Kryeministri Rama foli dje për “Financial Times” mbi situatën në veri të Kosovës.
Pas publikimit, vetë gazetari, autor i shkrimit, ka njoftuar lexuesit e tij për një lapsus në citimin që redaksia i ka bërë një fjalie të Ramës.
Teksa fillimisht citohej se sipas Ramës, “Kosova është një pikë e nxehtë dhe me kalimin e viteve është bërë një tokë e askujt ku kombinohen të gjitha llojet e krimeve”, gazetari sqaron më pas se Kryeministri i referohet veriut të Kosovës dhe jo shtetit të Kosovës.
“E kemi ndryshuar këtë artikull për të sqaruar se kryeministri shqiptar po diskutonte problemet në veri të Kosovës, jo në të gjithë vendin”, shkruan gazetari i FT, Marton Dunai në rrjetin social X.
Postimi i gazetarit në Twitter
Partia Demokratike ka reaguar lidhur me intervistën e kryeministrit Rama për Financial Times.
Mirela Karabina është shprehur se Rama duhet që të japë me urgjencë sqarime për qëndrimet e tij për Kosovën, pasi sipas saj kjo deklaratë shton dhe me shumë dyshimin se kujt po i shërben kreu i qeverisë shqiptare.
“Kosova është një pikë e nxehtë. Me kalimin e viteve është bërë toka e askujt ….” e shton dhe me shumë dyshimin se kujt po i shërben Edi Rama.
Por fatkeqësisht aleanca e kullave e gjeti gjuhën sot për të pastruar Edi Ramën dhe për ta çliruar atë nga detyrimi për të dhënë llogari për deklarata skandaloze e në dëm të shtetit të Kosovës.
Nga Shqipëria dhe Kosova i kërkohet kryeministrit të japë sqarime për qëndrimet e tij në dëm të Kosovës, ndërsa aleanca e kullave në konferencën e kryetarëve vendos qe ai nuk ka pse të japë sqarime.
Fshehja pas gjoja mocionit me debat, është thjesht një përpjekje për t’i dhënë mundësi Edi Ramës të ikë nga përgjegjësia e tij.