Deputeti Ralf Gjoni përshëndeti nismën e Report Tv për sensibilizimin për mbajtjen e maskës për të parandaluar përhapjen e COVID-it. Në një intervistë me moderatoren Aida Tancica, Gjoni u shpreh se është në gjendje të mirë shëndetësore, ndërsa dyshon se u infektua në zyrat e parlamentit. Ai përshëndeti votimin sot në Kuvend për hapjen e listave.
"Jam ok-ej, po kaloj një formë të lehtë të virusit, duhet të jem me fat falë imunitetit, por duhet të kalojë i gjithë cikli 14 ditor për të bërë testin tjetër. Jam i qetë për ta mundur këtë virus, po mundohem të mos marr asnjë ilaç. Ju përgëzoj juve për nismën tuaj dhe për maskat që po i reklamoni dhe po i sensibilizoni qytetarët, por e rëndësishme është që qytetarët duhet të jenë shumë herë më të përgjegjshëm, pasi ka një përhapje të frikshme.
Në dy javët në vazhdim do të shikojmë një shifër rekord numrat. Prandaj nëse keni gricje të fytit, debulesë, zënie hundësh, etj, mos e neglizhoni, kërkoni që të bëni tamponin dhe izolohuni. Është e vështirë ta lokalizoj infektimin, besoj se jam infektuar nga fillimi i javës së kaluar në zyrat e parlamentit, por nuk e them me siguri, me shumë gjasa.
Kam qenë shumë i kujdesshëm, por mesa duket nuk i shpëtova. Dita e diel më bëri të dyshoj, kisha gricje fyti dhe pak temperaturë dhe isha me 20% të kapacitetit të nuhatjes. Kërkova të bëj tamponin si një siguri për ta pasur përgjigjen negative për të qenë në seancë, prisja të vinte përgjigja negative.
Nuk e donte fati të isha në Kuvend për të votuar për hapjen e listave që e kisha kauz. Doja të votoja, por rregulloja nuk e lejonte votimin në distancë. Sot u zhbë masakra e 2008. I hapet rrugë ndryshimit të kodit zgjedhor nga shtatori e tutje, që shqiptarët të vendosin se kush do të jetë në parlamentin e ardhshëm. Turp për të gjithë ata që votuan kundër" tha ai.
Lajmi kryesor:
Sensibilizimi kundër COVID-it/ Edhe sot stafi i Report Tv me maskë në ekrane, mbaje edhe ti!
//ReportTv.al