Kryesocialisti Edi Rama ka vijuar sot (5 maj) turin e tij elektoral në qarkun e Korçës.
Pas prezantimit të investimeve 10 vjeçare nga qeveria socialiste në tre mandate për qarkun dhe takimit me mbështetësit në Pogradec e Devoll, ai zbriti në kryeqendrën e verilindjes bashkë me skuadrën e kandidatëve të PS, ku u prit me një kolazh muzikor me motive patriotike nga grupi i qytetit.
“Drejt finishit, për Shqipërinë 2030 në BE”, shkruante kryeministri në Facebook pak para takimit elektoral për zgjedhjet e 11 majit, në mitingun përmbyllës.
Kryesocialisti Edi Rama në hyrje të fjalës së tij u shpreh se tani i kuptonte emocionet e kandidatëve për pjesëmarrjen në shesh, teksa e shihte nga podiumi.
“Tani e kam parasysh pse tha djali nga Maliqi se kishte emocione kështu përballë dhe atë që tha Nikoja se do donim të ishim të gjithë këtu në podium, sepse shoh këtë trup të madh këtu në shesh, pamje spektakolare në shesh. Niko foli për të gjitha, projektet, investimet, ato që janë bërë e do bëhen, e ça më mbeti mua tani për të thënë? (bën batutë)”, tha ai.
Dhe më tej bëri batuta me Niko Peleshin, teksa kërkoi ndjesë që “fryu” Ilir Vrenozin pak ditë më parë, teksa ai e ktheu këtë si një “shfaqje porno-politike”. Madje iu referua edhe sjelljeve të një prej kandidatëve të “kënetës” nëpër lokale.
“Dua të kërkoj një ndjesë për të gjithë ju qytetarët e Korçës që e përkëdhela Ilir Vrenozin në momentin e gabuar dhe pastaj u fry dhe u bë një shfaqje porno-politike në pallatin e sportit dhe besoj unë, se këneta i dha në qarkun e Korçës të gjithëve një arsye të fortë se pse nuk duhet votuar më 11 maj, kurrë! Dhe historia është shumë e thjeshtë. Më tregoi Niko një video të një deputeti të PD-së në një kafe (Fidel Kreka), ku deputeti bënte 'uuu-uuu...', e ata atje i thoshin "bravo". Kishte vetëm burra në lokal e nuk kishte gra. Ai bënte 'uuu-uuu'. Më 1923 Korça zgjodhi Fan Nolin deputet, kurse në 2025 duhet të votohet Fideli, bën uuuu dhe i fryhet trupi e këmisha. Më vjen keq se ka edhe emrin e një shokut tim. Dhe e tërë Korça e pa se çfarë ndodhi në pallatin e sportit, shfaqje e neveritshme antieuropiane, antiqytetare, antishqiptare dhe antikorçare”, tha kryeministri para mbështetësve.
Ai shtoi se PS me modesti nuk lufton për shumicën e thjeshtë dhe fitoren matematikore, por për momentin historik, si mesazh ndaj BE-së që ka hapur derën, për të treguar se Shqipëria e do anëtarësimin.
“Ata që janë të mërzitur me Nikon janë fare të pakënaqur me mua, janë krejt të paorientuar që të vijnë drejt nesh, duhet t’i dëgjojnë ca fjalë nga unë sot, jo për t’u bërë me mua e Nikon, por për t’u lemerisur nga ajo kënetë e për të menduar se çfarë është vota e 11 majit. Nuk është shumicë aritmetike për krijimin e PS më 11 maj, nuk e them për mendjemadhësi, nuk e diskutojmë fare! Këtu fjala është për të krijuar shumicë shqiptarë shpirtërore si banorë të Europës së Bashkuar dhe Ballkanit të Europës, për të parë se çfarë peshe ka ajo. Nuk është një votë e thjeshtë, për shumicë apo pakicë se kush janë, por ka brenda vendimin historik. Sepse për herë të parë, që kurse ra muri i izolimit, Europa na ka hapur derën dhe ne jemi të pragu gati për ta kapërcyer. Ajo derë nuk ka qenë asnjëherë e hapur, ajo ka qenë shtëpi e të pasurve që s’rri hapur gjithmonë, e të varfërve po rri e hapur gjithmonë. Dhe ajo derë hapet vetëm kur ata duan, të 27, kur kanë interesin e tyre ta hapin. Të mos e lëmë fatin e Shqipërisë në dorën e Ilir Vrenozit, kënetës dhe atij kandidatit tjetër që bën uuu-uuuu”, tha Rama, duke ironizuar edhe kundërshtarët.
