Kryesocialisti Edi Rama në kuadër të turit elektoral që pati sot në qarkun e Elbasanit, zhvilloi një takim edhe me qytetarët e Gramshit.
Në një sallë të mbushur plot, i shoqëruar nga drejtuesi politik Arbjan Mazniku, kandidatët dhe strukturat, kryesocialisti shprehej para takimit se vota për Shqipërinë ishte për BE-në.
“Voto 5! Për zgjedhjen e qartë dhe historike të 11 majit:
Mes interesit të një populli të tërë dhe hallit të një njeriu të vetëm; mes të mirës së një vendi të tërë dhe interesit të një familjeje të vetme; mes Shqipërisë me BE-në zonjë në Europë dhe Shqipërisë me Bufin e Kënetës prapë në gropë… Kush zgjedh të parën Shqipërinë voton 5”.
Kreu politik i qarkut, Mazniku, u shpreh se vetëm me Ramën vendi shkon në BE.
“Kemi një njeri që i ka lënë vend vetes, që mund ta çojë Shqipërinë në Europë, që i hap telefonin atyre që kanë nevojë dhe që ia hapin telefonin në Europë kur ëhstë nevoja. Jam i bindur se vetëm me Edi Ramën Shqipëria mund të shkojë në BE. Gramshi ka shumë sfida, edhe pse është bërë shumë për këtë zonë ndër vitet e qeverisjes. Do shtrojmë rrugët e fshatrave si në Lenie apo Skënderbegas, ura dhe ujësjellës nga Holta në Poroçan e Pishaj. Ujësjellësi i Kodovjatit dhe rrugë të kësaj zone. Këto bëhen vetëm me Edin, drejtuesin tonë”, tha Mazniku mes të tjerash.
Rama vuri theksin tek fakti se me anëtarësimin në BE të Shqipërisë, garantohej paprekshmëria e SPAK dhe reformës në drejtësi.
Ai solli në vëmendje se "këneta dhe bufi" vranë disa herë gjatë qeverisjes së tyre dhe Altin Dumani me prokurorët e tjerë që ishin të panjohur, nuk thirrën asnjë zyrtar e pushtetar për ta pyetur apo hetuar.
Kryesocialisti theksoi se qëllimi i Berishës ishte që ta bënte përsëri çorap Shqipërinë dhe të zhbënte reformën. Teksa këshilloi edhe burrat demokratë që të mbyllnin hundën që të mos u dukej era e kënetës parfum.
Kryesocialisti e nisi fjalën e tij duke folur për shndërrimin e Gramshit nga një qytet periferik të panjohur dhe vështirësisht të vizituar, në një atraksion turistik me rrugë të re dhe investime, teksa tha se po rilind edhe industria ushtarake me uzinën e armëve.
“Gramshi ka shumë potenciale. Po shohim se si Gramshi ka filluar të vizitohet, ajo perdja e hekurt që kishte rënë mbi Gramsh, ra me rrugën e re, me këtë zonë që dukej si në fund të botës. Bukuritë e kësaj zone kanë nisur të zbulohen. Ajo që do bëjmë është se do nxisim, mbështesim dhe zhvillojmë e hapim korridore e dyer mikëpritjeje. Do t’i bëjmë edhe ato rrugë e segmente që u përmenden, për të nxitur më tej turizmin, agro-turizmin dhe ekonominë, për bukuritë që ka Gramshi.
Kemi ndërmarrë e një hap tjetër, të rilindjes së industrisë sonë ushtarake. Gramshi ka traditë, mundësi dhe ne do vazhdojmë punën, kemi nisur diskutimet për disa pika në Shqipëri, edhe me kompani të huaja, e një prej tyre është në Gramsh, me vende pune e paga shumë të mira, që do e bëjmë realitet më herët sesa vonë”, u shpreh Rama.
Po pse 11 maji është ditë historike?
