Politikë

Rama: Duke votuar për Shqipërinë në BE, garantoni reformën në drejtësi? Nëse ne s’e donim SPAK, pse ia dhamë ‘kodet e shtëpisë’? Bufi 80-vjeçar do që ta bëjë përsëri çorap vendin

24 Prill, 18:08| Përditesimi: 24 Prill, 18:51

  • Share

 

Kryeministri Edi Rama tha se vetëm PS e arriti reformën në drejtësi dhe i dha shpatën SPAK-ut, atë prokurori që nuk e njihte kush deri më sot.

Ai u shpreh se shqiptarët për ta garantuar këtë reformë në drejtësi që bëri PS, duhet të japin votën më 11 maj për anëtarësimin në BE, sepse kështu as bufi dhe as këneta nuk e shkrijnë dot më.

Me pyetje retorike iu drejtua publikut se nëse qeveria e tij është hajdute, përse do ia jepte “kodet e shtëpisë” SPAK-ut?

Ai theksoi se Altin Dumanin e bëri mazhoranca të njohur, pasi prokuror ishte edhe në kohën e “bufit të kënetës” dhe nuk guxonte të thërriste për të pyetur pushtetarët e lartë, e jo më t’i arrestonte e çonte në gjykatë.

“Nga regjimi, mbretëria, komunizmi e demokracia, shpata e drejtësisë qëndroi te zyra e të parit, te ajo zyrë ku jam unë sot, e atë shpatë ne ia dorëzuam drejtësisë. Se sot dalin ata kua-kuatë e kënetave nëpër frëngjitë e emisioneve dhe thonë filloi Rama prapë me kënetë, bufi, tallavaja, tepsia. Kur unë u thosha që ma jepni timonin ta bëjmë drejtësinë pa të tjerë në prehër se nuk e bëjmë dot drejtësinë me të që të godasë majtas e djathtas. Për këtë e kërkova në 2017 timonin vetëm dhe ishin këta që më 2017 këta nuk donin të hynin në zgjedhje, sepse nuk donin drejtësinë. Kunjat e çadrës i mbante hapur Luli që drejtohej nga bufi i kënetës, që nuk donin që të arrihej kjo që bëmë ne sot. Ata dhe këta të tjerët, që çorodisin popullin shqiptar e thonë s’mund të votohen këta, janë hajdutë, kanë gjysmën e qeverisë në burg. Keni parë ju hajdut që jo vetëm pranoi, por edhe dorëzoi të gjitha kodet e shtëpisë drejtësisë? Ne nuk kemi gjysmën e qeverisë në burg, por kemi disa të cilët nga 12 vite në tre mandate kanë pasur role dhe kanë hasur në probleme me drejtësinë dhe për këtë ne duhet të ulim kokën?”, u shpreh ai.

Teksa shprehu keqardhje për njerëzit e mazhorancës që kanë probleme me drejtësinë, Rama nënvizoi se ky është një detyrim që ia ka Shqipërisë dhe shqiptarëve për ta çuar vendin në BE, për barazi para ligjit.

“Mua me vjen keq njerëzisht, por përballë shqiptarëve që më kanë votuar janë ballëlart, se s’ua kam marrë votën për gjoja që të bëj drejtësinë apo që ta përdor drejtësinë për të goditur kundërshtarët etj. Edhe te shtëpia jonë, duke e pastruar, rinuar e ndërruar gjakun, e deri te drejtësia, sepse ne nuk mund të bëjmë sikur ndryshojmë. Barazia para ligjit s’është parullë, por përpjekje, jo për ata që s’kanë asgjë në dorë, por për ata që kanë pushtet. Nëse ka një arsye pse duhet votuar PS, është pikërisht kjo që ata thonë se PS nuk u dashka votuar. E për të gjitha këto ne jemi te pragu i Europës, ndaj na respekton BE-ja neve, e na vlerëson dhe beson”, tha ai.

Teksa iu kthye historisë me kreun e SPAK, kujtoi se këneta dhe bufi vetëm pak vite më parë vranë jo një herë, por disa herë dhe madje poshtë zyrës së kryeministrisë, duke bërë edhe analogji.

“E dini ju kush është Altin Dumani sot? Një prokuror me integritet dhe kurajo, që drejton një strukturë që ka mbështetje të madhe, megjithë të metat që ka, që të vendosi drejtësi para ligjit. Si po e bën? Me shpatën që i dhamë e i dorëzuam ne. Dumani nuk është 20 vjeç, nuk e di sesa vjeç është, ia kishte dëgjuar njeri emrin, unë s’e dija se ekzistonte Altin Dumani. Kishte thirrur ndonjëherë ky prokuror kurajoz me integritet një politikan a zyrtar me pushtet? Le më ta çonte në gjykatë. Jo! Sepse Altin Dumani atëkohë kishte njerëz të çarmatosur, e që ata sot, këneta me kua-kua kuatë, që i tregon popullit përralla që nuk i ha njeri, ata që dikur pengonin drejtësinë, vite më parë, vrisnin, kanë vrarë njerëz, vranë disa herë, jo në të njëjtën kohë, në kohë të ndryshme, disa herë, edhe poshtë dritares së kryeministrisë. Imagjinoni ju kur ai vriste protestues poshtë zyrës, Altin Dumani të çonte njerëz për të arrestuar njerëzit e mi e unë të dilja ta sulmoja Dumanin, ta pengoja e të dilja e të thosha se prokurori është lavire bulevardi, siç bëri bufi i kënetës. E nuk janë shumë vite larg, ndodhi para pak vitesh. Pse duket kjo sikur është histori kaq e largët, sa edhe bufi i kënetës duket sikur s’ka lidhje me atë histori? Sepse ne në 12 vite kemi ndërtuar një Shqipëri tjetër”, shpjegoi kryeministri.

