Kryeministri Edi Rama tha se masat e reja kundër zjarrvënësve janë gati dhe pritet të hidhen për konsultim publik. Ai njoftoi gjithashtu edhe rritje të pagave të zjarrfikësve me të njëjtën formulë si për Forcat e Armatosura. Kreu i qeverisë pranon se pagat e zjarrfikësve nuk i përgjigjen lartësisë së detyrës së tyre, ndaj do t'i nënshtrohen rritjes së vazhdueshme të pagave.
“Te zjarret klima ka ndikimin e vet të madh. Por ana tjetër e medaljes janë zjarrvënësit, të cilët do të kemi shtrëngim të ri në Kodin Penal. Është përgatitur dhe do të kalojë për konsultim publik bashkë me masat e tjera që lidhen me aktivitetet e paligjshme në dëm të territorit e pronës publike dhe ndërtimet e paligjshme. Së dyti, dua të nënvizoj që siç e kam thënë edhe më parë, por edhe e kam shpjeguar në përcaktimin e prioriteteve të ministrisë së Brendshme, zjarrfikësit do të kalojnë në një nivel tërësisht tjetër vëmendjeje, trajtimi dhe mbështetjeje. Do të thotë që ndër të tjera, zjarrfikësit do të përfshihen në formulën e rritjes së pagave të FA, që sot janë dëshmitare të një rritjeje të vazhdueshme dhe të qëndrueshme të pagave me synimin që në Shqipsërinë 2030, ne të kemi një forcë të armatosur të Shqipërisë në mesataren e pagave të NATO-s.
Synim ambicioz për të realizueshëm, sot kemi FA më të mirëpaguara të rajonit. Në këtë formulë do të fusim edhe zjarrfikësit, që do të bëjmë rritje të vazhdueshme të pagës, shumë e rëndësishme dhe të domosdoshme. Çdo stinë vere, pagat e tyre nuk i përgjigjen lartësisë së kësaj sfide. Është një plan i tërë për modernizimin e mëtejshëm dhe rritjen e kapaciteteve të gjithë trupës tonë të zjarrfikësve. Për këtë arsye, unë kam shumë besim që ky vit, deri në përballjen e ardhshme, do të jetë kyç për një performancë më të mirë në territor, ku jo vetëm shpirti i sakrificës, ndjenja e fuqishme e shërbimit që i kanë karakterizuar për hir të së vërtetës të gjithë djemtë, edhe ndonjë vajzë, në këtë përballje, por edhe aftësitë teknike, mbështetja me teknologji, mjete që të jenë në një nivel që rritet vit pas viti.”, tha Rama.
Lajmi kryesor:
Rama: Në tokat e djegura s'ka leje ndërtimi për 30 vite, i rimbjellim përmes dronëve! Dëmshpërblim për dëmet nga zjarri, sigurimi i banesave e bizneseve me ligj nga fatkeqësitë natyrore
Xh.D/r.k./ReportTv.al