Kryeministri Edi Rama krah presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky u ndal edhe tek mbështetja me municione për Ukrainën. Rama tha se shpesh kjo mbështetje ngec nga shtetet e mëdha për shkak të politikës së brendshme apo çështjeve burokratike.
Rama thotë se ky është një shqetësim, pasi nga ana tjetër kemi një agresor që po merr jetë në mënyrë të pamëshirshme.
"Shqipëria është një anëtare krenare e NATO-s, edhe pse e vogël, bashkë me gjithë partnerët nga Uashingtoni në Bruksel kemi dënuar agresionin dhe ne kemi bërë gjithçka mundur dhe do vazhdojmë të bëjmë gjithçka që mundemi për ta ndihmuar Ukrainën me të gjitha mjetet. Në të njëjtën kohë jemi të vetëdijshëm për kapacitetit tona, jemi të ndërgjegjshëm që ajo për të cilën ka nevojë Ukraina është mbështetja e të gjithëve, por para së gjithash mbështetja dhe ndihma e më të mëdhenjve dhe të pasurve. E shohim me shqetësim që kjo mbështetje ndonjëherë, ngecet sepse Ukraina shndërrohet në një çështje të politikës së brendshme të një vendi apo një tjetri, apo se ndodhin vonesa të gjata burokratike. Nga ana tjetër kemi një agresor që nuk ndalet për as një sekondë së godituri në përpjekjen për të aneksuar edhe më shumë territor duke marrë në mënyrë të pamëshirshme jetë të pafajshme dhe duke shkatërruar Ukrainën dhe ta bëjë shumë të vështirë për familjet, gratë, fëmijët që të jetojnë një jetë normale", tha Rama.
Lajmi kryesor:
Samiti për Ukrainën në Tiranë/ Zelensky: Putin, Hitleri II! Do të bëjë gjithçka për të destabilizuar Ballkanin! Rama: BE të mos venisë aspiratën e integrimit
SI.E.//ReportTv.al