Kryeministri Edi Rama, gjatë bashkëbisedimit me ndjekësit, nuk kurseu ironinë ndaj Ilir Vrenozit, pas ofendimeve të këtij të fundit gjatë një takimi elektoral të PD në Korçë. Rama e cilësoi sërish Vrenozin si liderin e vërtetë të PD-së, duke ironizuar se shumë u ekzaltuan me fjalët e ulëta të përdorura në miting.
"Dhe këta që pastaj për të treguar që këta janë shumë të revoltuar çfarë bëjnë? Shkojnë në Korçën e Kulturës, në Korçën e ballove, në Korçën që quhej Paris i vogël pikërisht për këto arsye dhe aty e merr fjalën lideri i vërtete i tyre, Ilir Vrenozi. Juve mendoni që unë bëj shaka, unë s’bëj shaka fare. Lideri i tyre i vërtetë është Ilir Vrenozi dhe për të treguar sesa gabim kam bërë unë, shfrenojnë gjuhën në një farë feje që s’merret njeri. Nuk e thotë njeri “si mundet një parti politike të mblidhet të bëjë miting dhe të ekzaltohet mes fjalëve më të ulëta të shqipes të ulëritura në mexhlis, si është e mundur? Këto janë historitë banale të këtyre ditëve. Ndërkohë që unë jam këtu për të parë sy më sy të tërë dhe për t'ju thënë që nuk është aspak e vërtetë që kjo na qenka një fushatë pa tema, pa çështje, kjo është fushatë me një çështje shumë të madhe kombëtare thelbësore, që është takimi me historinë në 11 maj, që është mundësia historike që ne kemi, fati ynë që janë përputhur yjet të Shqipërisë dhe të BE për të përmbyllur një histori të pafundme drejt shkrirjes së plotë me Evropën, për të qenë më në fund Europë me ligj e me zakon.", tha Rama.
Më tej, duke iu përgjigjur një komentuesi për gjuhën që përdor vetë ai, Rama tha se ai përdor sarkazëm dhe jo fyerje, ndërsa shtoi se 'gjuhën e ka shpatë, jo pelte', të cilën e ka mësuar nga Fan Noli e Faiki Konica. Rama tha se vë bast nëse do të dalë dikush e të thotë që ai përdor terma të papranueshme, ndryshe nga të tjerët që flasin me fjalë si 'hajdut, kriminel, mafioz, e vrasës' që kanë të bëjnë me akuza penale.
"Këta që ankohen për gjuhën time se iu djeg, ju djeg se natyrisht unë gjuhën e kam shpatë nuk e kam pelte, jam shpatë, por ama është gjuha që kam mësuar nga mësuesit e mi dhe mësuesit e mi janë Fan Noli, Faik Konica, janë ata shpatarët e mëdhenj të gjuhës shqipe. Ama unë në 20 e kusur vite në këtë arenë kurrë si kam thënë njeriut hajdut, kriminel, mafjoz, vrasës, se këto janë akuza penale. Nuk luftohet me akuza penale në mexhlisin politik. Metafora patjetër, sarkazëm sa të duash dhe jam gati të vë bast me këtë të dojë që asnjë fjalim i imi, asnjë replikë e imja në parlament nuk do ishte e papranueshme në arkivin e parlamentit britanik, në arkivin e parlamentit francez, në arkivin e parlamentit italian. Po kur nuk e njeh historinë e oratorisë politike, kur nuk e di se s’është debati real, kur s’ke idenë e kufijve realë në debat flet kështu dhe Bedriu s’ka asnjë faj. Si Bedriu flet bufi i kënetës ku Bedriu noton. Si Bedriu madje një shkallë më lartë është Ilir Vrenozi, lideri i vërtete i asaj partie.", tha Rama.
Lajmi kryesor:
Rama: Autizëm politik, term i gabuar por kërkova ndjesë! Jam shënjestra kryesore e gjuhës së ashpër të kënetës! 11 Maji po afrohet, dihet kush është fituesi (VIDEO)
Xh.D/I.M/ReportTv.al
