KAMËZ- Në takimet elektorale të Partisë Socialiste s’ka më flamur partiak. Nga Kamza, ku kryesocialsiti Edi Rama u takua me të rinjtë, ata u shfaqën në duar vetëm me flamujt e Shqipërisë dhe të Bashkimit Europian. Integrimi në BE është tashmë ‘kali i betejës’ dhe premtimi kryesor që Rama u ofron shqiptarëve duke u kërkuar mandatin e katërt.
Nga Liqeni i Paskuqanit, një hapësirë e transformuar nën drejtimin e socialistëve, Rama u kujdes të theksojë ndryshimin që vendi ka pësuar duke thënë se “sa shumë vite u humbën nga besnikëria e verbër ndaj një partie a thua se vota është një biletë për të shkuar në stadium dhe a thua se besimi për t’ia dhënë votën dikujt, është një fanellë tifozi për një skuadër”, tha Rama.
Kreu i PS kërkon rezultat spektakolar jo vetëm në Kamëz, por kërkon notën 10 për fitoren e 10-të. “Këtë herë ne duhet të nxjerrim nga lumi i 11 Majit një rezultat që është më i miri i të gjithë rezultateve. E kemi fituar 9 herë, duhet ta fitojmë 10. Kjo duhet të jetë fitorja e 10. Me notën 10-të”, tha Rama.
Ndërsa të rinjve u premtoi pasaportën europiane, për kundërshtarët politikë shefi i selisë rozë pati këtë mesazh: “Ata dinë vetëm Noc rrokun. Noc rrokun do ua prezantojmë më 12 maj.”
Rama u shfaq në takim me bluzën e zezë me yllin europian, që duket se do ta shoqërojë gjatë gjithë fushatës.
Kryesocialisti Edi Rama e ka mbyllur takimin e sotëm me të rinjtë në Kamëz, duke bërë thirrje për t’u dedikuar në fitoren e 10-të të Partisë Socialiste. Sipas Ramës, këtë herë do duhet të jetë ‘edhe me qamet’, siç e quan ai, ‘vrullin’ e fitores në 11 maj.
"Kamza ishte një rrufe që, siç e keni parasysh, del drita njëherë dhe pastaj del zhurma, e pastaj furtuna. Kamza doli e para, se kishte votim elektronik, edhe veçse kur pastaj erdhën bubullimat dhe pastaj erdhi breshëri dhe u bë qamet. Këtë herë qameti duhet të jetë dhe më i madh. Këtë herë ne duhet të nxjerrim nga lumi i 11 majit një rezultat që është më i miri i të gjithë rezultateve. E kemi fituar 9 herë, duhet ta fitojmë 10. Kjo duhet të jetë fitorja e 10. Me notën 10-të."-përfundoi Rama.
Kryetari i PS, Edi Rama, nga Kamza ironizoi edhe kryetarin e PD-së, Sali Berisha, për deklaratat që bënte kur ishte në qeverisjen e tij, se "Shqipëria në ekonomi renditej e dyta pas Gjermanisë".
“...se ishim të dytët ne pas Gjermaninë, kur ishte bufi i kënetës. Atëhere patjetër që ishim shumë më lart, tani nuk jemi të dytët pas Gjermanisë (bën ironi me Berishën)", tha Rama.
Kryesocialisti iu rikthye edhe njëherë projektit të integrimit në BE, duke renditur edhe shkaqet përse duhet BE-ja dhe të mirat që vijnë prej saj.
“Kini parasysh se BE nuk është vetëm pasaporta, por merr një status që asnjëherë shqiptartë nuk e kanë pasur, as prindërit s’e kanë pasur, as gjyshërit dhe as gjyshërit. Merr status që nuk e kanë pasur asnjëherë në këtë kontinent. Por çfarë përfiton Shqipëria. E para Siguri, tani lufta është në kufi me Europën, nuk është situata siç ishte dhe as Shqipëria. Dhe shumë mirë që jemi me ata, të jemi atje.