Rama kërkoi që vota të jepej për Shqipërinë dhe jo për partinë politike, duke sugjeruar që nëse votuesit nuk e hidhnin dot për PS-në, të mos dilnin fare në votime, siç bëri ai më 1992, për të mos ia dhënë “bufit të kënetës”.
“Vetëm një moment historik ka pasur, viti 1992, ku shqiptarët u ndan nga një sistem dhe histori. PD u gjend në vendin dhe kohën e duhur dhe nuk u votua si parti. Unë nuk e votoja dot bufin, se ia kisha ndjerë erën që herën e parë që pashë dhe kush nuk pranon të votojë zgjedh opsionin më të fortë në këtë pikë, siç bëra unë atëherë, nuk shkova të votoja. Nëse nuk duan të votojnë 5-ën dhe PS, nëse kanë sqimë, le të shohin listën e plotë, si e duan djalë, vajzë, burrë a grua, ose të rrinë në shtëpi, të mos dalin fare. Jo të lahen, të krihen, të rruhen e vishen si për dasmë dhe të dalin e të hidhen në kënetë. Të tjerët të na bashkohen ne, është historia që na ka ardhur në dorë, fati europian që ne ta përmbushim e realizojmë me duart tona”, shtoi kreu i mazhorancës.
Kryesocialisti apeloi për të gjithë emigrantët e qarkut të Korçës në Greqi që të shkonin këto ditë të mbetura dhe të tërhiqnin zarfin, sepse pasaporta europiane u jepte edhe njohjen e pensioneve, marrëveshja e të cilës është shumë e vështirë të realizohet si ajo me Italinë, por duke hyrë në BE njihen automatikisht.
“Shiheni 11 majin si një ditë të rëndësishme, për të gjithë ju, korçarë, pogradecarë, devolliotë, Maliqi, si i thonë atyre të Maliqit mo? (bën batutë) Maliqarët e gjithandej. I bëj thirrje edhe atyre në Greqi të shkojnë të tërheqin zarfet këto ditë të mbetura. Sepse ajo pasaporta europiane ju jep fund burokracive për të gjitha vuajtjet dhe ankthit me burokracitë, për ata prindër të atyre fëmijëve që morën malet me rrecka e vuajtje dhe tani pas kaq vitesh nuk e dinë nëse do e marrin pensionin në Greqi. Pa shqiptarët, Greqia nuk do i kishte mbijetuar dot krizave të veta. Ne po punojmë me Greqinë për marrëveshje dhe kjo mund të zgjasë, fati e desh me Italinë që të bëhej. Më doli mua një motër atje dhe fal saj u bë, por përsëri i mori edhe dy vite. U bë marrëveshja. Kurse me Greqinë mund të zgjasë shumë vite, dhe është e vështirë edhe për qeverinë greke, janë shumë njerëz, shumë para. Por ama tani fati na ka ardhur me pasaportën europiane, sepse nëse marrim atë nuk është vetëm dokument udhëtimi pa viza, por edhe pasaportë qytetarie e statusi të barabartë. Në momentin që ke atë pasaportë mund të rrish të jetosh, qëndrosh, punosh, pleqërosh në çdo vend të BE-së, sikurse je në Korçë, e s’të kërkon llogari njeri se je qytetar i barabartë me të BE, e ka brenda njohjen automatike të pensionit atje. Do jetë e barabartë. Mund të zgjidhesh kudo që të jesh në BE, këshilltar, kryebashkiak, vetëm ministër nuk bëhesh dot atje dhe as deputet i atij vendi”, shpjegoi ai.
Rama vuri edhe paralele mes forcës që drejton dhe kundërshtarëve, që sipas tij kanë kandidatë që bëjnë vetëm “uuu” apo “porno-politikë” si Ilir Vrenozi te pallati i sportit. Madje ai kujtoi se Korça është qytet i kulturës dhe punës, madje bëri batutë duke thënë se “në këtë qytet edhe qentë punojnë, nuk rrinë”.
