Politikë

Rama nga Saranda: PS s'e ka tradhtuar kurrë interesin kombëtar! Bufi na kishte lënë namin e zi në Europë! Nëse doni rripin e Vangjel Dules, votoni bufin!

3 Maj, 17:47| Përditesimi: 3 Maj, 22:18

  • Share

SARANDË- Në mitingun përmbyllës në Sarandë, kryetari i PS-së Edi Rama u prit me iso-polifoni e këngë patriotike. Nuk munguan edhe ironitë për kreun e PD-së Sali Berisha dhe kandidatët e tij në qarkun e Vlorës. Rama tha se "bufi hëngri kandidatët e primareve, gjelin e Peqinit Dash Sula, të Kavajës", kurse në krahun e PS shtoi se ka "mozaik kandidatësh" si Ardit Bido dhe të tjerët.

Madje ironisë nuk i shpëtoi edhe kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule, që është kandidat i ADSHM-PD për qarkun e Vlorës:

"Nëse e duan më të zgjuar se veten, ja ku e kanë (i referohet kandidatëve të PS në Sarandë). Nëse duan një çyryk që të ketë rripin e pantallonave të Vangjel Dules, ja tek e kanë (duke treguar ppër krahun tjetër të kundërshtarëve)”.

Sarandjotëve u kërkoi të mos gënjehen nga partitë e vogla, teksa i konsideron pasardhëse të LSI-së.

"Atyre të vegjëlve që vijnë vërdallë, mos e harroni: Mos ujisni barin e keq se rritet! Mos e ujisni! Imagjino që tani, pa pasur asnjë vend në parlament, pa qenë provuar një herë përpara popullit, thonë po na erdhi në dorë ne, ne do shkojmë në zgjedhje të parakohshme. A e kuptoni ju tani? Ne duhet të mbyllim negociatat deri në 2027-tën se mbyllet dera dhe mund të mbetemi si Maqedonia dhe nja 20 vjet të tjera jashtë, këta thonë do të shkojmë në zgjedhje të parakohshme. Po pse do shkojmë në zgjedhje të parakohshme? Ekzaktësisht për të njëjtat arsye që u krijua e ndjera LSI. Për të njëjtat", tha Rama. 

Batutat nuk i kurseu as për PD-në, teksa risjellë në vëmendje primaret e kësaj force politike.

Këtu (në Sarandë), bufi, këneta hëngri kryetarin e PD-së këtu, nuk e njoh, s’e kam idenë fare, por di që është fitues i primareve. Ku është, hë? E ka ngrënë bufi, e hëngri! Ka ngrënë edhe atë të Kavajës. Këta sa herë i ha bufi, kanë ngrënë atë që u tregon bufi. Po Dash Sula, gjeli detit të Peqinit. Dashi, gjeli detit, po s’është i kënetës ai. Dogji dhe xhaketën Dashi dhe bufi e hëngri. Nuk është më Dashi”, tha Rama.

Kryesocialisti u premtoi sarandiotëve se do të ketë riinvestim madhor për të garantuar ujë të pijshëm cilësor gjatë verës për qytetarët dhe turistët.

“Faleminderit kryetarit të bashkisë që na bashkoi në një kohë të mirë, na premtoi kohë të mirë, pastroi qiellin dhe koha është e mirë.
Sa herë kam ardhur këtu kam gjetur jo vetëm kantiere të reja, por edhe njeri të përkushtuar si kryetar bashkie, qytet gjithmonë edhe më shumë energjik. Shumë gjëra kanë ndryshuar në Sarandë dhe kur ju mbështetët atë, ne mbështesim edhe më shumë Sarandën.
Këtu është bërë investim goxha i rëndësishëm për ujin në vitin 2015. Këtë po them... ta mbaroj fjalinë e shkretë pra... ta mbaroj (i drejtohet dikujt në shesh)... se thashë por! Në Sarandë është bërë investim shumë më tepër sepse është shtuar numri i konsumatorëve, sepse ka fluks të turistëve për sezonin, që janë të mirëseardhur, e vjen rënia e furnizimit si pasojë e fluksit. Ndaj ka nevojë për investim tjetër më të madh e të mëtejshëm”, u shpreh Rama.