Ana tjetër është ajo ekonomike, ka përfitues dhe dhënës. Ne hyjmë te përfituesit, të vegjlit. Ne BE na ka mbështet deri tani me 1 mld euro, 90% e tyre kredi, e butë por kredi. Kurse tani në vit do i marrim gati 1 mld euro dhe pjesa më e madhe e saj është grant, e falur. Programete BE për rininë, mbështetja financiare për start-up, për të rinjt në fshat, fëmijët, fëmijët me probleme varfërie e me radhë,ë shtë e jashtëzakonshme”, shpjegoi ai.
Dhe drejt fundit të fjalës, u kujtoi të rinjve të pranishëm me batutë për bindjet politike, që nëse të dashurat apo të dashurit e tyre ishin me bindje politike të kundërta, t’i bindnin për të votuar numrin 5 dhe të ardhmen europiane.
“E t’i thoni të dashurve apo të dashurave tuaja që janë me bindje të tjera, që të du me status të barabartë, të du me standarde europiane, qytetar europian dhe jo vetëm kamzali. Dua që të vish me mua dhe të votosh si europian, të votosh PS. Të gjitha ato gocat që kanë të dashur që janë me bindje të tjera, duhet t’i vini kusht: dëgjo, ti më pëlqen mua, unë të dua ty me status të barabartë me çdo lloj të huaji se ndryshe… të dua qytetar europian jo vetëm kamzali, kështu që pres prej teje të vish me mua dhe të votosh si mua. Po! Po si more le të jetë i bukur, i zgjuar sa të dojë, po a mund të rrihet me një çun që hudhet në kënetë më 11 maj? Ç’e do?! Se është çështje karakteri kjo! Por përtej shakasë që është më shumë se gjysma e së vërtetës, unë besoj se ju do ta bëni Kamzën që të shkëlqejë”, përfundoi Rama.
Nga një takim me të rinjtë në Kamëz, kryesocialisti Edi Rama foli për anëtarësimin në BE. Rama tha se pasaporta e BE ofron një status i ri për të gjithë shqiptarët.
“Dua t’iu them se ajo pasaporta aty është një dokument që nuk është një dokument udhëtimi, i ri që zëvendëson të vjetrin, që ka të shkruar Bashkimi Europian e që na jep mundësinë për të shkuar atje. Është diçka krejt tjetër, kjo pasaportë është një status i ri për krejt shqiptarët. Me pasaportën që kemi sot, ne hymë në çdo kufi të BE nga një korridor tjetër. Thonë dil pak këtej, futu në radhë shkon te polici, fillon pyetjet, ku do shkosh, sa lek ke me vete, kush të ka ftuar, sa do rrish. Vjen pyetja e tmerrshme, kur do ikësh, ndërkohë ti sa ke vajtur. Sepse ne kemi liri lëvizje pa vizë, kjo është e vërtetë, por nuk kemi liri qëndrimi. Ne duhet të vetëm të lëvizim, nuk mund të rrimë. Nuk jemi qytetarë të BE, jemi qytetarë të Shqipërisë. Për BE jemi të huaj. Kjo pasaportë të bën të identifikohesh si një nga qytetarët e barabartë të BE. Me këtë pasaportë futesh në Francë, Itali, Suedi , ke të njëjtat të drejta që kanë bashkëmoshatarët e tu italianë. Nëse ju doni të shkoni të studioni në BE jeni të huaj. Duhet të gjeni rrugën të gjeni një vend përmes kuotave që ka be për studentë të huaj. Pastaj keni detyrimin të paguani tarifa të tjera nga ato që paguajnë studentët e BE. Nëse iu duhet një ndihmë mjekësore, nuk merrni të njëjtin trajtim si të tjerët. Nëse doni të kërkoni një punë, juve s’keni mundësi fare ta kërkoni, se nuk keni leje për punë. Duhet ose të kërkoni azil. Me atë pasaportë mund të kërkoni punë ku të doni, mund të ktheheni prapë, mund të shkoni prapë. BE bëhet njësoj si Shqipëria për secilin nga ne”, tha Rama.
Kryesocialisti ka kujtuar pasditen e sotme nga Kamza, takimin e 2 viteve më parë në fushatën e 2023. Rama tha se kur është bërë takimi para dy vitesh, ai sapo kishte dalë nga spitali dhe kishte ardhur në liqenin e Paskuqanit, ku kërceu me një të moshuar. Rama kujtoi se ai kërcim u bë shumë viral.
