.08.2020 ora 23:59, të gjithë ata që hynë në Greqi zbatohet karantinimi 7-ditor që prej mbërritjes së tyre (përjashtohen shoferat e kamionëve)”, thekson Ambasada greke.

“Personat të cilat shkelin masën e karantinës, përveç sanksioneve penale të parashikuara, dënohen me gjobë në masën 5.000 euro”, vijon njoftimi.

“Nga data 17 gusht deri më 31 gusht, të gjithë ata që hyjnë në Greqi duhet të paraqesin, testin negativ për COVID-19 (me metodën PCR), i cili duhet të jetë kryer deri 72 orë para mbërritjes në pikën e kalimit kufitar, nga laboratorët publike ose private të certifikuara në Shqipëri, (nuk vlen për shoferët e kamionëve që transportojnë mallra dhe fëmijët e lindur nga 2011 e tutje).

Vërtetim diagnozë në anglisht (në të cilën duhet të jenë të shënuara emri, mbiemri dhe numri i pasaportës / numri i kartës së identitetit të individit

Vërtetimin e plotësimit të formularit të posaçëm PLF, me kodin QR (nga adresa elektronike https://travel.gov.gr)”, thekson Ambasada greke.

“Ata që hyjnë në Greqi për udhëtime profesionale absolutisht të nevojshme dhe me pas dalin nga shteti grek, nuk do të mund të hyjnë përsëri në territorin grek deri më 31 gusht”, përfundon njoftimi i Ambasadës së Greqisë në Shqipëri.

Ora 16:18
Ministria e Jashtme: Në 4 orë kanë kaluar 1300 qytetarë në Kakavijë

Ministria e jashtme raporton se për 4 orë kanë kaluar mbi 1300 persona në pikën kufitare të Kakavijës. "Nga ora 14-18 kanë kaluar mbi 1300 persona", shkruan ministria e Jashtme.

Pas ngritjes së shqetësimit nga Report Tv janë vënë në lëvizje autoritetet për të zgjidhur problemin e qytetarëve, të cilët prej tre ditësh presin në rrugë për të kaluar në tokën greke.

Mes tyre ka shumë fëmijë, të moshuar dhe persona me probleme shëndetësore, që qëndrimi në rrugë prej tre ditësh ka vështirësues edhe më tepër gjendjen e tyre.

Ora 15:51
Kaosi në Kakavijë, Ministria e Jashtme: Pala greke rriti numrin e testimeve, në bisedime për zgjatjen e orarin e punës

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, ka bërë me dije se pas bisedimeve me palën greke është rritur numri i testimeve në 330 në orë. 

Fluksi i madh i qytetarëve që duan të kalojnë në Greqi ka bërë që radha e automjeteve të arrijë deri në 20 km. Qytetarët shqiptarë po qëndrojnë prej 3 ditësh në pritje për të kaluar në Greqi, mes vapës, mungesës së ushqimit dhe pa kushtet minimale të higjienës.

 Pas reagimeve të shumta të qytetarëve, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme tha se është vënë në kontakt me palën greke, për të bërë të mundur shtimin e testimeve të kryera në pikat kufitare prej 200 testimesh në orë. Ata thonë se pala greke e ka rritur numrin e testimeve në 330 në orë.

Pavarësisht kësaj radhët e gjata të qytetarëve kanë vazhduar për rreth 3 ditë. Ministria e Evropës dhe Punët e Jashtme  kanë thënë se janë në bisedime për të zgjatur orarin e punës në pikat kufitare, në mënyrë që qytetarët të mund të kalojnë edhe në orë e vona të natës.

Nga ana tjetër, Ministria e Shëndetësisë dhe Ministria e Mbrojtjes kanë vendosur në dispozicion të qytetarëve të bllokuar në radhë disa ekipe mjekësore dhe autoambulanca, si dhe shërbime higjenosanitare.

Ora 15:38
Të bllokuar prej 3 ditësh në Kakavijë, dërgohen ujë dhe ekipe mjekësore në ndihmë të qytetarëve! Xhaçka dhe Çako takim me autoritetet vendore dhe policisë në kufi

Situata e pazakontë në Kakavijë ka vënë në lëvizje emergjencat Civile dhe Forcat e Armatosura për t'u ardhur në ndihmë qytetarëve, të cilët prej tre ditësh vijojnë të jenë të bllokuar në rrugë, në pritje për të kaluar drejt territorit grek.

Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka dhe drejtori i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Haki Çako kanë mbërritur në pikën kufitare të Kakavijës për të diskutuar për gjetjen e zgjidhjeve për qytetarët, ndërsa nga ana tjetër Ministria e Jashtme është në bisedime me palën greke për të gjetur zgjidhjet për kalimin sa më të shpejtë të qytetarëve.

Xhaçka është takuar me kryebashkiakët e Gjirokastrës e Dropullit, prefektin dhe drejtuesit e policisë së qarkut, për gjetjen e zgjidhjes sa më shpejtë të qytetarëve që prej tre ditësh presin për të kaluar kufirin në kushte ekstreme në temperatura të larta, pa ujë dhe pa kushte higjienike.

Drejt Kakavijës kanë shkuar edhe automjetet e posaçme me 10 mije litra ujë dhe ekipe mjekësore e ambulanca për t'u ardhur në ndihmë qytetarëve të bllokuar. Për normalizimin e situatës dhe ardhur në ndihmë qytetarëve ndodhen dhe efektivë të Batalionit të Mbështetjes Rajonale të Forcave të Armatosura.

