Politikë

Rama ironizon rezolutën e PPE: Fletë rrufe e kënetës, boria e parë e humbjes ra dje! Ne s’kemi përralla me buf e Latif! Subjektet e reja, imitime të një partie që deri dje ishte ‘e treta e vërteta’

1 Maj, 08:32| Përditesimi: 1 Maj, 12:39

  • Share

“Boria e parë e humbjes ra dje”. Kështu u shpreh kryeministri Edi Rama në nisje të bashkëbisedimit të sotëm me ndjekësit në rrjete sociale, duke komentuar rezolutën e hartuar nga PD dhe miratuar nga PPE, ku shprehej shqetësimi për situatën politike në vend në prag të zgjedhjeve të 11 Majit.

Duke e cilësuar një fletë rrufe të kënetës, Rama tha se rezoluta përmbante një “mal me broçkulla” që përsëriten nga opozita sa herë që ka zgjedhje dhe sa herë humb. 

“Këneta kaloi nëpër tavolina një fletë rrufe siç ndodh në konferencat e partive dhe aty filloi avazin blerje vote me lekë dhe kanabis, punësime elektorale dhe prokurime favorizuese për socialistët, abuzime me detyrën dhe mediat, emërimi legal i kryetarit të bashkisë, kërcënim dhe hetime kundër kandidatëve të opozitës. Një mal me broçkulla të dëgjuara sa herë ka pasur zgjedhje dhe të përsëritura sa herë ka pasur humbje.”, u shpreh Rama.

Rama shtoi se tanimë ka një strukturë të tërë si SPAK që mund të verifikojë shumë mirë pretendime të tilla, por nuk kurseu ironinë për akuzat e opozitës, teksa tha se ka qenë vetë pre e një kallëzimi të rremë. 

"Duke qenë se kam qenë vetë pre e një kallëzimi të rremë jam e qartë se si zhvillohet e gjitha. Por tanimë kemi një institucion që ka treguar se është mbi palët dhe le të verifikojë se ku janë votat që po merren nëpërmjet kanabisit."

Teksa komentoi me radhë të gjitha pikat shqetësuese që ngriheshin në rezolutë, Rama u ndal edhe te emërimi i “paligjshëm” që pretendohej i kryetares së deleguar të bashkisë së Tiranës, Anuela Ristani. Një koment bëri edhe për pretendimin se kishte kërcënime dhe hetime kundër kandidatëve të opozitës, teksa tha se me siguri bëhet fjalë për hetimin ndaj Sali Berishës për aferën Partizani, por shtoi se kjo s’ka lidhje me fushatën zgjedhore. 

“Sa i përket emërimit ilegal të kryetarit të bashkisë, nuk di cili është emërimi ilegal. Siç ndodh në këto raste, ka një nënkryetare që bën detyrën e drejtimit të bashkisë dhe që e ka marrë detyrën sipas të gjitha rregullave me delegim. Kërcënime dhe hetime kundër kandidatëve të opozitës? Me siguri është fjala për hetimin e bufit të kënetës që s’ka lidhje fare me fushatën zgjedhore.", tha Rama.

Teksa po fliste për 'projeksionet' financiaire të Shqipërisë 2030, Rama ironizoi duke thënë se nuk kanë programe me “përralla me buf e Latif”.  Ai “shënjestroi” edhe partitë e reja teksa tha se janë imitime të një partie që deri dje ishte “e treta e vërteta”, duke iu referuar LSI. Sipas Ramës, këto parti kanë për qëllim që të hyjnë në valle dhe të bëhen grabitqare. 

“Kjo teoria duhet një kandidat i ri, pa parti pas dhe pa struktura apo ekspertizë dhe vetëm bla bla bla, imitacione të një partie që ishte ndjesë pastë e treta e vërteta dhe që u bë barra dhe halli i madh i politikës shqiptare nuk ka nevojë Shqipëria. Nuk ka nevojë Shqipëria për këto të tretat dhe të vërtetat që janë vetëm shëmbëlltyra që kërkojnë të hyjnë në valle dhe më pas bëhen grabitqare.”, tha Rama. 

Më tej, në përgjigje të komenteve se "ka qëndruar boll në pushtet", Rama tha se rri në këtë detyrë për të përmbushur misionin e integrimit të vendit në BE. Një thirrje bëri edhe për qytetarët që të “bojkotojnë” opozitën për zgjedhje, teksa tha se është skandaloze të mendosh se vendi duhet përfaqësuar nga këneta.

