Kryeministri Edi Rama ndodhet në Romë për të marrë pjesë në Konferencën e Rimëkëmbjes së Ukrainës, një nga forumet më të rëndësishme ndërkombëtare të këtij viti, që ka si qëllim mbështetjen për Ukrainën dhe rindërtimin e saj pas pasojave shkatërruese të luftës.
Kryeministri Rama iu drejtua këtij forumi me fjalën e rastit, duke theksuar angazhimin e Shqipërisë për të mbështetur Ukrainën në këtë periudhë të vështirë dhe për të kontribuar në procesin e rindërtimit të vendit pas luftës.
Ai tha se ndonëse që Shqipëria është një vend i vogël dhe jo me fuqi vendimtare në fushën e betejës, besnikëria ndaj diskursit dhe vendimeve të Perëndimit është e palëkundur.
"Çfarë të them, Shqipëria është një vend i vogël, me burime modeste. Ajo nuk ka fuqi për të ndryshuar shumë në fushë-betejë, por kemi qenë dhe do të jemi së bashku me Italinë dhe me miqtë e partnerët europianë kudo e kurdo që Ukraina do të ketë nevojë për ne të jemi. Duke qenë se na u tha të flisnim vetëm 3 minuta dhe unë dua të udhëheq në fund të fundit përmes shembullit, dua vetëm të them që kushdo foli përpara meje, e kushdo do të flasë pas meje, ka thënë e do të thotë mjaftueshëm që unë të mos mund të shtoj diçka me interes që ju të shpenzoni kohën. Megjithatë dua të ndaj me ju në këtë qytet që jo shumë kohë më parë i dha lamtumirën një njeriu të madh paqeje, që quhej Papa Françesku, që ndërkohë që mbështesim Ukrainën të luftojë e po kështu të rindërtohet, ne duhet të bëjmë maksimumin që të mos e lëmë paqen në rreshtin e dytë të mendimeve tona. Nuk duhet ta lëmë fjalën “paqe” të ndajë më tej shoqëritë tona demokratike e të tjetërsojë pjesë të tjera të shoqërisë sonë e të mbjellë mosmarrëveshje midis shoqërive tona. Nuk duhet të lëmë askund po kështu, jashtë kufijve të Europës demokratike të na japë leksione ne, Komunitetit Europian se çfarë është paqja e lufta e si tingëllon kjo paqe",- tha Rama.
Kryeministri theksoi se nevoja e një plani konkret dhe të fuqishëm për paqen, është nevojë thelbësore.
"Ne nuk jemi komunitet luftënxitës dhe Ukraina nuk është agresori e as autori i kësaj lufte të përgjakshme në dyert e Europës, ditë e natë. Askush nuk ka një formulë magjike sigurisht, e unë aq më pak. Të flasësh për paqen nuk e ndal luftën e as nuk e bën Vladimir Putinin një paqedashës. Sidoqoftë, dua ta përmbyll duke ndarë me ju bindjen se ndërkohë që po bëjmë të gjitha gjërat e duhura për të mos ta lënë në baltë Ukrainën, ne nuk do të jemi të fortë mjaftueshëm për t’i dhënë fund kësaj lufte, për të shpëtuar Ukrainën në qoftë se nuk kemi plan tonin të fuqishëm, kurajoz e tërheqës për paqen. Paqja është e vetmja e ardhme për të cilën mund të flasë Europa. E ashtu siç tha dikur Papa i ndjerë Françesku në Romë, ndjej praninë jo të së shkuarës, por të së ardhmes. Faleminderit",- mbylli fjalën e tij kreu i qeverisë së Shqipërisë.
Ky forum, i mbështetur nga liderët botërorë, përfaqësues të lartë të Bashkimit Europian, G7-ës, organizatave ndërkombëtare, institucioneve financiare dhe sektorit privat, ka si qëllim koordinimin e ndihmës konkrete dhe investimeve strategjike në sektorët kyç në Ukrainë.
Në fjalimin e tij në Konferencën për Rindërtimin e Ukrainës, që u zhvillua në Romë, kryeministri Edi Rama u shpreh se kishte premtuar të fliste “në mënyrë të pazakontë shkurt”, ndërsa falënderoi Kryeministren italiane Giorgia Meloni për organizimin, duke e quajtur atë “motrën e tij të dashur”.
“Motra ime e dashur Giorgia Meloni i kujtoi të gjithëve sot se të gjitha rrugët të çojnë në Romë. I dashur Antonio, ka qenë një përvojë e shkëlqyer, një udhëkryq gëzimplotë, kaotik dhe i paqtë që keni organizuar këtu për t’i treguar të gjithëve se nuk ka një vend më të sigurt se Italia”, u shpreh Rama.
Ai shtoi se të gjitha protokollet e sigurisë janë të pakuptimta në një vend si Italia, duke iu referuar edhe pranisë së Presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky:
“Jam i sigurt që edhe Volodymiri e ka shijuar morinë e humanizmit këtu, ku të gjithë truprojat e tij për herë të parë që prej luftës janë ndjerë të padobishëm.”
Komente
