Politikë

Rama: Autizëm politik, term i gabuar por kërkova ndjesë! Jam shënjestra kryesore e gjuhës së ashpër të kënetës! 11 Maji po afrohet, dihet kush është fituesi (VIDEO)

24 Prill, 08:17| Përditesimi: 24 Prill, 11:38

  • Share

Kryeministri Edi Rama e nisi bashkëbisedimin në "Sy m'sy" me kritikat që ka marrë lidhur me termin 'autizëm politik', teksa tha se kërkoi ndjesë pavarësisht se nuk e ka përdorur me qëllim dashakeq.  Sipas tij, ky term përdoret në literaturën politike, por u tërhoq kur kuptoi se mund të ketë lënduar persona të caktuar.  

"Doli krejt padashje duke folur, dhe i gjendur në kushtet kur ndjeva se mund të kem lënduar prindër të fëmijëve autikë, kërkova ndjesë. Patjetër që nuk është hera e parë që gaboj. Kam bërë edhe në ndonjë rast tjetër atë që duhet të bëjë dikush që gabon, të kërkoj ndjesë. Ma gjeni dot një tjetër udhëheqës politik shqiptar që ka kërkyuar ndjesë”, tha Rama.

Rama tha se shënjestra kryesore e gjuhës së ashpër në fushatë është ai, ndërsa akuzat si kriminel, hajdut e mafioz, i cilësoi si dokrra.

"Unë jam shënjestra kryesore e kësaj gjuhe, kriminel, hajdut e mafioz, asnjë provë deri më sot. Vetëm dokrra, llafe.”, tha Rama.

Duke iu përgjigjur kritikave për gjuhën që ka përdorur ai, Rama tha se ''Unë gjuhën e kam shpatë, jo pelde. Por ama është gjuha që kam mësuar nga mësuesit e mi, të cilat janë Fan Noli, Faik Konica, shpatarët e mëdhenj të gjuhës shqipe', duke shtuar se nuk përdor terma që mund të lidhen me akuza penale.

Në përgjigje të një pyetjeje që i bënë për termin "çyryk" ndaj burrave dibranë, Rama tha se ata nuk ndihen të ofenduar, por përkundrazi, do ta tregojnë me votë mbështetjen për PS. Nuk kurseu ironinë për PD, teksa tha se fituesit e Primareve u mbytën në ujin e ndenjur të asaj që ai e quan si 'këneta'.

Rama ritheksoi sërish se ishte PS ajo që bëri reformën në drejtësi, ndërsa të tjerët nuk e donin. Komentoi gjithashtu edhe kritikat se po bën fushatë me tallava. Rama tha se ka sjellë 'risi' ndër vite me fushatën elektorale, të cilat i ka kopjuar edhe opozita dhe se të njëjtën gjë do të bëjë edhe me këngët dhe vallet.

"Që kur unë merrem me fushatë elektorale, shikoni se si kanë ndryshuar edhe të tjerët. Kush i solli për herë të parë njerëzit të ulen në takime. Edhe kjo historia me këngët dhe vallet do ta shikoni se do ta përdorin më vonë.", u shpreh Rama.

Mes të tjerash, ai tha se ndërsa afrohemi drejt 11 Majit, po bëhet gjithnjë e më e qartë se PS do të jetë ajo që do të triumfojë në zgjedhjet parlamentare.

Ora 11:37
Rama iu përgjigjet akuzave se e pi verën 33 mijë euro: Lëshojnë një fjalë në rrugë, pastaj e kthejnë në...

 

Kryeministri Edi Rama, në bashkëbisedimin me ndjekësit, u ndal te akuzat që bëjnë ndaj tij si kriminel dhe hajdut.

Rama përmendi gjithashtu se 'e pi verën 33 mijë euro' teksa tha me ironi se lëshojnë fjalë në rrugë, më pas e përsërisin vazhdimisht , duke e shndërruar më pas në një "akuzë" të vërtetë. 

