Presidentja e KE-së, Ursula Von der Leyen tha se duke parë progresin që po bën Shqipëria në hapjen e grupkapitujve edhe procesi i dytë i negociatave do të jetë i shpejtë. Ndërsa kryeministri Edi Rama theksoi se brenda 2027 do të mbyllin të gjithë grupkapitujt. Ai tha se vendi ynë është me fat që ndodhet mes të Evropës dhe ka mbështetjen e BE-së, pasi përndryshe do ta kishte të vështirë rrugën e saj drejt një shteti tërësisht demokratik.
Kryeministri u shpreh që nëse sot marrin vlerësim pozitiv, vjen si rezultat i detyrave të bëra deri tani. Por, Rama shtoi se nëse duan që të marrin vlerësime, duhet të vazhdojnë me detyrat, të cilat siç theksoi nuk i bëjmë për BE, por për veten tonë.
Me batuta, Rama tha se detyrat nuk i bëjnë për të kënaqur ata që miratojnë anëtarësimin në BE, duke përmendur disa prej shteteve europiane, ndërsa tha se Londra ka ikur në drejtim të paditur, duke iu referuar BREX-it. Edhe për gjermanët e pati një koment, duke shtuar se nuk janë aq të përsosur sa i dinim.
Von der Leyen: Ky është avantazh i procesit që bazohet në meritë se Shqipëria ka bërë mirë në rrugën e reformave dhe jam e bindur se kështu do të jetë edhe në pjesën e dytë të procesit, mbyllja e grupkapitujve të ndryshëm, dhe ndryshimi i vërtetë ka qenë që Shqipëria e ka kuptuar. Ne e duam këtë proces dhe ju po tregoni mirë sesa shpejt në një kohë rekord sa ambiciozë mund të jeni jo vetëm në hapjen por edhe në mbylljen e grupkapitujve.
Rama: Në fillim kur thuhet 2027, do të thotë që brenda 2027, do të mbyllen kapitujt. Nuk e kuptoj pyetjen se çfarë pritshmërish ke? Pritshmëria është që brenda 2027 të mbyllen kapitujt dhe ne duhet të bëjmë të gjithë detyrat këtu dhe janë të mirëpërcaktuara kapitull për kapitull dhe plus edhe në planin e rritjes. Kështu që nëse sot ne marrim një vlerësim kaq pozitiv, vjen si rezultat i detyrave të bëra deri tani. Por që të vazhdojmë të marrim vlerësimin, duhet të vazhdojmë detyrat dhe detyrat nuk i bëjmë se sa e kërkon BE, as që të kënaqim ata që nesër do të na miratojnë anëtarësimin në Paris, Berlin apo se do thoja Londër, por Londra ka ik në drejtim të paditur…apo në Romë. Ne i bëjmë detyrat për veten tonë. Çdo detyrë që bëhet këtu me sukses, e bën Shqipërinë më të fortë dhe më funksionale si shtet. Për ne procesi i negociatave, i hapjes dhe mbylljes së kapitujve është proces shtetbërje demokratike. Kur BE të thotë ne mbaruam tonë, dmth se Shqipëria merr një certifikatë që në bazë të opinionin të KE, jemi shtet funksional demokratik. Kjo është për shqiptarët, më pas ne mund të hyjmë në BE dhe vazhdon procesi i përmirësimit. Edhe gjermanët që janë mbajtur me dekada si më të përsosurin nuk janë aq të përsosur sa i dinim dhe tani e kuptojnë dhe vet. Për ne është fat që jemi në mes të Evropës dhe që kemi BE që na shoqëron në këtë proces. Nëse do ishim jashtë kontinentit do ta kishim të pamundur të bënim një shtet funksional demokratik për një mijë e një arsye.
Lajmi kryesor:
Von der Leyen në Tiranë: Shqipëria në rrugën e duhur drejt BE, progres rekord me negociatat! Rama: Mbyllja e kapitujve në 2027, jo ëndërr por bindje (VIDEO)
Xh.D/SI.E./ReportTv.al
