Kryeministri Edi Rama publikoi ditën e sotme se si do të duken projektet fituese të Korporatës Shqiptare të Investimeve.
Në postimin e tij, Rama thekson se projektet do të realizohen sipas modeleve më të mira europiane.
“...dhe me projektet fituese të të parit konkurs ndërkombëtar, ku shteti përmes Korporatës Shqiptare të Investimeve (AIC), përfiton në rolin e pronarit, katër projekte të cilat do të hidhen në garë të hapur për ndërtimin me sipërmarrje të një kompleksi administrativ, për sistemimin e një numri të konsiderueshëm institucionesh publike, të kompleksit të ri të Kadastrës Shtetërore, si edhe të dy godinave multifunksionale, duke krijuar kësisoj një platformë të re zhvillimi të pronës publike, sipas modeleve më të mira europiane, si edhe transformimi të infrastrukturës së shërbimit publik në funksion të Vizionit Shqipëria 2030, ju uroj një ditë të bukur”, shkruan Rama në Facebook.
Ditën e djeshme (17 shtator) juria ndërkombëtare zgjodhi studiot arkitekturore për dy projektet e para, të cilat do t’i hapin rrugë një qasje të re për ndërtimin e zyrave dhe krijimin e hapësirave të reja të shërbimeve bashkëkohore për administratën publike.
Për grupin e parë, për lotin e parë, për strukturën administrative u zgjodhën studiot COLDEFY (Francë).
Për lotin e 2 u zgjodhën studiot ANDREA CAPUTO (Itali) dhe SO-IL (SHBA).
Për grupin e dytë për lotin një dhe dy u zgjodh studio BAUKUH (Itali).
Ndërtimet do të bëhen në disa zona të Tiranës, tek Parku Olimpik te Komuna e Parisit, tek Harry Fultz, pranë ATSH-së dhe në zonën e 21 dhjetorit.
Miliona euro që paguhen aktualisht nga buxheti i shtetit qira për zyrat dhe institucionet publike do të kursehen. Qeveria i ka hapur rrugë një tjetër mënyre për shfrytëzimin e pronës publike, duke çelur garën ndërkombëtare për ndërtimin e godinave të reja që do të shfrytëzohen për administratën shtetërore dhe shërbime të tjera.