Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për Richard Attias, organizatorin e FII (Iniciativa e Investimeve të Ardhshme), kur ndër të tjera foli edhe marrëdhëniet politike të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.
Richard Attias: Z. Kryeministër, po t’i hedhësh një sy hartës globale, Shqipëria është një qendër, një katalizator midis Europës, Azisë dhe Lindjes së Mesme. Si e shihni shpalosjen e këtij roli në të ardhmen, sa i takon gjeoekonomisë dhe gjeopolitikës.
Kryeministri Edi Rama: Dëgjoni, ky është një bekim për ne, edhe për shkak të përbërjes së shoqërisë nga myslimanë e të krishterë, e cila falë Zotit, s’ka asnjë problem. Përkundrazi, nuk ka kufizime, nuk ka paragjykime, asgjë nga këto. Ne kemi një prirje të natyrshme që të shohim ngado, edhe pse është shumë e qartë që shqiptarët kanë një dashuri të palëkundur për BE-në dhe Europën, në përgjithësi. Europa ka qenë ëndrra jonë e kahershme. Me evoluimin e gjërave, kemi pasur disa periudha kohe, ku politika u përqendrua tej mase vetëm te Perëndimi dhe nuk ndërtuam raporte në Lindje. Unë e ndryshova këtë, duke vendosur në dokumentin tonë të politikës së jashtme që ne nuk kemi vetëm dy partnerë strategjikë, Greqinë dhe Italinë, por kemi tre, edhe Turqinë. Pastaj fillova të ndërtoja marrëdhënie me Lindjen e Mesme, me vendet e Gjirit. Tani jemi në një pozicion shumë të mirë, sepse qëndrimi ynë sa i takon gjeopolitikës është shumë i qartë: Ne jemi Perëndim, jemi në një linjë me BE-në, por duam të kemi marrëdhënie, madje vëllazërore me vendet që përmenda, edhe pse, në Europë, kemi një karakteristikë unike. Vizita e fundit e nivelit të lartë në Moskë ishte në vitin 1960. Ne nuk e kemi vizituar kurrë Kremlinin, nuk kemi pasur kurrë vizitë nga Kremlini apo nga ndonjë qeveritar i lart atje, për shkak të historisë, por edhe sepse nuk kemi ndonjë oreks për t’u afruar me Rusinë. Nuk kemi as para ruse, as investime ruse, asgjë të tillë. Me Kinën kemi një marrëdhënie të mirë, jo si me Rusinë. Kemi një marrëdhënie të mirë, por, sërish, nuk ka investime kineze, nuk ka një bashkëpunim të madh siç ka midis Serbisë, Maqedonisë së Veriut apo Malit të Zi dhe Kinës. Për ne, ky është pak a shumë horizonti, nga Lindja e Mesme në Europë. Amerika është e re në këtë drejtim, përmes investimit që përmendët ju, por edhe përmes investimeve në energjetikë. Do të donim të bënim më shumë, por po ecën mirë, jemi të kënaqur me këtë.
Richard Attias: Një pyetje e fundit z. Kryeministër. Çfarë dëshire, ëndrre keni për botën, për Europën dhe për Shqipërinë?
Kryeministri Edi Rama: Unë jam një i dashuruar me fanatizëm i tekstit që përmenda sot, nga Abati i Shën Pierit. Më duket absolutisht çmenduri edhe thjesht të përfytyrosh një abat diku gjetkë në Francë, që ka këtë vizion dhe iu hap njerëzve sytë për të parë sesi mund të duket ndryshe bota dhe që hedh konceptin e bashkimit të paqes së përhershme, i cili, për të, përfshin Rusinë, shtrihet deri në Lindje, në toka që asokohe ishin nën perandorinë osmane, çka nuk nënkupton domosdoshmërisht që të gjitha këto vende duhet të jenë në BE, por që secili prej këtyre vendeve duhet të jetë pjesë e të njëjtit komunitet, njësoj siç Zvicra nuk është në BE, Norvegjia nuk është në BE. Për Mbretërinë e Bashkuar, le të shohim, pasi duket sikur po kalojnë nëpër shkretëtirën e depresionit. Kjo do të ishte ëndrra ime, por, ashtu siç shkruante Volteri, ishin interesa të parëndësishme dhe kapriço të vogla që nuk e lejuan këtë vizion të madh, sepse në fund të fundit, kjo është, janë egot, janë individët në kohë. KPE-ja është paksa kjo, sepse Franca e ka mbartur përherë këtë idenë e një Europe më të madhe, pa qenë domosdoshmërisht të gjithë në Bashkimin Europian.
Lajmi kryesor:
E ardhmja e Shqipërisë, Rama: Preferoj një ‘Itali e re’, jo një ‘Zvicër të re’, do ishim të mërzitshëm! BE ëndrra jonë
K.M/r.k./ReportTv.al