Ora 09:05
VIDEO/ 'Skandaloze të mendosh se vendi duhet përfaqësuar nga këneta', Rama: 7x7 nuk bëjnë 6 mln për ne! Del ndonjë kukumjaçkë e thotë 'e mo se kryeministri aq pi një shishe verë'…

Duke iu përgjigjur një komentuesi që i shkruante se boll ka qëndruar 12 vite në pushtet, kryeministri Edi Rama deklaroi se nuk qëndron në këtë post për veten e tij, por për vendin. Rama tha se misioni i tij është integrimi i vendit në Unionin evropian, ndërsa e “ftoi” edhe komentuesin të bëhet pjesë duke i dhënë votën PS.   

Rama përmendi rastin e ish-kancelares gjermane Angela Merkel për vitet që ka qëndruar në pushtet, duke thënë se gjermanët nuk janë në diktaturë apo “çyrykë”. Komentoi gjithashtu edhe sulmet që ka marrë për batutën se gjysma e burrave janë “çyrykë”. Sipas tij, është e turpshme që njerëzit të votojnë për kënetën. 

“Unë s’po kërkoj asgjë për veten time. Nuk është për veten time apo për karrigen ku jam ulur. Këtu është misioni im dhe i PS, të ftoj ta bësh edhe misionin tënd që ta bëjmë Shqipërinë në BE. Për këtë rri në detyrë. Sa i përket viteve, numëro sa kanë ndenjur jo një por më shumë se një kancelar në Gjermani, dhe pyete veten po gjermanët janë diktaturë apo popull çyryk. Asnjëra dhe as tjetra, kështu edhe shqiptarët. Nuk jetojnë në diktaturë dhe nuk janë popull çyryk. Siç i bëjnë ata që duke mu hedhur mua nëpër ato moçalet televizive që më hidhen se pse bëj një batutë se gjysma e burrave janë çyrykë. Ndërkohë kjo batutë ka një të vërtetë brenda kur mendon se një pjesë e madhe e burrave preferojnë kënetën, se ta thoshin se duam Ramën dhe PS, dhe po votojmë Stamo Dumon, ok! Po kënetën përsëri? Ça t’i thuash? Politikisht është skandaloze. Patriotikisht është skandaloze. Europianisht është skandaloze nga të gjitha anët. Është thjesht turp të mendosh se Shqipëria mund  të përfaqësohet nga këneta.”, u shpreh Rama. 

Më tej, ironizoi edhe për kontratën 6 milionë dollarëshe të PD me kompaninë lobuese në SHBA. Rama tha se mund të dalë ndonjë “kukumjaçkë” dhe të thotë se edhe kryeministri pi verë mijë euroshe. 

“Por janë se për mua dhe për  ne 7x7 nuk bëjnë 6 milionë. Por për ty dhe për të gjithë ata që pinë ujë kënete që në mëngjes dhe më pas e derdhin këtu nuk bën përshtypje 7x7 mund të bëjnë edhe 6 miliardë dhe nëse janë të kënetës për ju janë ok dhe më pas në mënyrën më të pacipë del ndonjë kukumjaçkë e kënetës dhe thotë se mirë se s’ka ndonjë gjë kjo se kaq është x shishe verë që pi Rama. Po ku di ai se çfarë bën Rama në jetën e tij private. Apo hedh njëri një gur në lum, dhe futen 100 të mençur dhe nuk e nxjerrin dot. Në këtë rast gurin e hedh njëri dhe ata që hidhen për ta nxjerrë janë të gjithë gjysmakë e çyrykë.”, shtoi Rama. 
 

Ora 09:04
VIDEO/ ‘Ne s’kemi përralla me buf e Latif’, Rama: Kandidati më i ri dhe i vjetër jam unë! Subjektet e reja? Imitacione të një partie që ndjesë pastë deri dje ishte e treta e vërteta

Teksa po fliste për projeksionet financiare të Shqipërisë 2030, kryeministri Edi Rama tha se janë mbështetur në analiza të ekspertëve ndërkombëtarë, ndërsa ironizoi opozitën duke thënë se nuk kanë programe me "përralla të bufit dhe Latifit".

“Këto që flasim ne për Shqipërinë 2030, nuk janë si programi i bufit dhe Latifit. Këto janë projeksione të mbështetura në analizat e ekspertëve të ministrisë së Financave dhe ndërkombëtare. Prej kohësh prej ne me mua punon kryekëshilltari ekonomik i kancelares gjermane. Për të përmendur dy nga të tjerë që ne i konsultojmë herë pas here. Këto janë projeksione financiare dhe jo përralla me mbret, as përralla me buf dhe latif.”, u shpreh Rama. 

