Rakacolli në ‘Studio Live’: ‘Delta’ dhe ‘Omicron’ variantet dominuese në vend! Po infektohen të rinjtë dhe fëmijët! Të respektojnë masat anti-COVID! Ndryshime në varësi të situatës

13 Janar 2022, 17:30| Përditesimi: 13 Janar 2022, 17:38

  • Share

Komiteti Teknik i Ekspertëve është mbledhur sot për të bërë një bilanc mbi shifrat e infektimeve dhe masat anti-COVID, të cilët mbetën të pandryshuara. Kryetarja e këtij komiteti, Mira Rakacolli foli këtë pasdite për situatën në ‘Studio Live’ për gazetarët Migena Sotiri dhe Arbër Hitaj në Report Tv.

Teksa vendi ynë po përballet me shtim të infektimeve dhe masat anti-COVID nuk ndryshohen, Rakacolli tha se nuk është vetëm numri i rasteve të reja që vendos ndryshimin e masave. Ajo theksoi se është ndërthurja me rastet e reja dhe atyre që kërkojnë kujdes spitalor dhe kujdes intensiv, duke mos përjashtuar numrin e viktimave.

“Komiteti Teknik ndjek çdo ditë situatën. Kemi vënë re që numri i atyre që kanë nevojë për kujdes spitalor dhe intensiv ka mbetur pak a shumë në të njëjtin nivel. Omicron ka infektueshmëri më të lartë por ka simptoma më të lehta. Popullsia në përgjithësi është e vaksinuar, njerëzit nuk përfundojnë nëpër spitale apo më keq, në kujdes intensiv. Me këto shifra s’kishte vend për një masë që të çojë në parandalim të infektimeve. Merren masa, por mendojmë se çfarë do na sjellë kjo masë që vendosim”-tha Rakacolli.

Kryetarja e Komitetin Teknik të Ekspertëve, nuk përjashtoi mundësinë që këto masa të ndryshojnë në ditët në vijim, në varësi të situatës duke iu referuar shifrave të shtrimeve në kujdesin intensiv dhe viktimave.

“Në përhapjen e infektimeve ka të bëjë respektimi i masave. Ne ngulojmë tek kjo pjesë. Nëse nuk zbatohen nuk janë përgjegjësi vetëm e sistemit shëndetësor. Sot kemi dhënë shifrat në mbledhjen e Komitetit. Sa kontrolle nga fund-gushti, janë vënë gjoba dhe mbi 200 subjekte kanë masë penaliteti të rëndë, që është pezullimi i aktivitetit. Nuk është kjo zgjidhja, nëse kërkojmë zbatimin e maskës në supermarket, e ka qytetari, e mban tek mjekra, njësoj si nuk e ka fare.”-tha Rakacolli.

Sipas saj zgjidhja është që qytetarët të sensibilizohen të mbajnë maskat në ambiente publike dhe të respektojnë të gjitha masat anti-COVID.

“Në asnjë vend të botës masat nuk mbahen vetëm në bazë të kontrolleve të sistemeve shëndetësore, duhet sensibilizim më i madh nga qytetarët”-tha ajo.

E pyetur për shtimin e infektimeve tek moshat e reja dhe tek fëmijët, Rakacolli pohosi se ato janë rritur.

“Pediatret e shpjegojnë se virusi shumëzohet shpejt dhe vetë fëmijët e kanë frymëmarrjen më të shpeshtë. Fiziologjikisht janë të predispozuar për të marrë virusin. Nuk ka forma të rënda. Vitin e kaluar kemi pasur më pak infeksione por forma më të rënda te fëmijët.”-theksoi Rakacolli.

Ndërsa për variantin dominues të koronavirusit në Shqipëri, Rakacolli deklaroi se tashmë kemi edhe variantin Delta dhe Omicron, i cili po merr terren.

“Jemi në një valë infektimi për shkak se Omicron përhapet shpejt. Por edhe sa vlerë kanë masat mbrojtëse dhe vaksinat. Ata që kanë qenë të vaksinuar nuk kanë përfunduar në kujdesin intensiv apo humbje jete. E sigurt që vaksinimi të mbron. Vaksinimet janë shtuar shumë. Është vënë re që infeksionet janë të rritura nga grupmoshat e reja, 25-48 vjeç.”-përfundoi Rakacolli.

Edhe pse thonë se jemi në pikun e infektimeve, Komiteti Teknik i Ekspertëve sot nuk i shtrëngoi masat anti-Covid në Shqipëri. Autoritetet shëndetësore thanë se tani kemi numrin më të lartë të fëmijëve të prekur me Covid, ndërsa janë vaksinuar me 3 doza 7.7% e popullsisë dhe me dy doza 47.3 % nga grupet e rrezikuara.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?