Pse duheshin 6 milionë dollarë nëse damka 'non grata' e Sali Berishës ishte një padrejtësi? Kjo ishte pyetja që parashtroi kryeministri Edi Rama gjatë rubrikën "Sy m'sy" me ndjekësit në rrjete sociale, teksa e cilësoi kontratën e majme të PD me kompaninë lobuese në Shtetet e Bashkuara si lebetitëse.
Rama tha se kontrata është më e rëndë sesa ajo e Lulzim Bashës me rusët, i cili 'u bë copash për të justifikuar 500 mijë dollarë fantazëm'. Ai ironizoi konsulentin amerikan të PD, Chris LaCivita, për të cilin tha se ka ardhur t'i vendosë Berishës kapelen si te Trump, por në fakt është bërë një version qesharak.
"Pse duheshin 6 mln dollarë nëse kjo damkë ishte e një komploti të Soros me mua dhe duke shfrytëzuar vulën e SHBA? Pse duhej kjo kontratë dhe këto 6 mln dollarë për të vënë në vend një padrejtësi kaq të madhe që u tha se sapo të vinte në pushtet presidenti Trump? Pse duhej kjo kontratë, e cila është ku e ku më e lebetitshme se ajo e Lulit të shkretë që u bë copash për të justifikuar 500 mijë dollarë fantazëm. Pjesë e zjarrit patriotik është edhe sjellja e Latifit në Tiranë për t’i vënë kapelën e bufit në kokë. Një kapele në kokë qe të duket si Trump por versioni më qesharak i mundshëm", u shpreh Rama.
Duke u ndalur te përgënjeshtrimi i Richard Grenell dhe djalit të Donald Trump ndaj Partisë Demokratike pas lajmit se Trump Junior anuloi vizitën me Ramën, kryeministri ironizoi duke thënë se këneta është katandisur në këtë farë feje saqë u desh edhe përgënjeshtrimi nga familja e presidentit të Shteteve të Bashkuara.
"U katandis puna që edhe familja e presidentit të SHBA të përgenjeshtrojë kënetën. E kuptoni se në çfarë marrëzie iu ka futur bufi 80 e kusur vjeçar që flet përçart dhe që e ka ndarë mendjen se do të bëjë çorap nga e para Shqipërinë.", u shpreh Rama.
Rama ironizoi më tej duke thënë se nuk ka asnjë arsye që të shkojë në Beograd për të takuar 'çunin e presidentit amerikan apo kështu funksionon te këneta me çunin e babit'.
Kreu i qeverisë iu përgjigj edhe komenteve se duhet të japë dorëheqjen për shkak të eksponentëve të PS që janë në burg, duke përmendur kryebashkiakun e Tiranës Erion Veliaj. Rama tha se këneta dhe moçalet e vogla shpresojnë se me procese të tilla gjyqësore të rrëzojnë PS, por shtoi se kjo drejtësi e re, do të jetë arsyeja madhore pse ai dhe partia e tij do të marrin më shumë mbështetje se kurrë më parë.
“Ku i ke parë këto dorëheqjet me asociacion. Unë e di që tanimë kjo historia e proceseve gjyqësore është shpresa e vetme jo vetëm e kënetës së madhe por edhe e moçaleve të vogla, se atë që nuk realizojnë në fushën e ballafaqimit elektoral me popullin, mendojnë se mund ta realizojnë duke nxitur SPAK dhe duke shpresuar se do të shkrijë PS.", tha Rama.
Rama iu përgjigj edhe një komentuesi që shkruante se “6 milionë euro, qeveria socialiste i jep vetëm për inceneratorët”. Sipas Ramës, shteti nuk jep para për landfillin që të mbahet pastër Tirana.
“Nuk japim para për inceneratorët, japim para që të vazhdojë të mbahet pastër Tirana. Landfillin sot e ka shteti. E ka agjencia e aseteve të sekuestruara, aty janë njerëz të vënë nga shteti dhe marrin para për të bërë punën, sepse kushton ajo punë. E kam thënë 25 euro për ton, është një çmim që nuk e gjen sot ne Europë”, tha kryeministri.
Kryeministri Edi Rama, duke iu përgjigjur një komentuesi, tha se nuk ka para të padeklaruara.
Ai ironizoi më tej PD pas publikimit të kontratës 6 milionë dollarëshe me kompaninë lobuese në SHBA.