“Ajo që e bën 11 majin ditë historike nuk është fakti se populli shkon të votojë një herë në 4 vjet, edhe pse vota është e rëndësishme, ku vendoset opozita dhe qeverisja, këto janë ë rëndësishme, por më 11 maj populli duhet të marrë një vendim historik që nuk lidhet me të shkuarën, por me të ardhmen dhe historinë, me të parët tanë, ku kam parasysh Skënderbeun, Ismail Qemalin, rilindasit tanë që luftuan për një Shqipëri pjesë e Europës e jo e Azisë, pjesë e Perëndimit dhe jo e Lindjes, që shqiptarët që jetojnë në zemër të Europës të kenë të njëjtin status, të mos jenë popull i dorës së dytë, të mos trajtohen si të huaj, ku ndërkohë ne jemi një ndër popujt më të vjetër në vend”.
Kryesocialisti shpjegoi edhe momentin e fatit që po përjeton vendi me hapjen e derës nga BE-ja dhe që mund të mbyllet nëse nuk shfrytëzohet siç duhet.
“Kjo na ka ardhur ne, fati e desh, këmbëngulja jonë dhe gatishmëria e BE-së e dëshira e saj për të na e hapur ne derën e anëtarësimit. Por ajo derë nuk rri gjithë kohën hapur. 27 anëtarë brenda një familje të madhe, ku të gjithë duhet të bien dakort në të njëjtin moment, se mund të rrish me vite e dekada dhe dera nuk hapet. Nuk mjafton që ti të jesh gati, por edhe ajo familje të jetë gati për të të bërë pjesë e saj. Ne sot jemi gati për t’u bërë pjesë e asaj familjeje, por lajmi i mirë është që ajo familje është gati që ne të jemi pjesë e saj. Kjo nuk ka qenë e vërtetë deri më sot. Sepse gjithmonë na thoshin një ditë do vini etj., e të gjithë e kemi parë se kur Komisioni thoshte Shqipëria është gati, para ca vitesh, ata thoshin nuk jemi ne gati, njëri thoshte jo sot, tjetri s’jam gati etj”, tha kreu i mazhorancës.
Dhe këtë e ilustroi me vendet e tjera të rajonit që kanë mbetur pas dhe disa prej tyre u është mbyllur dera për shumë vite.
“Ndërkohë që sot jemi pranë, 3 vjet për të mbyllur negociatat, nisën më 2024 e mbyllen më 2027, për të plotësuar negociatat e mbyllur anëtarësimin. Negociatat janë 250 mijë faqe, rregulla, ligje, vendime e zbatime në vendime. Duhet t’i ndërmarrim ato ligje e përmbushim standardet, që t’i bindim se ne pushtetin e kemi njëlloj si ata. 1 mijë njerëz që kemi angazhuar për negociatat, të mos ndalen asnjë minutë. Që ne të realizojmë këtë duhet të bëjmë diçka që s’e ka pasur askush, një shans që nuk i është dhënë askujt, shans që të mbyllet në 3 vjet, që do të thotë se nuk duhet të humbim asnjë minutë. Nëse është përgjegjësia jonë që nuk jemi anëtarësuar në BE këto 3 mandate, si shpjegohet që Mali i Zi, që e nisi para nesh, nuk ka hyrë akoma në BE, që i hapi negociatat që në kohën e bufit të kënetës kur ishte këtu te ne. Po Serbia që i hapi në 2014, po Maqedonia e Veriut, që janë shumë mbrapa nesh, edhe pse i kanë hapur para nesh. Reputacioni i Shqipërisë ishte përtokë, copë-copë, mezi na shihnin me sy dikur. Kurse sot jemi te pragu i derës, bashkë me Malin e Zi. Ne kemi bërë atë që atë që ata që dalin në pasqyrat mediatike të moçaleve thonë se nuk kemi arritur asgjë. Ne kemi bërë atë që nga një vend që nuk shihej me sy e nuk mbështetej, të jemi të barabartë, të respektohemi, të ngremë kokën e të na shohin në sy”, shpjegoi Rama.
Kryesocialisti kujtoi edhe takimin e rëndësishëm, samitin e 16 majit që do mbahet në Tiranë dhe ku do mblidhen të gjithë liderët e Europës e Botës. Sipas tij, ky event gjeopolitik vjen sepse reputacioni i Shqipërisë është rritur dhe është bërë vend i besueshëm.