Në përgjigje të një komentuesi që shkruante se nuk duhen votuar partitë e vjetra, por populli ka nevojë për një kandidat të ri, Rama tha se kandidati më i ri dhe më i vjetër në kuptimin e energjisë dhe eksperiencës është vetë ai. Nuk la pa ironizuar edhe partitë e reja, teksa tha se janë imitime të një partie që dje dje ishte 'e treta e vërteta', duke iu referuar LSI. 

“Kandidati më i ri dhe më i vjetër këtu jam unë. Në kuptimin e energjisë dhe eksperiencës. Partia më e re dhe më e vjetër është PS dhe në listat tona, në çdo qark, gjen më të rinjtë dhe ata më me eksperiencë. Kjo teoria duhet një kandidat i ri, pa parti pas dhe pa struktura apo ekspertizë dhe vetëm bla bla bla, imitacione të një partie që ishte ndjesë pastë e treta e vërteta dhe që u bë barra dhe halli i madh i politikës shqiptare nuk ka nevojë Shqipëria. Nuk ka nevojë Shqipëria për këto të tretat dhe të vërtetat që janë vetëm shëmbëlltyra që kërkojnë të hyjnë në valle dhe më pas bëhen grabitqare.”, tha Rama. 

Ora 08:57
VIDEO/ Rama ‘kapet’ me ndjekësin: E shuan etjen në ujin e kënetës! Ky është vendi yt, nëse do të ishte siç thua ti s’do të zbarkonte gjithë Evropa më 16 Maj 

Kryeministri Edi Rama, gjatë rubrikës “Sy m’sy”, iu përgjigj një komentuesi që e kritikonte vazhdojnë edhe dalin pas 12 vitesh si halabakë. Kreu i qeverisë e ironizoi duke thënë se e “shuan etjen” nga uji i ndenjur i kënetës. 

“Ky është opinioni yt, komplet personal, i nxjerrë nga uji i kënetës në të cilin shuan etjen se është shumë e qartë. Por ka një gjë. Populli është më i mençur se unë dhe se ti. Populli e di vetë se çfarë gjykon, si gjykon dhe si vendos. Siç mund ta shohësh nga të gjithë sondazhet, shumica e popullit mendon shumë ndryshe nga këneta, kur ti për fat të keq ushqehesh politikisht. Është vërtetë e ulët që një goxha burrë, siç të shoh në fotografi, të përdorë gjithë këto fjalë të rënda, ndërkohë që ky është vendi yt. E kupton, se ti do ta bësh më të mirë. Kjo është fisnike, që t’i do që dikush tjetër ta qeverisë është legjitime. Por ky është vendi yt, nëse do të ishte një vend kështu siç thua ti si do të zbarkonte këtu e gjithë Evropa me 16 Maj.”, tha Rama. 

Duke u ndalur te një komentues që i shkruante për urën e Kukësit, Rama tha se nuk mburret por ndihet krenar për atë që ka realizuar për vendin. Kryeministri u shpreh se Shqipëria në tre mandate ka bërë kapërcim epokal dhe se kjo që thotë bazohet në fakte, jo në fjalë, 3D, fushata apo mitingje.  

“Nuk di ku është mburrja se aty është shkruar thjesht ura e madhe e Kukësit. Të duket mburrje se është e bukur ajo ura, dhe të duket sikur kur sheh urën ndihesh si përpara dikujt që mburret, por skam mburrje. Jam krenar që kemi bërë vepra dhe punë të mira dhe të mëdha saqë sot Shqipëria e ka prodhimin e përgjithshëm kombëtar dy herë e gjysmë më të lartë se sa e kishte. Kishte një PBB më pak se 10 mld euro,  sot e ka 25 mld euro. Dhe projeksioni për Shqipërinë 2030 është 35 mld euro. Ky është fakt dhe jo opinion. Kjo është Shqipëria sot krahasimisht me Shqipërinë kur ne morën detyrën. Këto nuk janë as llafe, as 3D, as fushata e mitingje por të vërteta shumë kokëforta të transformimit ekonomik të këtij vendi”, tha Rama.

Xh.D/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Shqipëria: 01/05/2025 09:47

    Po mire me nuk ka hall tjeter kjo e shkrete Shqiperi o zoti kryeministër? Onkologjiku pa ilaçe, 1 Maji dhe te gjithe jane ne pune pa asnje te drejtë, tym e zhul po na mbysin, ushqime te skaduara e te infektuara. Saliu Saliu Saliu, na lodhe o burrë

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    1 maji, sa respektohen të drejtat e punëtorëve në Shqipëri?