Nga Cërriku ku po zhvillon një takim me në fokus bujqësinë, kryeministri Edi Rama pati edhe kritika për kryebashkiakët, të cilëve u tha se janë shkëputur nga fshati dhe nuk po e shohin si pjesë të punës së tyre të përditshme në funksion të zhvillimit. Ndërkohë, Rama u ndal edhe tek fondi 250 mln euro që Banka e Shqipërisë ka vënë në dispozicion për të mbështetur me kredi sektorin e bujqësisë dhe zhvillimit rural.
“Qysh se është bërë reforma administrative territoriale dhe bashkitë janë zgjeruar me përmasën e hapësirës rurale, në vend se kjo të sillte rritje të vëmendjes dhe një rritje të mundësive për fermerët dhe sipërmarrjen në fshat, ka sjellë një shkëputje në një masë të madhe, kryetarët e bashkive e shohin fshatin si çështje të urbanizmit, infrastrukturës rrugore, të pastrimit, të ndriçimit, por nuk e shohin, si pjesë të punës së tyre të përditshme në funksion të zhvillimit. Jemi në një pikë, ku duhet patjetër të garantojmë një kthesë në këtë drejtim, sepse ende sot nuk kemi ndërmarrje të vetme bujqësore të krijuar me kontributin dhe bashkëpunimin e fermerëve të sipërmarrësve dhe strukturave të pushtetit vendor. Janë bërë disa tentativa, por nuk mund të jemi se kemi krijuar një model. Kemi vendosur në dispozicion të fermerëve dhe fshatit një linjë të re kredie nga Banka e Shqipërisë, 250 mln euro që është një shumë kolosale për t’iu përgjigjur ambicieve dhe për t’iu dhënë mbështetje projekteve në fshat, kjo e kombinuar me garancinë sovrane që është prej kohësh në dispozicion të fshatit, nuk ka sjellë dhe gjasat janë që të mos sjellin asnjë rezultat domethënës në rast se nuk ndryshojmë qasjen”, tha Rama.
Lajmi kryesor:
Në ‘skaner’ bujqësia, Rama: Linjë kredie 250 mln €, duhet një sipërmarrje rurale e fuqishme! Kritika kryebashkiakëve: Jeni shkëputur nga fshati
SI.E./I.M/ReportTv.al