“E kemi bërë Shqipërinë një vend kur më 16 maj do mblidhet e gjithë Europa, udhëheqësit e saj në Tiranë, madje nga i gjithë globi, të parët e atyre vendeve do vijnë aty, te Skënderbeu. Si ndodhi kjo? Sepse ne i qëndruam atyre që thamë. Të parët që vendosëm atë që të tjerët kurrë nuk e bënë, që pasi mori pushtetin t’i japë drejtësisë shpatën, ta pavarësojë drejtësinë, e cila që nga 1912 kur u shpallëm shtet, drejtësia varej nga qeveria”, tha Rama.
Kryeministri Edi Rama e mbylli fjalimin e tij në Gramsh me një batutë dhe këshillë për burrat demokratë.
Ai apeloi që të votohej për Shqipërinë europiane më 11 maj dhe jo për kënetën, që të mendonin për të mirat ekonomike dhe të fëmijëve, sesa për tifozllikun partiak.
“Atyre që janë demokratë u them, demokratit nga Sulova psh:
Jeta jua mund të marrë kuptim tjetër, nëse Shqipëria bëhet anëtare e BE dhe lagja apo fshati jot bëhet lagje dhe fshat i Europës. Për bujqit e fermerët kemi marrë 200 mln euro ndihmë deri tani në total, kurse me hyrjen në BE marrim 300 mln euro çdo vit dhe kështu Sulova psh., të marrë pjesën e saj nga kjo ndihmë. Prindërve u them se nuk e di sesi mund ta hedhin votën e tyre në kënetë e të mos mendojnë për të ardhmen e fëmijëve”, u shpreh ai.
Dhe teksa shpjegonte se ky është moment historik si i vitit 1990, sugjeroi me batutë që ndryshe nga tre dekada më parë, këtë herë të mbyllin hundët dhe të votojnë PS-në dhe BE-në dhe jo për kënetën, që “të mos ju duket era e saj si parfum”.
“Vetëm me ne dera e Europës nuk mbyllet. Shumë nga ne më 1990 votuan për PD-në sepse nuk kishte tjetër, shqiptarët votuan për mbylljen e një kapaku të vjetër dhe hapjen e një të riu, PD u gjend aty në kohën e duhur. Ndaj demokratët duhet të mbyllin hundën dhe të votojnë PS-në më 11 maj për Shqipërinë në BE. Pse ta mbyllin hundën? Mbase nuk na e durojnë dot erën! Por të paktën duke e mbyllur hundën, nuk do u duket parfum era e kënetës”, përfundoi ai.
Kryeministri Edi Rama tha se vetëm PS e arriti reformën në drejtësi dhe i dha shpatën SPAK-ut, atë prokurori që nuk e njihte kush deri më sot.
Ai u shpreh se shqiptarët për ta garantuar këtë reformë në drejtësi që bëri PS, duhet të japin votën më 11 maj për anëtarësimin në BE, sepse kështu as bufi dhe as këneta nuk e shkrijnë dot më.
Me pyetje retorike iu drejtua publikut se nëse qeveria e tij është hajdute, përse do ia jepte “kodet e shtëpisë” SPAK-ut?
Ai theksoi se Altin Dumanin e bëri mazhoranca të njohur, pasi prokuror ishte edhe në kohën e “bufit të kënetës” dhe nuk guxonte të thërriste për të pyetur pushtetarët e lartë, e jo më t’i arrestonte e çonte në gjykatë.