Ai i cilësoi zgjedhjet si më të rëndësishmet në histori dhe një shans që nuk duhej humbur, pasi dera e BE-së mbyllej. Ai tha se edhe pse PS ndër tre dekada ka bërë edhe gabime, "kurrë s'e ka tradhtuar interesin kombëtar", duke shtuar se partitë e reja kanë vetëm "interesa të vogla" e që "i ngjajnë atyre të LSI-së ndjesë pastë".

“PS ka bërë gabime, por kurrë s'e ka tradhtuar interesin kombëtar. Partitë e vogla kanë interesa të vogla, që i ngjajnë ndjesë pastë LSI-së. Këto janë zgjedhjet dhe momenti më historik i vendit që nga viti 1992, zgjedhjet e 22 marsit kur u votua PD, sepse ajo parti ishte në kohën dhe vendin e duhur dhe jo se njerëzit ishin me PD. Vota juaj ka peshë historike në funksion të një qëllimi europian, peshë historike për integrimin në BE. Asnjëherë më parë, apo në zgjedhje të tjera nuk ka qenë e shtruar në rend dite, por ka qenë vetëm aspiratë.

Që nga koha e Skënderbeut, heroit tonë kombëtar, një ëndërr e tij e nipërve të tij, stërnipërve e më pas, profeci që kaloi te rilindasit tanë që u bë amanet duke zgjedhur alfabetin, që ishte alfabeti latin dhe thanë se “dielli lind andej nga perëndon”, e lanë me shkrim, sepse ne duhet të ishim me Europën e jo Azinë. Pastaj ndodhën ato që ndodhën, fatkeqësi, ku shumë herë ne ia lënë fajin të tjerëve, Europës, të jashtëmve, por po ta shohim me realitet, s’ia kanë bërë të huajt, atë që shqiptarët e mbrapshtë ia kanë bërë këtij vendi”, vijoi kryeministri, duke shpjeguar për mundësinë që i ka ardhur vendit.

Kryesocialisti kujtoi edhe kalvarin e shqiptarëve në emigracion dhe vështirësitë për njohjen e pensioneve, teksa vlerësoi Italinë dhe kryeministren Xhorxhia Meloni të cilën e quajti edhe “motra ime”, për firmosjen e marrëveshjes.

“Nëse ka një pjesë të popullit që mund ta kuptojë deri në fund vlerën e asaj pasaporte, janë të gjithë ata shqiptarë dhe shqiptare që morën arratinë në vitet 90 vetëm me rrobat e trupit, të leckosur pa asnjë gjë, me fëmijët në krahë, kaluan nëpër male dhe shkuan në Greqi. Sot janë në ankth të madh, pensionin. Një pjesë kanë dalë, një pjesë në proces e të tjerë do dalin, një kalvar vitesh vuajtjesh, që do u kthehet në pension, sepse ata kanë punuar edhe në të zezë si skllevër në të zezë, por kanë punuar shumë edhe me sigurime për pension dhe nuk e kanë sigurinë. Por për ta pasur duhet që qeveria greke të merret vesh me ne dhe ne me të, siç u morëm vesh për vite e vite të tëra me Italinë. Dhe kjo fal miqësisë time dhe lidhjes time me atë motrën atje, në Itali (Xhorxhia Meloni). Dhe u deshën sa vite e miratime 7-8 miratime, ik andej e këndej, sa në thoshin shqipot na mashtrove, na gënjeve, se vetë vuajnë ata e dinë, kurse mua ma kërkojnë me kohë, por ata e dinë burokracinë”, u shpreh ai. 

Ndërsa shpjegoi edhe se si mund të shmangen zvarritjet e këtij procesi me Athinën, duke votuar masivisht më 11 maj për integrimin në BE.

