Kryesocilisti Edi Rama zhvilloi këtë të dielë një takim me studentë dhe pedagogë në Vlorë, ku foli për përmirësimin e sistemit universitar përgjatë viteve të fundit dhe përpjekjet e vazhdueshme për ta zhvilluar më tej.
"Na u desh fillimisht të bëjmë një pastrim të madh të sistemit. Kemi mbyllur 40 institucione të arsimit të lartë që vetëm bënin biznes. Sot janë 40 programe të përbashkëta studimi në të tre ciklet e studimit në bashkëpunim me institucione ndërkombëtare. Janë 90 programe në gjuhë të huaj",-tha Rama
"Ajo që është më impresionuese në vitin 2024 është që 2594 studentë dhe staf shqiptar kanë përfituar nga programet e shkëmbimeve ndërkombëtare, ndërkohë 1693 studentë dhe staf ndërkombëtar kanë marrë pjesë këtu në programe shkëmbimi. Nuk do të thotë që duhet të jeni të kënaqur me kaq, por është një rrugë e hapur. Beteja duhet të jetë e dyanshme: nga ana jonë të rrisim kapacitetin në aspektin logjistik, fondet në kërkimin shkencor, dhe të tjera; nga ana juaj, nga ana e stafeve akademike, për të intensifikuar marrëdhëniet ndërkombëtare. Unë besoj që Universiteti i Vlorës ka një potencial të madh të pashfrytëzuar dhe kam shumë besim që jemi në rrugën e duhur. Ju e dini që unë besoj te gratë më shumë se te burrat, nuk kam ndërmend ta korrigjoj këtë dobësi, kam shumë respekt për ish-rektorin, por jam më entuziast për rektoren",-tha Rama.
"Do të hapim në Vlorë Akademinë e Aviacionit dhe synimi është që të jetë një akademi rajonale, ku të kemi edhe studentë të huaj për të përgatitur pilotët për të gjitha llojet e mjeteve të fluturimit, dhe më vjen shumë mirë se ky është hapi i parë, sepse pastaj duhet të fuqizojmë edhe pjesën tjetër që ka të bëjë me industrinë detare. Kemi së shpejti edhe një marrëveshje tjetër me Ficanterin e Italisë për të rivitalizuar kantierët e mirëmbajtjes dhe ndërtimit të anijeve këtu në Vlorë",-tha Rama,
Lajmi kryesor:
Rama në Vlorë: Brenda 2030 paga minimale do jetë 650 euro! Do ndërtojmë një spital të ri të nivelit të lartë, që nga rajoni të vijnë të kurohen në Shqipëri
K.M/ReportTv.al