Kryesocialisti Edi Rama solli në retrospektivë gjatë diskursit të tij elektoral para grave dhe vajzave në Shkodër, të kaluarën e rivalit të tij Sali Berisha. Ai kujtoi detyrat si funksionar partie në kohën e komunizmit të kreut të PD-së, duke bërë analogji me akuzat që i hedhin Ramës këto ditë, si komunist.
Rama renditi edhe projektet dhe investimet për Shkodrën në këto vite nga qeveria, duke e nxjerrë nga rrënimi ku e kishte lënë PD-ja.
“Këta më thonë mua komunist dhe mbajnë vetë në krahë bufin sekretar partie, që ka persekutuar dhe internuar njerëz, i ka shërbyer edhe Partisë së Punës! Ku e la Shkodrën, në prapambetje. Tani Shkodra është ndryshe, ajo që bëmë ne për Shkodrën, nuk e di për ata burrat demokratë të PD-së këtu se çfarë mendojnë, teksa gjysmat e burrave këtu i kemi me ne. Vjet Shkodra buburronte nga turistët që vinin nga të gjitha anët, e vizitonin dhe madje ka realizuar të ardhurat më të mëdha në të gjithë historinë e vetë vitin e shkuar, me transformimin dhe turizmin e saj. Kurse jashtë Shkodrës kemi shumë për të thënë, ku akset ose janë të ndërtuara ose në ndërtim e sipër, e që unë e quaj kryeqendra e veriut të Shqipërisë. Ata e lanë Shkodrën dhe qytetet e qarkut të saj në rrënim, kurse tani ata që i kanë lënë këto zona mund të kthehen te oxhaku i gjyshërve”, tha ai.
Rama apeloi që Shkodra që dikur ka qenë e Europës historikisht, të ishte më 11 maj përsëri një qytet europian duke votuar për integrimin në BE dhe PS-në.
“Shkodra ka qenë dikur Europa e Shqipërisë, këtu ka qenë Europa e Shqipërisë. I takon Shkodrës që më 11 maj të marri një vendim domethënës, të marri vendim historik, asaj i takon, e këtë mundësi historike të derës së hapur të BE-së ta rroki e të mos shohë majtas e djathtas, por ta votojnë. Se ne jemi thjesht forca në vendin e kohën e duhur, për ta integruar vendin në BE, ashtu siç ishte PD më 1992, kur shumë shqiptarë shkuan e votuan masivisht. Sepse ishin zgjedhje jo politike, por ndarja nga e shkuara dhe e ardhmja, ndaj duhet të zgjidhni të ardhmen këtë herë më 11 maj, ndaj Shkodra të zgjedhë të ardhmen.
Në momentin që Shqipëria anëtarësohet në BE, është një Shqipëri e re, me forca të reja, me mundësi financiare të reja, me aleanca të reja, me kuptim krejt tjetër. Mbi të gjitha një Shqipëri që i jep të gjithë qytetarëve të vet, fëmijëve tuaj, pasaportën europiane, që nuk është dokument udhëtimi si kjo që kemi sot, pasaportën shqiptare, por është status dinjiteti e qytetarie europiane, që ky popull s’e ka pasur kurrë. Këto vite ka qenë përpjekje e madhe, mundësi e madhe, kokëfortësi e madhe për t’iu imponuar të tjerëve që ta meritojmë dhe ta marrim këtë mundësi, e që Shqipëria të jetë e respektuar, e besuar dhe vlerësuar, e kjo nuk mjafton”, u shpreh kryesocialisti.
Ndërsa përsëriti lajmin se më 16 maj vijnë në Tiranë të gjithë liderët e botës dhe Europës, kryesocialisti kërkoi votë masive si mesazh për arritjen e anëtarësimit dhe mbylljes së negociatave.
“Sepse më 16 maj të gjithë liderët do zbresin në Tiranë, sepse jemi të besuar e të vlerësuar, por në atë takim shqiptarët ende nuk do jenë qytetarë europianë, kurse me atë pasaportë do kenë status të barabartë dhe s’do kenë më nevojë të përpiqen për çdo gjë, sepse ajo pasaportë të jep barzinë para ligjit dhe qytetarëve europianë. Fëmijët tuaj do jenë studentë europianë me të njëjtat kushte, detyrime e pagesa si studentët e Europës. Shqiptarët do ndalojnë ku të duan, trokasin ku të duan, si të gjithë qytetarët europianë dhe në të gjithë BE-në, sikurse ne udhëtojmë nga Shkodra në Tiranë.
Por ta dini se BE nuk e mban atë derë hapur gjithmonë, hapet dhe mbyllet. Është hera e parë që ata hapin derën për ne, e nuk thonë fjalët e zakonshme se jo do jemi bashkë, jo do jeni këtu, por këtë herë na kanë dhënë 250 mijë faqe dokumente për negociatat e na kanë thënë bujrum, plotësoni këto negociatat e dokumentet dhe bëhuni anëtarë të BE-së. Kujdes se mund t’ju dal edhe në frigorifer këto ditë (bën batutë)”, vijoi ai.
Por ndërsa iu referua kundërshtarëve që e sulmojnë pse kërkon mandat të katërt, ai shpjegoi historikun gjeopolitik dhe vështirësive që Shqipëria pati në raport me BE-në këto vite.
“Të tjerët thonë ç’është kjo histori, ku pas 3 mandatesh Edi Rama na kërkon mandat të katërt? Kjo histori është e Europës dhe jo e imja apo e PS-së. Sepse po t’i kthehesh kësaj, po Mali i Zi që i hapi para nesh, po Serbia që kur i hapi ne ishim delja e zezë e Europës, po Maqedonia e Veriut që tani ka ndryshuar emrin, pse nuk janë këto ende në BE? Sepse ne tani jemi para tyre, sepse ne duhet të jemi gati për të hyrë atje dhe për më tepër ata duhet të jenë gati. Dhe tani ata janë gati, na kanë hapur derën.
Pasi dikur duhet të ishin të gjithë gati për hapjen, njëri të thotë, jo zgjasin në kohë, dhe neve na ndodhi kështu, për 3 vite nuk na i hapën negociatat. Por sot ata kanë rënë dakord, kanë hapur derën. Dera e hapur duhet shfrytëzuar, duhet të jemi gati, të mos vonohemi, të mos pengohemi dhe jo të merremi me parti e re dhe e vjetër, të zihemi me njëri tjetrin, por të nxitojmë për të mbaruar negociatat me BE-në. Sepse të majtën dhe të djathtën, PS dhe PD i keni prap këtu, bashkë me zgjedhjet, por BE-në nuk e keni gjithmonë aty”, tha ai.
Lajmi kryesor:
Rama: Në 2 vite bëmë më shumë se kurrë për Shkodrën, PD-ja ndërtoi ‘noc rrokun’! Më thonë komunist, por në krah kanë bufin Sekretar e Partie! Persekutoi dhe internoi njerëz
A.Q/SI.E./ReportTv.al