“Nga regjimi, mbretëria, komunizmi e demokracia, shpata e drejtësisë qëndroi te zyra e të parit, te ajo zyrë ku jam unë sot, e atë shpatë ne ia dorëzuam drejtësisë. Se sot dalin ata kua-kuatë e kënetave nëpër frëngjitë e emisioneve dhe thonë filloi Rama prapë me kënetë, bufi, tallavaja, tepsia. Kur unë u thosha që ma jepni timonin ta bëjmë drejtësinë pa të tjerë në prehër se nuk e bëjmë dot drejtësinë me të që të godasë majtas e djathtas. Për këtë e kërkova në 2017 timonin vetëm dhe ishin këta që më 2017 këta nuk donin të hynin në zgjedhje, sepse nuk donin drejtësinë. Kunjat e çadrës i mbante hapur Luli që drejtohej nga bufi i kënetës, që nuk donin që të arrihej kjo që bëmë ne sot. Ata dhe këta të tjerët, që çorodisin popullin shqiptar e thonë s’mund të votohen këta, janë hajdutë, kanë gjysmën e qeverisë në burg. Keni parë ju hajdut që jo vetëm pranoi, por edhe dorëzoi të gjitha kodet e shtëpisë drejtësisë? Ne nuk kemi gjysmën e qeverisë në burg, por kemi disa të cilët nga 12 vite në tre mandate kanë pasur role dhe kanë hasur në probleme me drejtësinë dhe për këtë ne duhet të ulim kokën?”, u shpreh ai.
Teksa shprehu keqardhje për njerëzit e mazhorancës që kanë probleme me drejtësinë, Rama nënvizoi se ky është një detyrim që ia ka Shqipërisë dhe shqiptarëve për ta çuar vendin në BE, për barazi para ligjit.
“Mua me vjen keq njerëzisht, por përballë shqiptarëve që më kanë votuar janë ballëlart, se s’ua kam marrë votën për gjoja që të bëj drejtësinë apo që ta përdor drejtësinë për të goditur kundërshtarët etj. Edhe te shtëpia jonë, duke e pastruar, rinuar e ndërruar gjakun, e deri te drejtësia, sepse ne nuk mund të bëjmë sikur ndryshojmë. Barazia para ligjit s’është parullë, por përpjekje, jo për ata që s’kanë asgjë në dorë, por për ata që kanë pushtet. Nëse ka një arsye pse duhet votuar PS, është pikërisht kjo që ata thonë se PS nuk u dashka votuar. E për të gjitha këto ne jemi te pragu i Europës, ndaj na respekton BE-ja neve, e na vlerëson dhe beson”, tha ai.
Teksa iu kthye historisë me kreun e SPAK, kujtoi se këneta dhe bufi vetëm pak vite më parë vranë jo një herë, por disa herë dhe madje poshtë zyrës së kryeministrisë, duke bërë edhe analogji.
“E dini ju kush është Altin Dumani sot? Një prokuror me integritet dhe kurajo, që drejton një strukturë që ka mbështetje të madhe, megjithë të metat që ka, që të vendosi drejtësi para ligjit. Si po e bën? Me shpatën që i dhamë e i dorëzuam ne. Dumani nuk është 20 vjeç, nuk e di sesa vjeç është, ia kishte dëgjuar njeri emrin, unë s’e dija se ekzistonte Altin Dumani. Kishte thirrur ndonjëherë ky prokuror kurajoz me integritet një politikan a zyrtar me pushtet? Le më ta çonte në gjykatë. Jo! Sepse Altin Dumani atëkohë kishte njerëz të çarmatosur, e që ata sot, këneta me kua-kua kuatë, që i tregon popullit përralla që nuk i ha njeri, ata që dikur pengonin drejtësinë, vite më parë, vrisnin, kanë vrarë njerëz, vranë disa herë, jo në të njëjtën kohë, në kohë të ndryshme, disa herë, edhe poshtë dritares së kryeministrisë. Imagjinoni ju kur ai vriste protestues poshtë zyrës, Altin Dumani të çonte njerëz për të arrestuar njerëzit e mi e unë të dilja ta sulmoja Dumanin, ta pengoja e të dilja e të thosha se prokurori është lavire bulevardi, siç bëri bufi i kënetës. E nuk janë shumë vite larg, ndodhi para pak vitesh. Pse duket kjo sikur është histori kaq e largët, sa edhe bufi i kënetës duket sikur s’ka lidhje me atë histori? Sepse ne në 12 vite kemi ndërtuar një Shqipëri tjetër”, shpjegoi kryeministri.