“Po me grekët si do bëjmë? Por tani që yjet tona janë bashkuar me të Europës, BE ka hapur derën, në këtë moment ne mund ta anashkalojmë të gjithë negociatën bilaterale me atë pasaportën e BE, sepse në momentin që shqiptarët e marrin atë pasaportë, kuqezi, është e mjaftueshme dhe e barabartë me atë bardhe-blu e të tjerat, të bën automatikisht qytetar të barabartë të BE dhe të njihen pensioni, sigurimet shoqërore, sistemet e mbështetjes, të drejtat juridike, studentët e barabartë që nuk do vuajnë, faktikisht dhe pa ekzagjërim, si të nisesh nga Saranda deri në Vlorë, me ato ligje të barabarta, e të nisësh nga Italia, Spanja e deri në Portugali. Mirë, mo mirë se duke bërë Rama-Rama nuk dëgjuat këto të pasaportës (bën batutë). Por jo vetëm se je i barabartë, ke të drejtën si qytetar europian, por edhe të kandidosh atje për këshilltar, kryetar bashkie, deri eurodeputet në PE, në atë shtet atje ku je. E vetmja gjë që s’bën dot atje me atë pasaportë, është për ministër dhe deputet atje, por shqiptarët për ministër e deputet vijnë këtu, sepse tani kemi dhe votën e diasporës”, shpjegoi më tej kreu i qeverisë.

Vota për PS-në është më shumë se për një mandat tha Rama, por një hap më afër BE.

Ora 19:53
‘Ne kemi mozaik!’ Rama krahason kandidatët në Sarandë: Mos e nënvlerësoni bufin, po përgatit historinë me vjedhje zgjedhjesh! Në kënetë s’mbillet grurë, ta thajmë

Kryesocialisti Edi Rama, teksa prezantoi edhe kandidatët e Sarandës për zgjedhjet e 11 majit, duke cilësuar si “mozaik”, u shpreh se në krahun tjetër ka “kënetë ku nuk mbillet grurë”.

Kreu i qeverisë nuk i kurseu batutat për kundërshtarët, por edhe me të pranishmit, teksa humori shoqëroi fjalimin e tij në pjesën e fundit.

“Kurse këtej nga krahu unë keni një mozaik, si pilurioti kokëfortë, na (bën me dorë shenjën e kokëfortësisë), di vetëm drejt, e tha edhe vetë. Keni Delvinjot këtu, keni dy burra, për kë e keni (i drejtohet dikujt)? Ajo tjetra, kandidatja po nga kjo zonë, është qershia në tortë, e kam në fund unë fjalën për të! Se kemi dy burra këtu, po flas për Arditin dhe Çuçin. Ardit Bido e ka kokën plot, ua kemi bërë kandidat këtu. Nëse doni burra të mençur, ja tek i keni”, tha ai mes të tjerash, duke shkaktuar edhe ovacione tek të pranishmit. 

Por kryesocialisti nuk harroi kundërshtarin e tij Sali Berisha, duke kujtuar se vota e 11 majit duhet të jetë masive dhe historike, si e 1992, pasi kreu i PD-së sipas tij ka nisur të përgatisë historinë e “vjedhjes së zgjedhjeve”.

“Nuk duhet nënvlerësuar as bufi, ka nisur të thotë historitë me vjedhje zgjedhjesh. Ndaj duhet të mobilizoheni me shoqe, mike, fqinje, flisni me gratë demokrate e burrat demokrate, duhet të flisni, të bëni dy gjëra, që t’u kujtoni pasaportën e kalamajve. Tjetra është vota për Shqipërinë, siç vajtën më 1992, nuk vajtën për partinë”, u shpreh ai.

Dhe në vijim ironizoi mbështetësit e PD-së, duke kujtuar se edhe kur Berisha “ha” fituesit e Primareve, edhe kur e fut Shqipërinë në gropë, ata përsëri kënetën votojnë:

“Por që të çohet burri botës, të lahet, të krihet, të vishet e të dali e të shkojë atje e të hidhet në kënetë me votën e tij. E të shkojë t’i bashkohet një politikani të pashpresë, që sa herë ka pasur mundësinë e ka futur Shqipërinë në gropë. E kur s’ka pasur mundësinë, ka futur kryetarët e tij në gropë, që fituan primaret këtu dhe gjithandej. E që të bëjmë rotacionin e famshëm historik, duhet të thajmë kënetën. Apo jo, e dini, nuk mbillet grurë në kënetë, edhe bufi e di (se je mik i bufit ti)”, u shpreh kryeministri.

Por nuk mungoi edhe përshëndetja për minoritetin në fund pas faleminderit në gjuhën shqipe:

“Kalispera, Sagapo, Agapi mu, kjo agapi është për të gjithë!”, përfundoi Rama.