"Nuk kam paguar asnjë kokërr leku, se po të kisha paguar do të dihej, do të deklaroheshin. Nuk kam lekë të padeklaruara pavarësisht së çfarë të thotë këneta. Unë çfarë kam, i kam deklaruara, e para dhe e dyta këto gjëra nuk funksionojnë kështu, kurse këneta nxori nga barku 6 milionë dollarë dhe nuk është problemi se na djeg, problemi është se duhet të djegë ty, se ne s’na djeg fare.", u shpreh Rama.
Kryeministri Edi Rama në komunikimin me ndjekësit në rrjetet sociale, foli edhe për çështjen e arbitrazhit me biznesmenin Francesko Becceti. Rama thotë se deri më tani ai nuk ka marrë asnjë kokërr leku nga qeveria shqiptare, duke theksuar se ai është në siklet të madh pasi po përballet me procese gjyqësore e penale. Rama tha se Becceti zgjodhi kundërshtarin e gabuar dhe nuk mori asnjë kokërr leku.
“Nuk ka marrë asnjë lekë, zero. Është në siklet të madh, në procese gjyqësore, penale. Është në siklete të mëdha, ka zgjedhur kundërshtarin më të gabuar, ai që ishte mësuar të bënte hajgare me shtetet dhe paratë e bankave, kompanive. Vajti zgjodhi kundërshtarin më të gabuar dhe nuk ka marrë asnjë kokërr leku, zero. Prit se s’keni parë asgjë akoma, as ti, as ai”, tha Rama.
Kryeministri Edi Rama ironizoi Partinë Demokratike edhe për "bllofin" që pësoi pas përgenjeshtrimit të një lajmi nga Richard Grenell dhe djali i Donald Trump. Kreu i qeverisë, duke iu përgjigjur një komentuesi, tha se bufi i kënetës iu "gënjeu" me shampanjë se me rikthimin e Trump në Shtëpinë e Bardhë, do të kishte mundësi për heqjen e non gratës, të vendosur për korrupsion madhor dhe minim të demokracisë.
Rama shtoi se PD është katandisur në atë farë feje saqë u desh edhe ndërhyrja e familjes së Trump për të përgenjeshtruar lajmin se i kishin anuluar takimin me djalin e presidentit amerikan në Beograd.
“Si është e mundur që ju besimtarët e kënetës jeni të gatshëm të thithni çdo lloj uji të ndotur që iu hedhin në fyt dhe ta merrni për shampanjë, redbull dhe ujë mineral. Siç morët për shampanjë ardhjen e Trump si shpëtimtar i kënetës, e patë dje ça ndodhi me zëdhënësin e bufit me një kukumjaçkë të bufit që doli edhe tha se Rama dështoi në tentativën e tij për të shkuar në Beograd, për të takuar Vuçiç, dhe aty te aneksi i kuzhinës për të bërë sikur takohet rastësisht me djalin e Trump. U katandis puna që edhe familja e presidentit të SHBA të përgenjeshtrojë kënetën. E kuptoni se në çfarë marrëzie iu ka futur bufi 80 e kusur vjeçar që flet përçart dhe që e ka ndarë mendjen se do të bëjë çorap nga e para Shqipërinë. Më thoshte dje një i njohuri i tij se s’ja përmend dot emrin, kur njeriu është i fiksuar nuk ka rëndësi fare mosha. Hiç! Ecën përpara në fiksimin e tij dhe pavarësisht se sa shumë rrjedh vazhdon vendosshmërisht. Si mund të katandiset një parti politike në këtë farë feje. Godasin dhe krijojnë një thashethem absurd total.", u shpreh Rama.
Me ironi, Rama shtoi se pse duhet të shkojë në Beograd për të takuar "çunin e presidentit amerikan, apo se kështu funksionon te këneta me çunin e babit", duke iu referuar Shkëlzen Berishës. Nuk kurseu ironinë edhe për ata që i quajti "kënetarët e Kosovës".