Ai pranoi se vendi ka ende probleme, por situata ka ndryshuar, teksa vetëm anëtarësimi në BE e garanton reformën në drejtësi dhe këneta nuk e prek dot më apo ta zhbëjë.

“Kjo është një Shqipëri ka ende probleme, se patjetër ka nevojë për rrugë dhe gjëra të tjera, ku nëse ne do ishim në detyrë më parë, ne nuk do kishim probleme. Por në 12 vjet kemi bërë atë që asnjë parti tjetër nuk e ka bërë më parë. Ne kemi qenë këtu kur gjysma e popullit inkurajonte gjysmën tjetër që të vidhte, e imagjinoni ju këtu në Gramsh të ndodhte kjo, të vidhej gjysma. Por sot kemi situatë ndryshe, ku Altin Dumani me reformën që bëmë ne e garanton kjo reformë që bëmë ne së bashku. Vetëm ne e garantojmë dhe jo këneta bashkë me bufin dhe bretkosat e kënetës që bëjnë kua-kua gjithë mbrëmjen, e thonë se do shkrij SPAK-un, e dëgjoni, do e shkrij thotë. Por barazia para ligjit në këtë vend nuk i lihet as qeverisë e as të parit të qeverisë, se nesër vjen një tjetër dhe e kthen pas. Ka vetëm një mënyrë, që të gjithë shqiptarët të mos spërdridhen më e të kthejnë kokën pas, që t’ju kthejnë ju mbrapa, është Shqipëria në BE. E futët Shqipërinë në BE, nuk guxon më njeri ta preku atë, barazinë para ligjit dhe drejtësinë”, vijoi ai.

Rama foli edhe për të ardhmen e vendin në BE dhe heqjen e çdo vuajtjeje të emigrantëve për punë e pensione.

“Imagjinoni sikur brenda kësaj dekade bashkë me ne ju në Gramsh të festoni anëtarësimin si vendi i 28-të anëtar i BE, kjo është garancia se hyrja atje nuk të nxjerr më, ku Shqipëria bëhet sa BE dhe BE sa Shqipëria. Ju e shikoni sa vuajnë emigrantët në Greqi, nuk u njihet pensioni, ne po punojmë me ta për t’i njohur, e bëmë me Italinë. Kemi filluar, por do dojë shumë kohë, Greqia nuk është aq e fortë sa Italia. Por fati e do se e kemi ne në dorë tani këtë punë, të mos presim kur të bjerë dakord Greqia. Si e kemi në dorë? Duke votuar për BE-në më 11 maj. Pra pa qenë nevoja t’i shtrijmë dorën as bufit të kënetës, sepse hyrja atje nuk ka më nevojë përveç pasaportës shqiptare”, tha ai.

Rama u shpreh se Berisha kërkon ta kthejë vendin mbrapsht dhe ta bëjë çorap, ku synim ka që të zhbëjë edhe reformën në drejtësi. Ai këshilloi gramshiotët dhe shqiptarët që më 11 maj të votojnë për të ardhmen e Shqipërisë dhe jo për t’u kthyer përsëri mbrapsht.

“Janë disa çyrykë, se shqetësohen këta, se-pse nuk di se çfarë janë tjetër ata që votojnë kënetën dhe hidhe në kënetë. Jo, ka një pasaportë europiane që na barazon me europianët, ku mund të rrish në çdo shtet të Europës, të njihet e drejta e punës, merr pensionin, sigurime shëndetësore, e të gjitha këto me pasaportën shqiptare, por kjo vetëm duke marrë pasaportën europiane, që është anëtarësimi në BE.

Ndaj në 11 maj shqiptarët duhet të zgjedhin, mes momentit historik, amanetin e Skënderbeut e rilindësve, ose me hallin e një njeriu të vetëm, një 80-vjeçari që kërkon ta bëjë çorap Shqipërinë. O me ne së bashku, për të ardhmen e fëmijëve tanë, ose të ndarë për interesin e një familje të vetme. Ose me Shqipërinë në BE njëherë e përgjithmonë, ose me kënetën në gropë njëherë e përgjithmonë”.


Lajmi kryesor:

Rama në Gramsh: Nëse ne s'e donim SPAK-un, pse ia dhamë 'kodet e shtëpisë'? Këneta vrau disa herë, e Dumani s'thirri njeri! Me integrimin në BE, bufi s'e prek dot reformën


A.Q/r.k./ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    A besoni tek strategjia e SPAK për parandalimin e krimeve zgjedhore?