 

Ora 19:33
Rama bën batuta me deputetin e PD: Bufi hëngri Dash Sulën, gjelin e detit të Peqinit se s’ishte i kënetës! Dashi dogji dhe xhaketën për të...

 

Kryetari i PS foli edhe për diferencat intelektuale mes kandidatëve të dy forcave të mëdha politike për zgjedhjet e 11 majit.

Ai vlerësoi kandidatët e PS si një “mozaik”, karshi atyre të PD-ADSHM si një “kënetë që duhet tharë”. Madje shtoi se edhe figurat më të mira që fituan Primaret e PD, “bufi i hëngri”, duke iu referuar në emër edhe deputetit Dashnor Sula si precedent.

“Më falni zonjat nëse ju kam dalë në frigorifer sepse nuk bëni dot darkën kur vijnë burrat në shtëpi dhe nuk gjejnë gjë, e po nuk keni bërë darkën gati ata s’janë në vete për ditë me radhë dhe asgjë. Këtu (në Sarandë), bufi, këneta hëngri kryetarin e PD-së këtu, nuk e njoh, s’e kam idenë fare, por di që është fitues i primareve. Ku është, hë? E ka ngrënë bufi, e hëngri! Ka ngrënë edhe atë të Kavajës. Këta sa herë i ha bufi, kanë ngrënë atë që u tregon bufi. Po Dash Sula, gjeli detit të Peqinit. Dashi, gjeli detit, po s’është i kënetës ai. Dogji dhe xhaketën Dashi dhe bufi e hëngri. Nuk është më Dashi”, tha Rama.

Kryesocialisti shtoi se është paradoks që në këtë situatë “të votosh kukullat e bufit”. Ai nënvizoi se edhe ndaj tij hidhen akuza të shumta e fyerje, teksa e kritikojnë kur u përmend shprehjet si “çyrykë politikë”, “kënetë”, “buf” dhe të tjera.

“Ça janë këta njerëz tani, do vemi të votojmë për kukullat e bufit. S’e na thonë që i shaj ata, e s’po i them, se kur më thonë mua drogaxhi e kriminel, unë duhet të duroj. Pra këtej keni kandidatët e bufit, që nuk vlejnë për asgjë”, shtoi ai.

Ora 19:19
“Ça Vangjeli mo...” Rama ironizon kreun e PBDNJ-së: Nëse duan një çyryk që të ketë rripin e pantallonave të Vangjel Dules...

 

Kryesocialisti Edi Rama nuk i mungoi ironitë për kundërshtarët politikë dhe kandidatët e “kënetës” siç i quan ai në fjalimet elektorale.

“Shënjestra” e radhës ka qenë kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule, në aleancë me PD-në dhe kandidat në qarkun e Vlorës për zgjedhjet e 11 majit.

Teksa foli nga sheshi në Sarandë, kreu i të majtës nënvizoi se PS ka kandidatët më të mirë, kurse krahu tjetër ka “rripin e pantallonave të Vangjel Dules”.

“Nëse e duan më të zgjuar se veten, ja ku e kanë (i referohet kandidatëve të PS në Sarandë). Nëse duan një çyryk që të ketë rripin e pantallonave të Vangjel Dules, ja tek e kanë (duke treguar për krahun tjetër të kundërshtarëve)”.

Rama e vijoi batutën e tij para mbështetësve, duke iu drejtuar një tjetër kandidati socialist të zonës së Sarandës, që kur u prezantua përshëndeti minoritetin e Finiqit edhe në Greqisht.

“A dëgjon ti sagapo, (ngrihet kandidati) Sagapo i them atyre në Finiq, u çua ky, jo ti, se na turpërove. Apo nuk jemi dhe të dy pa flokë. A u the atyre sagapo qëparë ti, që ta dëgjoja unë?! Fjalën e fundit e kam (për Vangjelin, i thotë dikush). Ça Vangjeli mo, e kam fjalën e fundit për gratë! 56% e mbështetësve janë gra e vajza.  Për gratë dhe për vajzat, 58 %, - o dëgjo këtu ti dhe mos bëj si i fortë se të sheh gruaja në televizor dhe të thotë hajde pak këtu, çfarë kishe? – pra 58 % e grave dhe vajzave në Shqipëri mbështesin këtë forcë politike. Tani kush është burrë i mençur e di shumë mirë se po pati mbështetjen e gruas është edhe më i mençur, është edhe më i sigurtë, është edhe më i fortë. Kush është çyryk kujton se është më i mençur se gruaja, më i fortë se gruaja, më i zoti se gruaja dhe kjo është një nga arsyet pse ne fitojmë se kemi me vete kryesoret....”, u shpreh kryesocialisti.

