Nga një takim me të rinjtë në Kamëz, kryesocialisti Edi Rama foli për anëtarësimin në BE. Rama tha se pasaporta e BE ofron një status i ri për të gjithë shqiptarët.
“Dua t’iu them se ajo pasaporta aty është një dokument që nuk është një dokument udhëtimi, i ri që zëvendëson të vjetrin, që ka të shkruar Bashkimi Europian e që na jep mundësinë për të shkuar atje. Është diçka krejt tjetër, kjo pasaportë është një status i ri për krejt shqiptarët. Me pasaportën që kemi sot, ne hymë në çdo kufi të BE nga një korridor tjetër. Thonë dil pak këtej, futu në radhë shkon te polici, fillon pyetjet, ku do shkosh, sa lek ke me vete, kush të ka ftuar, sa do rrish. Vjen pyetja e tmerrshme, kur do ikësh, ndërkohë ti sa ke vajtur. Sepse ne kemi liri lëvizje pa vizë, kjo është e vërtetë, por nuk kemi liri qëndrimi. Ne duhet të vetëm të lëvizim, nuk mund të rrimë. Nuk jemi qytetarë të BE, jemi qytetarë të Shqipërisë. Për BE jemi të huaj. Kjo pasaportë të bën të identifikohesh si një nga qytetarët e barabartë të BE. Me këtë pasaportë futesh në Francë, Itali, Suedi , ke të njëjtat të drejta që kanë bashkëmoshatarët e tu italianë. Nëse ju doni të shkoni të studioni në BE jeni të huaj. Duhet të gjeni rrugën të gjeni një vend përmes kuotave që ka be për studentë të huaj. Pastaj keni detyrimin të paguani tarifa të tjera nga ato që paguajnë studentët e BE. Nëse iu duhet një ndihmë mjekësore, nuk merrni të njëjtin trajtim si të tjerët. Nëse doni të kërkoni një punë, juve s’keni mundësi fare ta kërkoni, se nuk keni leje për punë. Duhet ose të kërkoni azil. Me atë pasaportë mund të kërkoni punë ku të doni, mund të ktheheni prapë, mund të shkoni prapë. BE bëhet njësoj si Shqipëria për secilin nga ne”, tha Rama.
Lajmi kryesor:
Rama me të rinjtë nga Kamza: Dua rezultat spektakolar, humbët vite nga besnikëria e verbër ndaj kënetës! ‘Noc rrokun’ ua prezantojmë më 12 maj
SI.E./I.M/ReportTv.al