"Unë nuk e kam parasysh ndonjërin dhe nuk di që ndonjëri të ketë kërkuar ndjesë, ndërkohë që kur vjen puna tek gjuha, si shpjegohet që këta njerëz, të cilët çdo natë çfarë nuk thonë, çdo natë flasin me një gjuhë ekstreme. Unë personalisht jam shënjestër kryesore e kësaj gjuhe; kriminel, hajdut, mafioz, ça nuk thonë. Asnjë provë deri më sot vetëm dokrra. Vetëm llafe. “E pi verën 33 mijë euro”. Lëshohet një fjalë në rrugë dhe përsëritet e përsëritet dhe bëhet e vërtetë dhe pastaj kthehet në akuzë dhe pastaj akuza komentohet dhe pastaj për këto akuza ti je fajtor.", tha Rama. 

Ora 09:14
Rama: Të shkojmë përtej të majtës e të djathtës! Më 11 Maj, të përmbyllim misionin historik për të hyrë në BE

Kryeministri Edi Rama deklaroi se më 11 Maj të gjithë duhet të mendojnë përtej të majtës e të djathtës dhe të votojnë për të integruar vendin në BE. Duke iu përgjigjur një komentuesi që i shkruante se pse duhet të votojnë 5, numrin që mban PS në fletën e votit, Rama u shpreh se ka një sërë arsyesh. 

“Po mirë, voto 5 por përse”. Janë shumë arsye përse por po i marr disa me radhë. E para, për të mbyllur negociatat me Bashkimin Europian në 2027, mund t’i mbyllë vetëm Partia Socialiste me mua në krye, askush tjetër nuk i mbyll dot në 2027. Nëse nuk i mbyllim në 2027 negociatat, dera mund të mbyllet, dera e shtëpisë së familjes europiane dhe këtë po përpiqem të shpjegoj çdo ditë por nuk kam mundësi të kem përkrahje në shpjegim nga ata që normalisht duhet të bëjnë shpjegime kur dalin netëve nëpër ekrane sepse ata merren me gjëra të tjera; ata merren me fotografitë e mia nudo, ata merren me videot e mia me Lulin, me Vrenozin, me dreqin e me shejtanin që janë një pjesë shumë e vogël e komunikimit tim intensiv çdo ditë dhe që janë patjetër serioze, nuk janë për të qeshur ato, janë serioze. Janë gjëra serioze të thëna me humor por janë serioze, janë shumë serioze.

Tjetra, pse 5? 5 sepse prodhimi i përgjithshëm kombëtar i Shqipërisë kur ne morëm detyrën ka qenë më pak se 10 miliardë euro, në fund të vitit të shkuar kapi 25 miliardë dhe në Shqipërinë 2030 do jetë 33 miliardë, nëse ti do të votosh 5. Ti mund të mos e votosh por pikërisht sepse shumica do të votojnë 5. Të ardhurat për frymë kanë qenë 3000 e diçka euro, janë 10400 e ca euro, do shkojë 15000 euro, prandaj duhet të votosh 5. Duhet të votosh 5 sepse paga mesatare në sektorin publik do jetë 1200 euro, sot është 1000 euro. 

Paga mesatare ose e përgjithshme, sektori publik dhe sektor privat do jetë 1000 euro, sot është 830 euro, ka qenë 320 kur ne kemi marrë detyrën. Duhet të votosh 5 sepse kemi për të çuar përpara dhe për të mbyllur korridoret, Korridorin Blu dhe Korridorin e 8-të janë në kantier, nuk i mbyll dot njeri tjetër. Kemi të gjitha projektet e hekurudhave që kemi nisur dhe do të nisim në vijim dhe që kanë prapa financime të Europës. Për çfarë tjetër? Nuk e di se ku banon se po të dija ku banon, do të thosha konkretisht edhe për vendin ku banon pse duhet të votosh 5, por përtej të gjitha këtyre, duhet të votosh 5 që të përmbyllim një mision historik të këtij populli; të bëhemi pjesë e pandarë e BE.", u shpreh Rama. 