Ora 18:41
'Mos e ujisni barin e keq, se rritet...!' Rama për partitë e reja: Kanë interesa të vogla, cikli i dytë i të ndjerës LSI! PS s'e ka tradhtuar kurrë interesin kombëtar

 

Nga Saranda, kryesocialisti Edi Rama “shigjetoi” këtë të shtunë edhe partitë e reja e të vogla.

"Partitë e vogla janë për interesa të vogla. Një parti e madhe si PS është për interesin kombëtar dhe kaq e vërtetë është kjo, sa po të kthehesh mbrapa, PS mund të ketë bërë shumë gabime në këto 35 vjet , mund të ketë patur momente jo për t’u krenuar, por nuk ka asnjë moment që ta ketë tradhëtuar interesin kombëtar, asnjë, zero. Prandaj na duhet fuqi, na duhet një mesazh i fortë, përtej shumicës së zakonshme, na duhet një mesazh që ne populli shqiptar e duam shqipërinë në BE. 50.10 Kjo është shumë më tepër sesa një zgjedhje, kjo është një përmbushje e një misioni historik", tha kreu i mazhorancës.

Por edhe fjalën e fundit të tij kryeministri e mbajti për partitë e vogla, duke këshilluar qytetarët që të "mos ujisin barin e keq, se rritet" e që kanë të njëjtat arsye që kërkojnë zgjedhje të parakohëshme, sikurse "ato për të cila t u krijua LSI-ja".

"Atyre të vegjëlve që vijnë vërdallë, mos e harroni: Mos ujisni barin e keq se rritet! Mos e ujisni! Imagjino që tani, pa pasur asnjë vend në parlament, pa qenë provuar një herë përpara popullit, thonë po na erdhi në dorë ne, ne do shkojmë në zgjedhje të parakohshme. A e kuptoni ju tani? Ne duhet të mbyllim negociatat deri në 2027-tën se mbyllet dera dhe mund të mbetemi si Maqedonia dhe nja 20 vjet të tjera jashtë, këta thonë do të shkojmë në zgjedhje të parakohshme. Po pse do shkojmë në zgjedhje të parakohshme? Ekzaktësisht për të njëjtat arsye që u krijua e ndjera LSI. Për të njëjtat", u shpreh Rama.

A.Q/SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • bledi: 04/05/2025 05:54

    Saranda te votoje psrtite e reja.....

    Përgjigju
  • Iris: 04/05/2025 03:47

    Ta paskan futur lepurin ne bark kesaj rradhe te vegjelit o Rame,se e di shume mire qe keta te vegjelit e sotem nuk jane si te vegjelit e dikurshem qe rreshtoheshin pas PD e PS e u benin fresk juve dy te medhenjve,keta jane lloj tjeter,jane te rrezikshem se jane te pavarur e te hane ne vota.Mund te mos fitojne,por jeten politike do te t'a bejne me te veshtire.S'ka me /bulevard/ zgjedhjesh as per ty,as per PD,PL.

    Përgjigju
  • George: 03/05/2025 18:12

    Profesor Ardit Bido besoj se do te zgjidhet unanimisht deputet ne Kuvendin e Shqiperise.

    Përgjigju
    • Mara emigrante ne Itali: 04/05/2025 09:40

      E çfar frike shikon moj zonjush a zone te Edi per partit e reja , te cilet u shkeputen nga pd kur i ra bomba ? PS i ka mundur kur kane qene te bashkuar e jo tani qe jane shperndare si zogjte e korbit .PS e vetmja parti qe solli ndryshimin , po qorrat nuk kane sy ta shikojne .Shqiperia 2030 Fitore

  • Sondazhi i ditës:

    Zgjedhjet, a mendoni se partitë e reja do të marrin deputetë në Kuvend?