Kryeministri Edi Rama thotë duhet krijuar një vijë e padukshme që 70% e hapësirave publike të jenë për qytetarët dhe 30% për bizneset. Ai theksoi gjithashtu se shpreson që pushteti vendor u ka marrë bizneseve taksat për zaptimin e këtyre hapësirave deri më tani.
“Nuk do të shkojmë në ekstreme të kësaj natyre dhe do të arrijmë të krijojmë një vijë të padukshme por të pranuar nga të gjithë ku 70%, parimisht, se mund të jetë 65%, 80%, 70% e trotuarit të jetë e lirë për njerëzit dhe 30% për karriget e shërbimin jashtë. Si të gjitha vendet mesdhetare është komplet e natyrshme që të shërbehet edhe jashtë. Por nga ana tjetër, ajo që është e shëmtuar është që këto shërbime të kthehen në zaptime, presion dhe pamundësi për komunitetin për të pasur pjesën e vet normale të jetës. Sa i përket teorisë të turistëve është teori kot, që nuk ka vlerë.
Kush ishte qeveria që e lejoi këtë zaptim? Nuk është qeveria që merret me karriget dhe tavolinat. Jemi në kushtet e një mobilizimi për t’u dhënë një përgjigje shteruese shqetësimit të qytëetarëve të panumërt në qytete të mëdha, të vënë re gjatë fushatës, për asfiksimin e hapësirave publike si pasojë e karrigeve, çadrave, barrikadave. Nga ana tjetër, u morën taksat. Shpresoj të jenë marrë taksat për çdo metër katror zaptuar. Do të ishte gjysma e së keqes, që të paktën të ketë përfituar pushteti vendor të gjitha ato tarifa që burojnë nga çdo tavolinë.”, u shpreh Rama.
Lajmi kryesor:
Aksioni për hapësirat publike, Rama: Kontroll territorit me dron! Bankers? Prokuroria t’i nxjerrë ujin e zi, na detyrohen 240 mln euro
Xh.D/ReportTv.al
