Në mbledhjen e parë të qeverisë së re, kryeministri Edi Rama tha se të gjitha dhuratat protokollare do të inventarizohen. Para ministrave ai u shpreh se dhuratat e delegacioneve apo të individëve, nëse kalojnë një vlerë të caktuar, ose do të shërbejnë për dekor në zyrat e ministrave, ose do të dorëzohen në muzeun e dhuratave protokollare. Sipas Ramës, populli shqiptar nuk i ka borxh kapadaillëkun shefave të lloj-llojshëm.
"Kryeministria ka një magazinë ku ruhen të gjitha dhuratat, pavarësisht vlerës së tyre monetare. Deri në 2013 nuk u la në këtë godinë asnjë dhuratë protokollare, madje kanë marrë edhe plot gjëra nga ato që kanë gjetur këtu, piktura, ambazhurë, karrige, pjata, pirunj, filxhanë e me radhë. Detyrimi për t'i inventarizuar dhuratat të delegacioneve të çfardo natyre apo ato të individëve që kalojnë një vlerë të caktuar monetare, ose duhet të qëndrojnë si pjesë e dekorit të zyrës tuaj ose duhen dorëzuar në muzeun e dhuratave protokollare. Duken gjëra të vogla, por këto janë norma që janë zbatuar në çdo shtet. Kodet do të vlejnë edhe për ministrat. Ky popull nuk i ka borxh asnjë përfaqësuesi të lartë të administratës shtetëror kapadajllëkun publik të shefave të lloj-llojshëm në territor. Çdo komunikim publik duhet të kryhet në koordinim me kryeministrinë. Na kanë vrarë sytë disa raste të patolerueshme drejtorësh që organizojnë mbrëmje dëfrimi me kolektivin, por nuk mund të organizohen me fondet e drejtorive", tha Rama.
Lajmi kryesor:
Betohen në Presidencë, Qeveria fillon zyrtarisht punën! Rama i vendos 'vijat e kuqe' ministrave: Zero tolerancë për shkeljet etike, s'ka më 'e lagu s'e lagu' me opozitën! Më shumë respekt Kuvendit
//ReportTv.al