Aksioni për lirimin e hapësirave publike po vijon me intensitet në të gjithë vendin. Pronarët e subjekteve të ndryshme që kanë zaptuar trotuaret po shkulin tendat dhe rrethimet, ndërsa për ata që nuk zbatojnë urdhrin, ndërhyjnë autoritetet e bashkisë duke i shembur.
Kryeministri Edi Rama ka ndarë mëngjesin e sotëm në Facebook postimin e radhës nga ky operacion, nga qarku i Shkodrës. Ai e quan “Rilindja Urbane 2.0 me një program të ri qeveri-bashki-komunitet-sipërmarrje dhe me qëllim Shqipërinë në BE më 20230.
“Mirëmëngjes! Dhe me çlirimin e hapësirave publike në Shkodër, që vazhdon si në një sërë qytetesh të tjera, për t’i hapur rrugë Rilindjes Urbane 2.0, me një program të ri qeveri - bashki - sipërmarrje - komunitet, në funksion të cilësisë së hapësirave komunitare e të Shqipërisë 2030 në BE, ju uroj një ditë të qetë”, shkruan kryeministri.
Kryeministri Edi Rama ka bërë një tjetër reagim për aksionin e ndërmarrë për lirimin e hapësirave publike.
Teksa ka ndarë një video të një gomisterie që ka zënë hapësirën publike, kreu i qeverisë shprehet se ky aksion është vetëm fillimi drejt kthimit të hapësirave që i përkasin komunitetit si dhe përgatitjes së qyteteve për hyrjen në Bashkimin Evropian.
“Më shumë hapësira të lira e më pak ndotje në çdo komunitet si fillim dhe pastaj më tej, më shumë gjelbërim, më shumë kënde komunitare për të gjithë, më shumë aktivitet ekonomik i formalizuar dhe qytete më europiane, më të pastra, më të bukura, më të gatshme për Shqipërinë 2030 në BE. Ecim”, shkruan Rama.
Kryeministri Edi Rama ka postuar në rrjetin e tij social, një tjetër video nga aksioni për lirimin e hapësirave publike. Këtë herë vëmendjen e ka marrë qyteti i Durrësit.
Kryeministri thotë se do të rivendoset qartë kufiri mes lirisë publike për të lëvizur e marrë frymë lirisht dhe të drejtës për aktivitet ekonomik të subjekteve private, gjithnjë në respekt të komuniteteve.
“Edhe në Durrës vazhdon çlirimi i hapësirave publike, për t’i hapur rrugën Rilindjes Urbane 2.0 që do të rrisë cilësinë e jetës komunitare dhe përmasën e gjelbër të qyteteve tona të mëdha, ku do të rivendoset qartë kufiri mes lirisë publike për të lëvizur e marrë frymë lirisht dhe të drejtës për aktivitet ekonomik të subjekteve private, gjithnjë në respekt të komunitetit”, shkroi Rama.
Komente