Ai pranoi se vendi ka ende probleme, por situata ka ndryshuar, teksa vetëm anëtarësimi në BE e garanton reformën në drejtësi dhe këneta nuk e prek dot më apo ta zhbëjë.
“Kjo është një Shqipëri ka ende probleme, se patjetër ka nevojë për rrugë dhe gjëra të tjera, ku nëse ne do ishim në detyrë më parë, ne nuk do kishim probleme. Por në 12 vjet kemi bërë atë që asnjë parti tjetër nuk e ka bërë më parë. Ne kemi qenë këtu kur gjysma e popullit inkurajonte gjysmën tjetër që të vidhte, e imagjinoni ju këtu në Gramsh të ndodhte kjo, të vidhej gjysma. Por sot kemi situatë ndryshe, ku Altin Dumani me reformën që bëmë ne e garanton kjo reformë që bëmë ne së bashku. Vetëm ne e garantojmë dhe jo këneta bashkë me bufin dhe bretkosat e kënetës që bëjnë kua-kua gjithë mbrëmjen, e thonë se do shkrij SPAK-un, e dëgjoni, do e shkrij thotë. Por barazia para ligjit në këtë vend nuk i lihet as qeverisë e as të parit të qeverisë, se nesër vjen një tjetër dhe e kthen pas. Ka vetëm një mënyrë, që të gjithë shqiptarët të mos spërdridhen më e të kthejnë kokën pas, që t’ju kthejnë ju mbrapa, është Shqipëria në BE. E futët Shqipërinë në BE, nuk guxon më njeri ta preku atë, barazinë para ligjit dhe drejtësinë”, vijoi ai.
Rama foli edhe për të ardhmen e vendin në BE dhe heqjen e çdo vuajtjeje të emigrantëve për punë e pensione.
“Imagjinoni sikur brenda kësaj dekade bashkë me ne ju në Gramsh të festoni anëtarësimin si vendi i 28-të anëtar i BE, kjo është garancia se hyrja atje nuk të nxjerr më, ku Shqipëria bëhet sa BE dhe BE sa Shqipëria. Ju e shikoni sa vuajnë emigrantët në Greqi, nuk u njihet pensioni, ne po punojmë me ta për t’i njohur, e bëmë me Italinë. Kemi filluar, por do dojë shumë kohë, Greqia nuk është aq e fortë sa Italia. Por fati e do se e kemi ne në dorë tani këtë punë, të mos presim kur të bjerë dakord Greqia. Si e kemi në dorë? Duke votuar për BE-në më 11 maj. Pra pa qenë nevoja t’i shtrijmë dorën as bufit të kënetës, sepse hyrja atje nuk ka më nevojë përveç pasaportës shqiptare”, tha ai.
Rama u shpreh se Berisha kërkon ta kthejë vendin mbrapsht dhe ta bëjë çorap, ku synim ka që të zhbëjë edhe reformën në drejtësi. Ai këshilloi gramshiotët dhe shqiptarët që më 11 maj të votojnë për të ardhmen e Shqipërisë dhe jo për t’u kthyer përsëri mbrapsht.
“Janë disa çyrykë, se shqetësohen këta, se-pse nuk di se çfarë janë tjetër ata që votojnë kënetën dhe hidhe në kënetë. Jo, ka një pasaportë europiane që na barazon me europianët, ku mund të rrish në çdo shtet të Europës, të njihet e drejta e punës, merr pensionin, sigurime shëndetësore, e të gjitha këto me pasaportën shqiptare, por kjo vetëm duke marrë pasaportën europiane, që është anëtarësimi në BE.
Ndaj në 11 maj shqiptarët duhet të zgjedhin, mes momentit historik, amanetin e Skënderbeut e rilindësve, ose me hallin e një njeriu të vetëm, një 80-vjeçari që kërkon ta bëjë çorap Shqipërinë. O me ne së bashku, për të ardhmen e fëmijëve tanë, ose të ndarë për interesin e një familje të vetme. Ose me Shqipërinë në BE njëherë e përgjithmonë, ose me kënetën në gropë njëherë e përgjithmonë”.
Komente