“Por siç e thanë Niko dhe Iliri, të sjellim Europën në Shqipëri, Të përmbushim profecinë që nga koha e Skënderbeut dhe Rilindasve, me shpirtrat e tyre që sillen edhe vërdallë këtu. E më shumë se të tjerët ajo pasaportë ka vlerë për fëmijët e tyre. E jo me uuuu si ai, ça është kjo uuuu, ku ka pasur Korça uuuu, qyteti serenatave. Në Korçë dhe qentë punojnë, nuk rrinë, ai bën uuuu. Me atë pasaportë do jenë europianë të barabartë. Edhe sa vite do mbetemi popull i dorës së dytë, të nënçmuar, jemi në mes të Europës dhe mbetemi ende jashtë Europës. Janë të gjitha arsyet e mosarsyes. Ndaj i bëj apel të gjithëve të bashkohemi.
E përsëris prapë se s’më del e keqja me atë uuuu dhe me atë kënetën atje porno-politike, kënetën e Korçës. Korça u çnderua në atë pallat sporti, u çnderuan të gjithë ata që këndonin serenata, që nga koha kur quhej “Parisi i vogël”. Çfarë duan këta, ta bëjnë Korçën kënetë, me uuu, ta kthejnë pas”, vijoi diskursin elektoral kryesocialisti.
Ai analizoi edhe qeverisjen e PS, që shpesh kritikohet në “berberhanet” televizive siç i pëlqen t’i quajë në fjalimet që mban. Tha se shpatën drejtësisë ia dha PS-ja për të bërë barazi para ligjit dhe jo si dikur kur kjo shpatë mbahej “në zyrën e Maliqit”.
“Që kur shqiptarët bënë shtetin ligji ishte i Maliqi, vendoste i pari i qeverisë, e mbante shpatën te zyra. Ne jemi të parët që ia dhamë shpatën drejtësisë, të godasë majtas e djathtas. Një forcë që merr përsipër të gjitha kostot, se nuk jemi për pushtetin tonë, por për të ardhmen e vendit dhe fëmijëve tanë, sepse ndryshe nuk bëhesh kurrë, kurrë. E dalin këta me ca të tjerë të berberhaneve që shtrihen e thonë si ka mundësi, këta janë në burg, të akuzuar, e para njëherë këta s’dinë aritmetikë, sepse nuk janë aq. Po sikur të ishin, kush e solli këtë, Stamo Dumua apo Noc Rroku? E solli PS-ja dhe qeveria jonë. Këta dalin e thonë jo tepsia, jo timoni e jo bufi. I thoja që më 2017 se ma jepni timonin se nuk e bëj dot me të tjerët në prehër, ndaj ma jepni timonin. E ja ku është sot Shqipëria. Mes nesh dalin e drurë të shtrembër dhe këta dalin e akuzojnë. Ne i dhamë sens shtetbërjes, ku qeveria ka punën e saj, drejtësia të sajën dhe parlamenti të tijën. Doni ju që kjo punë të vazhdojë? Kjo gjë realizohet dhe bëhet e pakthyeshme duke futur Shqipërinë në BE e duke sjellë BE këtu. E pastaj nuk del asnjë karafil këtu, asnjë kënetë dhe asnjë shitës qilimash ta kthejë më pas. Nuk do të ketë më “me kë ke lidhje”, por do jetë a ke apo s’ke të drejtë”, apeloi Rama.
Fjalën hapëse e mbajti kreu politik i qarkut të Korçës, Niko Peleshi, i cili u shpreh se edhe pak ditë e ndanin vendin nga fati europian.
“Yjet e fatit e duan Shqipërinë në gjirin e Bashkimit Europian. Edhe pak ditë na ndajnë nga momenti historik. Ky është sheshi më kuptimplotë për ta gjetur dhe parë historinë e Shqipërisë, sepse ne jemi Europa. Vetëm 20 metra nga këtu ku po flas, gjendet Mësonjëtorja e Parë. 6 firmëtarë të deklaratës së Pavarësisë janë korçarë, këtu u qëndis flamuri i Pavarësisë, pak më poshtë është shtëpia e flamurit dhe e patriotëve shqiptarë”, tha Peleshi mes të tjerash, teksa njoftoi edhe ngritjen e bustit të patriotit Llazar Fundo.