Ora 09:00
I quajti  'çyrykë', Rama: Burrat dibranë nuk janë fyer, do t’i shihni në zgjedhje! Fituesit e Primareve u mbytën në ujin e ndenjur të kënetës

 Në komunikimin live me ndjekësit gjatë rubrikës "Sy m'sy", kryeministri Edi Rama foli edhe për termin ‘çyryk’ të përdorur ndaj burrave dibranë. Duke iu përgjigjur një komentuesi, ai tha se dibranët nuk janë fyer, por përkundrazi, do të shihet më 11 Maj se ata do të japin mbështetje masive për PS. 

"Dhe pse e kam thënë janë çyryk? Nuk kam thënë janë çyryk individualisht, është çyryk politikisht. Dhe përsëris prapë dhe i rri prapë, sepse të shkosh me kënetën dhe të mos kuptosh momentin historik në cilin është sot Shqipëria ka një problem shumë të madh. Kjo është logjika e fjalës time dhe kjo është arsyeja pse gratë dibrane dhe pse burrat dibrane që kuptojnë dhe që vlerësojnë edhe gratë nuk janë fare të thyer, përkundrazi, dhe do t'i shikosh në zgjedhje. Apo pastaj do vijë ajo fjalia, siç thoshin ca çyryk atje në ato pasqyrat e kënetës natën, që mbahen për analist, “është popull i sëmurë ky se mendon që gjëja po shkojnë në drejtimin e duhur”, ose “i ka blerë Rama”, domethënë 800 e kusur mijë, që mund të shkojnë 900 e kusur mijë, mund të shkojnë afër 1 milionëshit këtë erë në qoftë se do ju mundësohet të gjithë emigrantëve vota e tyre, se ka pas ca probleme DHL-ja me sa kam dëgjuar, i kam blerë unë, Zot i madh.", tha Rama. 

Komenteve për termat që përdor ndaj opozitës, Rama iu përgjigj kështu duke thënë se përfor metafora. Ai gjithashtu ironizoi Primaret, teksa tha se fituesit u mbytën në ujin e ndenjur të kënetës. 

"Tani do thoni ju, pse i përdor këto fjalë? Po se ashtu janë më, metaforikisht janë ashtu. Kënetë do të thotë uji i ndenjur dhe ka ujë më të ndenjur se sa ai ujë që me demek do e lëviznin primaret dhe në atë ujë të ndenjur u mbytën ata që fituan primaret. Si ça është ajo? Çfarë është ajo? Kur thua hajde hidhuni në det hapur, kush del matanë do të jetë ai që do të marrë mandatin për të na përfaqësuar në betejën me palën tjetër dhe të gjithë ata që kalojnë matanë mbyten, sepse është llumi që i thith. Kjo është këneta politike, se flasim me metafora,  është shumë e thjeshtë, se kam shumë energji se të shkoj në Elbasan.", tha Rama.

Ora 08:50
‘Vrenozi, lideri i vërtetë i PD’, Rama ironizon: Merren me mua, jo me ata që ekzaltohen në miting nga shqipja e shfrenuar! Unë gjuhën e kam shpatë jo pelte! E kam marrë nga Noli dhe Konica

 

Kryeministri Edi Rama, gjatë bashkëbisedimit me ndjekësit, nuk kurseu ironinë ndaj Ilir Vrenozit, pas ofendimeve të këtij të fundit gjatë një takimi elektoral të PD në Korçë. Rama e cilësoi sërish Vrenozin si liderin e vërtetë të PD-së, duke ironizuar se shumë u ekzaltuan me fjalët e ulëta të përdorura në miting. 