"Kur po vija këtu, më kujtua që dy vjet përpara ishte ekzaktësisht 1 ditë pasi kisha dalë nga spitali dhe erdha këtu në Kamëz. Edhe pikërisht te ky liqen i Paskuqanit, bëra dhe një vallëzim me një zonjë që u bë viral. Iu thashë njerëzve të Kamzës që të na jepnin mundësinë ta vazhdonim punën e nisur dhe të na besonin që të na jepnin mundësinë që të bënim për Kamzën shumë më tepër akoma."-tha Rama
Një episod ka ndodhur ditën e sotme gjatë takimit të kryesocialistit Edi Rama me të rinjtë e Kamzës. Një zë nga rruga është dëgjuar gjatë fjalës së Ramës të thërrasë ‘Rama ik’. Rama i është përgjigjur thirrjes se ‘duhet një hudhër në këto raste’, duke e ironizuar.
"Po, po do iki, mos ki merak. Tha "Rama ik". Se duhet në këto raste gjithmonë, na duhet ndonjë hudhër, edhe sikur mos të na vijë, do duhet ta sajojmë.
Shumë faleminderit për solidaritetin, po për mua, unë do shqetësohesha sikur mos të dilte ai zëri i mbytur në kënetë. Unë këtu me ju, ai atje tek pullë."-tha Rama
Kryesocialisti Edi Rama e krahasoi Kamzën si epokat që ka kaluar Shqipëria. Nga një vend e zonë djerrë, e braktisur ku gjithkush mundohej të kaptë një copë tokë mes ferrash, në një park të lulëzuar, me pastërti, investime dhe zhvillim, e transformuar plotësisht.
Ai e cilësoi si një libër dhe një park që duhet të kthehet edhe më tej në një pyll të madh të gjelbërt.
Kryeministri nuk harroi të fliste edhe për pasaportën europiane, e cila tha se “është diçka krejt tjetër, një status i ri për shqiptarët”.
“Duan që të ndryshojë vendi ku jetojnë dhe duan që të jetë ndryshe. Nëse ka vend në Shqipëri ku realiteti është libër, tek shërbimi, gjelbërimi, ndriçimi, pastërtia e kështu me radhë, është pikërisht Kamza, për të parë sesi duke ia ngarkuar detyrën një njeriu të duhur, bëhet e mundur që shumë gjëra të bukura që nukkanë ndodhur më parë, të ndodhin e të bëhen realitet. Kur isha më parë këtu me ju nuk ishte kështu ky park, por të jeni të bindur se në fund të dekadës nuk do jetë kështu, por do jetë siç është ky park sot krahasuar me çfarë ishte, zonë komplet djerrë, e braktisur, ku gjithkush mundohej të kapte nonjë copë, ku kishte ferra e dhera, e nesër do të jetë destinacion i jashtëzakonshëm. Ashtu është ekzaktësisht e ngjashme edhe Shqipëria, si ky park, me këtë park, historia e këtij parku është historia jonë. Siç ishte parku më parë është Shqipëria që gjetëm dhe siç është sot është edhe vendi, që ka akoma, infrastrukturë që zhvillohet, filiza që janë mbjellë e po rriten, por ka shumë hapësirë tjetër për të mbjellë, për t’u bërë një pyll i bukur”, u shpreh kreu i qeverisë.
Drejtuesja politike Elisa Spiropali ka folur ditën e sotme në takimin elektoral me të rinjtë në Kamëz.
Spiropali ironizoi opozitën duke thënë se ‘opozita kërkon ta bëjë detin kos dhe të frenojë zhvillimin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare’.
"Madhështorët dhe qumështorët po duan të na bindin se deti mund të bëhet kos dhe ky liqeni i Paskuqanit mund të bëhet pilaf. Edhe të gjithë të marrin nga një lugë në brez. Nuk i gënjejnë dot njerëzit me gënjeshtra të rreme. Sepse ne e dimë që ëndrra më e vërtetë është puna, është vizioni në 12 vite, që nuk ka qenë aspak e lehtë që Shqipëria të jetë një vend i respektuar, por ka dinjitet në çdo tavolinë. Vetëm dje u çel një grup-kapitulli."-tha Spiropali.
Komente