Fjalime të shkurtra mbajtën edhe kandidatët e PS për qarkun e Korçës, të cilët apeluan për të votuar masivisht më 11 maj për të ardhmen e Shqipërisë drejt integrimit në BE.
Peleshi dha edhe lajmin e hapjes vitin e ardhshëm të një liceu francez në Korçë.
“Do të hapim liceun francez fal mbështetjes së presidentit Emanuel Macron dhe përpjekjes së kryeministrit Edi Rama, ngritjen e polit të dijes në Korçë, për herë të parë një universitet francez”, shtoi ai.
Në fund të narrativës së tij elektorale nga Korça, kryesocialisti Edi Rama i bëri thirrje të gjithë qytetarëve të këtij qarku që më 11 maj të merrnin hak për “atë shfaqje porno-politike të Ilir Vrenozit në pallatin e sportit”, ku u çnderua një qytet i tërë”.
“Ai fjalim porno-politik nga Pallati i Sportit çnderoi Korçën”, tha kreu i mazhorancës në fjalën e tij.
Ai shtoi se vetë nuk merrte dot hak, pasi nuk është votues në këtë qark, por kujtoi se nuk duhet lejuar që njerëz të tillë të kënetës “të pështynin në fytyrën e Korçës” dhe u duhej dhënë një mësim i mirë me votën e të dielës.
“Janë të gjithë arsyet e botës që nëse ke një votë për ta hedhur, qepalla te BE. Nëse s’ke votë për qepallën e BE-së, s’të vjen për ta hedhur te qepalla e BE-së, më mirë rri në shtëpi, mos shko fare të votosh. Ju falënderoj nga zemra për durimin, për kulturën. Unë nuk jam korçar, nuk marr dot hak për ju. Unë nuk jam korçar, por kam shokë në Korçë, për të gjithë ju korçarët që e ndjejnë detyrimin që i kanë qytetit, për ju korçarë të modës, rilindësve, Mësonjëtores, edukatave, teatrit, muzikës, kulturës, serenatave, jetës së lartë, të gjithë të marrin hak e duhet t’i japin asaj kënete mësimin më të hidhur që mos të guxojë më njeri në Korçë të vijë dhe të nxjerrë nga goja fjalë që fyejnë Korçën dhe që pështyjnë në fytyrën e të gjithë atyre që i kanë dhënë Korçës bukuri dhe nder”, përfundoi kryesocialisti.
Kryesocialisti Edi Rama ironizoi nga Korça edhe konsulentin zgjedhor të PD-ADSHM dhe Sali Berishës në zgjedhjet e 11 majit, duke thënë se “u tregua i zgjuar, mori 6 mln dollarë dhe iku”.
Ai e krahasoi atë me një nga personazhet e filmit “Gjeneral Gramafoni”, teksa i përsëriti edhe epitetin “Latifi”.
“Do shkojmë për një shpresë të madhe, apo për një politikan të lashtë, të pashpresë dhe zyrtarisht i rrjedhur. Është zyrtarisht i rrjedhur, nuk diskutohet, zyrtarisht. Pse do shkojmë më 11 maj ne, për Shqipërinë në BE dhe në Europë apo për hallin e një individi të vetëm? Që do hiqte non gratën se ia kisha vënë unë dhe Sorosi, por a e hoqi?! Na solli dhe një Latif këtu vërdallë. Latifi nga Amerika njëlloj si ai korçari që lozte te Gjeneral Gramafoni, erdhi vërdallë Latifi dhe pasi na erdhi ca kohë vërdallë, Latifi iku. Na doli i zgjuar Latifi, na mori edhe 6 mln dollarë. Nga dolën ato 6 mln dollarë? Ku i gjeti ato para? Apo 7 herë 7 tani na bëjnë 6 milionë?!”, u shpreh Rama mes të tjerash.
Komente

DOJE TA BLEJE ILIR VRENOZIN ME NJE KAFE,,,,,AI ESHTE PRONAR TOKASH NE PERMET,,N.Q.S.I DO PRONARET KTHEJI PRONAT VRENOZIT NE PERMET....PALACO KRYEMINISTER...
Përgjigju