G.M.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • rezi: 15/08/2020 11:02

    E theksoj që është përgjegjësi e emigrantëve. Si në kohë pandemije marrin rrugën duke rrezikuar veten, familjen e të afërmit. C'i kushtonte të rrinin këtë verë me pushime atje ku punonin? C'na gjeti ne që nuk lëvizëm? Kur u nisën e pyetën qeverinë e vëndit që janë? Po rregullat e vëndit ku do vinin i lexuan? Ne nuk jemi mbyllur në Suedi, por qeveria dhe institucionet shëndetsore kanë këshilluar: MOS UDHËTONI NËSE S'E KENI DOMOSDOSHMËRI!Të gjithë kanë orientuar, pse shqiptarët nuk dëgjojnë? Si kujtoni se demokracia ndërtohet pa ligje? Secili shtet i mbylli kufijtë në kohë pandemije, do mbroj lirinë time thonë. Dhe media po bën punën e nxitjes së panikut në njerëz...më kujton 97-ën, kur TV-italiane klithnin se po fillon lufta civile, ishte kjo propogandë e dëshirë e Berishës, se atëherë s'kishe portale e TV të tjera, një TVSH për be që e përdorte Berisha si donte, edhe folësi kryesor ishte Asllan Bajrami. Media i hedh benzinë zjarrit duke mos qënë korrekt...prandaj emigrantë, rrini dhe ca ditë, erdhët që erdhët, e nisuni kur të jetë qetësuar situata, ose mos të vinit. Nuk mjaftoi tërmeti, pandemija por duhet tani dhe kjo katastrofë humanitare që e krijojnë vetë shqiptarët që shkelin rregullat e pastaj duan shteti t'i japë zgjidhje.

    Përgjigju
  • Daku: 15/08/2020 08:21

    O shqiptar kok dru me pre...ktheu se more me qaf femijet se ju ne te semes nuk beheni njerez vini e hidhni shuren perpjet atje se ja u ka fain rama se ketu rini si kacaridha ndryshuat fe emra din e iman as greku su ka faj po u thot kaq veta do hyjn ne dit...c prisni o bageti. .hajdeni per dit nga kaq ..karantinen mbajeni dhe ndonje eu per testet ...koh per qef esht kjo ..u hengri bytha vet..tani paguani injorancen tuaj ..mjer femijet...

    Përgjigju
  • Tutu: 15/08/2020 08:09

    Shume mire e ka qeveria greke... mbron vendin e saj... cfaj kane greke qe fshataret shqiptare ( spirot, janet, vasilet etj...) duan te bejne pushime ne kohe pandemie.... le te rrijne rrugeve se mbase zene mend... mos ja vini fajin grekut....

    Përgjigju
  • Alb: 15/08/2020 00:33

    Greku ben ca ti doj t**pi se ka gjetur greku e nxjerr anen e vertet te shqiptarit dele qe rri ne rradh kilometrike popull pa gjak te njejten gje kan ber dhe politikanet keshtu qe 5 dit pritje jan pak krahasuar me 30 vjet tiu japi xhacka buk e djath dhe rrini prisni.

    Përgjigju
  • Lili: 14/08/2020 23:31

    Shqiptareve nuk po u mbarojne asnjehere vuajtjet

    Përgjigju
  • Emi: 14/08/2020 20:29

    Nuk na ka fajin greku, por tirana e korruptura si ka lan popullin ne rrug per 30 vjete.

    Përgjigju
    • Aurelio: 15/08/2020 00:42

      jo jo e ke gabim ka faj ene greku biles shume fare, por ke te drejte per tiranen 30vjecare te korruptuar.Problemi qendron qe populli deshironte demokraci dmth liri.

    • nik: 14/08/2020 22:34

      ki te drejt, po te ishte luli ne pushtet shqiperia do quhej greqi dhe sdo kishte kufi mes dy shteteve. edi rama e ka fajin se greku mbyll kufijt

  • Bruno: 14/08/2020 20:10

    Kjo qeveria jone qe po bisedon me palen greke sikur te punonte pak per ekonomine e vendit do te ishte shume me mire. Ndoshta nuk do te kishte kaq shume njerez qe ikin. Shpresojme qe mos te na kerkoje ministria demshperblim se i prishem pushimet.

    Përgjigju
  • Emigranti: 14/08/2020 20:08

    Popull injorant,kudo qe shkon neper Europe nuk behet kurr njeri.Kush i tha te ikin me pushime kur njohin gjendjen ku ndodhet e gjith bota.Aty ngodhni gjith te rritur e femij.Kur nuk i doni femijet tuaj ju do ti doj shteti? Gjith kemi deshir te ikim me pushime ne Shqiperi po situata na beri te qendrojm ku jetojme.Kurr mos e vefshi me kemben ne Shqiperi se nuk i mungoni askujt.

    Përgjigju
  • albfire: 14/08/2020 19:48

    "Mos më shkeltë kurrë këmba në Shqipëri"!!!! Mire ky qenka gomar dhe aq tru ka qe thote kete, po dhe ju gazetaret qe e shfaqni si lajm nuk qenkeni shume mbrapa. Gazetari e cila le shume per te deshiruar pasi sherben vetem si megafon.

    Përgjigju
  • Albania: 14/08/2020 18:34

    Kur mos t shkelt vlla... sta ka fajin shqiptaria. Ta la fajin ai qe t perdor si skllav e te la injorant...... greku vllai

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?