Kryeministri Edi Rama, në fund të fjalës së tij, sqaroi pensionistët se indeksimi nuk kishte lidhje me rritjen e pensioneve dhe ishin gjëra të ndryshme, duke iu referuar fytyrave të tyre të mërzitura në nisje të bashkëbisedimit, siç e cilësoi.
Ai shpjegoi se indeksimi është proces që bëhet herë pas here dhe rritja e pensioneve është diçka tjetër që e bën dhe do e bëjë qeveria. Rama shpjegoi se indeksimi është diçka që u takon pensionistëve, pavarësisht çfarë bën ekzekutivi.
Madje nuk mungoi edhe një batutë para tyre për moshën e tij dhe këshilloi që pensionistët të mos ndjekin emisione në televizor e të mos dëgjojnë opinionistë dhe analistë që “shesin sapunin për djathë”.
Rama tha:
“Jemi më të shtrenjtët e mi, se po i afrohem edhe unë kohës kur do ulem me ta, në atë anë. Ai që dëgjoni është tym dhe helm. Ju jeni ekspertët më të mirë të politikës dhe e kuptoni shumë mirë. Mos shikoni debatet në televizor, mos shikoni politikën, bëni gjëra më të hajrit në atë orë, sepse në Shqipëri ka një masë që është problem për pensionet, por garanci për politikën.
Se nuk ka analist dhe opinionist e ça të doni ju, që s’ua shet sapunin për djathë. Ato fjalë që bëjnë zhurmë nëpër ekrane i merr era, e nuk ngjisin gjëkundi dhe këtë s’kuptojnë ata dhe më mirë që nuk e kuptojnë. Ju e dini që unë çdo fjalë që jap, e mas. Shpresoj të dilni më të qeshur sesa erdhët, se pashë që kishit indeksimin në kokë dhe po më shikoni si njeriu që ju tregoi llafe dhe s’ju rriti pensionin.
Indeksimin e ka ligji, është 100 mln euro, një herë 4,1, një herë 3,1, por e ka ligji. E kemi bërë edhe 2 herë brenda vitit, sepse pati zhvillime nga lufta. Ne do dalim të flasim kur kemi gjëra për të thënë dhe jo kot.
Por u them pensionistëve se 4,1 përqindshi s’ka lidhje fare, është gjë tjetër dhe s’ka të bëjë me atë çfarë bën qeveria. Rritja e pensioneve është gjë tjetër, indeksimi tjetër. Jemi këtu për atë që bëjmë ne, jo për indeksimin dhe do flasim me të gjithë pensionistët me takime e t’ua shpjegojmë një më një”.
Lajmi kryesor:
Rama për skemën e pensioneve: Situata njësoj si me energjinë elektrike, gjysma paguan për gjysmën tjetër! Do ndërhyjmë fort, pagat joreale janë krim e vjedhje
A.Q//ReportTv.al