"Unë nuk vajta as te funerali i Papës se prisja nga vllau jem në Beograd, se më shkrijnë edhe këta kënetarët e Kosovës që kanë të tjera nota melodike ata kur i përputhen kënetës se ata e kanë me Vuçiç, më shkrijnë fare me këto teori. Pra unë nuk vajta te funerali se prisja Vuçiç që të merrte në Beograd dhe të takoja si rastësisht djalin e Trump dhe këtë do ta bënte Grennell, që është person i respektuar me të cilin kam njohje dhe miqësi krejt normale por që kurrën e kurrën as s’do tia kërkoja një gjë të tillë. Pse duhet të shkojë në Beograd apo ku të doni që të takoj çunin e presidentit, apo kështu funksionon te këneta me çunin e babit, që babi çfarë. U detyruan ata edhe ambasadori, edhe çuni që të përgenjeshtrojnë kënetën që deri dje bënte sikur hynte e dilte për salcë kosi te shpia e Trump. Na sollën edhe Laten, 6 mln dollarë Latifi mund të shkojë nuk e di se ku. Përse? Për të marrë 6 mln dollarë kot lëviz Tifja ku të duash ti. Çfarë lidhje ka kjo me Amerikën dhe politikën amerikane. Ne nuk japim para për inceneratorët. Ne japim që të vazhdojë të mbahet pastër Tirana. Landfillin e Tiranës e ka shteti.”, shtoi Rama.
Kryeministri Edi Rama, gjatë rubrikës "Sy m’Sy", iu është përgjigjur një komentuesi, i cili i kërkoi të japë dorëheqjen duke u shprehur se “Erion Veliaj është në burg”. Rama tha se teoria që të japë dorëheqjen se persona të caktuar janë në burg, nuk funksionon, dhe se dorëheqjet nuk janë me asociacion.
Ai ironizoi opozitën duke thënë se proceset hetimore janë shpresa e vetme e "kënetës së madhe dhe moçaleve të vogla". Teksa tha se PD shpreson që SPAK të shkrijë PS, Rama përmendi se ishte partia e tij ajo që bëri reformën në drejtësi. Sipas Ramës, arsyeja pse PS do të marrë mbështetje më të madhe është edhe drejtësia.
“Ku i ke parë këto dorëheqjet me asociacion. Unë e di që tanimë kjo historia e proceseve gjyqësore është shpresa e vetme jo vetëm e kënetës së madhe por edhe e moçaleve të vogla, se atë që nuk realizojnë në fushën e ballafaqimit elektoral me popullin, mendojnë se mund ta realizojnë duke nxitur SPAK dhe duke shpresuar se do të shkrijë PS. Nga ana tjetër, duke bërë presionin qesharak që ja si mund të votohen këta, ky, këta kanë gjysmën e qeverisë e partisë në burg. Ndërkohë që pikërisht pse populli është një shkallë më lart, më i zgjuari dhe më i bukuri nga të gjithë ju nuk e ha këtë propagandë sepse populli ka një kujtesë dhe për një arsyetim. Pse nuk ndodhën përpara këto procese? Pse nuk ndodhi që të shikonim dikë në pushtet që të hetohej, ndalohej, gjykohej e dënohej. Pse ndodh sot? Për shkakun tënd apo të kënetës tënde, ku pllaquritesh ti bashkë me të tjerë verbërisht pa lidhje se nuk je përfitues i pushtetit të kënetës dhe milionave që papritur dalin nga barku i kënetës dhe shkojnë për të futur bufin në lavanderi që t’i pastrohet damka e turpit nga balli. Nga i nxorrën 6 mln?", u shpreh Rama.
Më tej, kreu i qeverisë theksoi se "shpata e ndëshkimit", që duhej të ishte në dorën e drejtësisë, ka qëndruar në zyrën e kryeministrit që nga viti 1912, ndërsa shtoi se më parë Altin Dumani nuk kishte mundësinë që të bënte punën siç arrin ta bëjë tani për shkak të ndërhyrjeve të politikës.
“Shpata e ndëshkimit që duhet të rrijë në dorën e drejtësisë ka qenë në zyrën e të parit të qeverisë që nga 1912. Asnjëherë shpata s’ka dalë nga kjo zyrë, e ka vendosur i pari i qeverisë kush goditet dhe kush jo. Prandaj ka pasur edhe kryeministra të vetëvrarë, ministra të pushkatuar, të varur në litarë e të burgosur, por me pëlqimin e të parit. Asnjë hap jo më detit në këmbë siç i hyra unë me PS. Kjo historia ik ti se ky apo ai tjetri hyri në burg, është qesharake. Më besoni se një nga arsyet pse PS do të fitojë më shumë vota është kjo, për të cilën këneta dhe moçalet mendojnë se në fakt nuk duhet të marrin vota se kaq e kuptojnë popullin shqiptar.”, tha Rama.
Komente

PO PO TI JE NE RREGULL FARE NJE LLUM TE DY JENI
Përgjigju