 
"Dhe këta që pastaj për të treguar që këta janë shumë të revoltuar çfarë bëjnë? Shkojnë në Korçën e Kulturës, në Korçën e ballove, në Korçën që quhej Paris i vogël pikërisht për këto arsye dhe aty e merr fjalën lideri i vërtete i tyre, Ilir Vrenozi.  Juve mendoni që unë bëj shaka, unë s’bëj shaka fare. Lideri i tyre i vërtetë është Ilir Vrenozi dhe për të treguar sesa gabim kam bërë unë, shfrenojnë gjuhën në një farë feje që s’merret njeri. Nuk e thotë njeri “si mundet një parti politike të mblidhet të bëjë miting dhe të ekzaltohet mes fjalëve më të ulëta të shqipes të ulëritura në mexhlis, si është e mundur? Këto janë historitë banale të këtyre ditëve.  Ndërkohë që unë jam këtu për të parë sy më sy të tërë dhe për t'ju thënë që nuk është aspak e vërtetë që kjo na qenka një fushatë pa tema, pa çështje, kjo është fushatë me një çështje shumë të madhe kombëtare thelbësore, që është takimi me historinë në 11 maj, që është mundësia historike që ne kemi, fati ynë që janë përputhur yjet të Shqipërisë dhe të BE për të përmbyllur një histori të pafundme drejt shkrirjes së plotë me Evropën, për të qenë më në fund  Europë me ligj e me zakon.", tha Rama. 

Më tej, duke iu përgjigjur një komentuesi për gjuhën që përdor vetë ai, Rama tha se ai përdor sarkazëm dhe jo fyerje, ndërsa shtoi se 'gjuhën e ka shpatë, jo pelte', të cilën e ka mësuar nga Fan Noli e Faiki Konica. Rama tha se vë bast nëse do të dalë dikush e të thotë që ai përdor terma të papranueshme, ndryshe nga të tjerët që flasin me fjalë si 'hajdut, kriminel, mafioz, e vrasës' që kanë të bëjnë me akuza penale. 

"Këta që ankohen për gjuhën time se iu djeg, ju djeg se natyrisht unë gjuhën e kam shpatë nuk e kam pelte, jam shpatë, por ama është gjuha që kam mësuar nga mësuesit e mi dhe mësuesit e mi janë Fan Noli, Faik Konica, janë ata shpatarët e mëdhenj të gjuhës shqipe.  Ama unë në 20 e kusur vite në këtë arenë kurrë si kam thënë njeriut hajdut, kriminel, mafjoz, vrasës, se këto janë akuza penale. Nuk luftohet me akuza penale në mexhlisin politik. Metafora patjetër, sarkazëm sa të duash dhe jam gati të vë bast me këtë të dojë që asnjë fjalim i imi, asnjë replikë e imja në parlament nuk do ishte e papranueshme në arkivin e parlamentit britanik, në arkivin e parlamentit francez, në arkivin e parlamentit italian. Po kur nuk e njeh historinë e oratorisë politike, kur nuk e di se s’është debati real, kur s’ke idenë e kufijve realë në debat flet kështu dhe Bedriu s’ka asnjë faj. Si Bedriu flet bufi i kënetës ku Bedriu noton. Si Bedriu madje një shkallë më lartë është Ilir Vrenozi, lideri i vërtete i asaj partie.", tha Rama. 

Ora 08:49
Rama ironizon opozitën: Duan të përdorin SPAK si argument që qytetarët të mos na japin votën! Fushatë me tallava? Do t'i shihni më vonë me këngë e valle si ne

Kryeministri Edi Rama, gjatë bashkëbisedimit live me ndjekësit në rubrikën "Sy m'sy", deklaroi se opozita po tenton që të përdorë SPAK dhe thellimin e luftës ndaj korrupsionit si një 'armë' kundër tyre për zgjedhje, por kujtoi se në fakt ishte PS ajo që e vetme luftoi për të bërë reformën në drejtësi. 

“Kur unë thosha  ma jepni timonin që të drejtoj pa të tjerë në prehër sepse ndryshe nuk bëhet reforma në drejtësi. U bë apo s’u bë?  Dua një drejtësi që godet majtas e djathtas. U bë apo s’u bë?  Kush  e bëri? Stamo Dumo e bëri?  Timoni pra, e bëri timoni sepse nëse nuk do të ishim forca e vetme në qeveri me këtë vendosmëri nuk bëhej reforma në drejtësi. Gjithë ata që janë rrotull  nesh, nuk e duan SPAKU-n, nuk e duan këtë që po ndodh dhe pastaj kthehen në anën tjetër, kërkojnë ta përdorin SPAKU-n, kërkojnë të përdorin thellimin e luftës kundër korrupsionit  si një argument pse ne nuk duhet të votohemi. Ky është kulmi. Kanë “gjysmën e qeverisë në burg, si mund t’i votoni këta hajdutë?’’ E para e punës që nuk është kështu se po  t’i marrësh qartësisht dhe të numërosh dhe t’i shohësh cilësisht se për çfarë bëhet fjalë, nuk ësht fare kështu. E dyta e  punës, ata të cilët kanë probleme dhe kanë pasur probleme me drejtësinë dhe kanë qenë në qeveri janë anëtarë kabinetesh të mandatit të parë, mandatit të dytë, fillimit të mandatit të tretë por nuk ka rëndësi kjo. Ka rëndësi fakti që ne jemi në mbështetje të këtij procesi, ne nuk i vëmë pushtetin politik si karrocën para kalit, pushtetit të pavarur të drejtësisë të cilin jemi pavarësuar ne dhe askush tjetër.", tha Rama. 

Më pas, u ndal edhe te kritikat për fushatën elektorale se është thjesht një "tallava" dhe se nuk ka program elektoral. Rama ironizoi teksa tha se ata nuk e dinë se çfarë është tallavaja, ndërsa shtoi se atë që ai ka bërë ndër fushata, është "kopjuar" nga opozitë dhe se të njëjtën gjë do të bëjnë edhe me këngët e vallet.


"Ça thonë këta tjetër? Këta thonë që “fushata e PS, fushata e Edi Ramës është tallava, është tallje me këtë, tallje me atë’’. Po si ka mundësi? Si është e mundur? E para e punës një herë, këta nuk dinë ç’është tallavaja, s’kanë fare idenë se çfarë është tallavaja, këta janë përbuzës të kulturës shqiptare.  Këta janë përbuzës të atij fondi thesaresh që ka krijuar kultura jonë, ato që janë dhe nëse ne hapim, bëjmë një takim të madh me njerëzit tanë, kush na ndalon ne që aty dhe të përdorim këngë që janë nga thesari i kulturës tonë sipas qarqeve edhe të përdorim valle. Kush na ndalon ne? Kush e ka shkruar këtë që kur mblidhen njerëzit në një takim të madh elektoral a duhet vetëm të rrinë e të dëgjojnë fjalime në diell me orë të tëra, kush e ka shkruar këtë?  Pastaj më falni, por po ju them diçka pa modesti, që kur unë merrem me fushatë elektorale merreni shikojeni analizojeni sesi ka ndryshuar edhe të tjerët. Kush i solli për herë të parë njerëzit të ulen në takime, që tani të tërë i ulin njërezit në takime. Kush i solli, për ti ulur si njerëz dhe për t’i dëgjuar, jo vetëm thjeshtë mblidhi dhe ulërij në këmbë.  Edhe kjo historia me këngët dhe vallet do ta shikoni që do ta përdorin dhe të tjerët më vonë.", shtoi ai. 

Xh.D/I.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • genti: 24/04/2025 08:56

    jo kur nje udhehqes politik gabon duhet te iki jo te kerkoj ndjese

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni tonet e përdorura deri më tani në fushatën e 11 majit?