Rama: Nuk kam lajmërim vdekje për Ballkanin e Hapur! Duhet të zhytemi te Procesi i Berlinit, është urë që duhet forcuar

6 Korrik 2023, 13:29| Përditesimi: 6 Korrik 2023, 14:43

  • Share

Kryeministri Edi Rama ka theksuar se Ballkani i Hapur e ka përfunduar misionin e saj, por mohon të ketë ‘lajmërim vdekje’ për këtë nismë. Nga Maqedonia e Veriut, theksoi se u krijua për shkak se u bllokua Procesi i Berlinit por duke qenë se tani është i hapur, të gjithë dhet të zhyten aty për të kapërcyer në një fazë të re.

'E dhashë përgjigjen, më duket se e dhashë përgjigjen dy herë dhe po e përsëris prapë dhe njëherë tjetër dhe nuk besoj se është faji im nëse doni ta shikoni këtë jetë a vdekje. Nuk është jetë a vdekje. Çfarë është Ballkani i Hapur? Është një nga 72 nismat. Pse u ndërmor? U ndërmor sepse Procesi i Berlinit kishte ngecur, nuk ecte!

Çfarë solli? Solli gjëra fantastike që janë në realiteti ne njerëzve që shfrytëzojnë marrëveshje të Ballkanit të Hapur për të tregtuar, për të lëvizur dhe përveç asaj që përmendi Dimitri në ditët e ardhshme, ne do të përfundojmë dhe atë “one stop” në doganën e Qafë Thanës që prapë është produkt i Ballkanit të Hapur. Ka një ekspozitë së shpejti në Paris organizuar me kohë, që është prapë produkt i kësaj iniciative, panairi i verërave është një panair i themeluar në kuadër të Ballkanit të Hapur, i hapur për të gjithë që do vazhdojë patjetër, por ajo që unë përsëris është që ne duhet të zhytemi me mendje dhe me zemër në Procesin e Berlinit për ta kthyer Procesin e Berlinit në një proces funksional, plotësisht siç Ballkani i Hapur provoi se ne mund të jemi funksional kur jemi së bashku. Procesi i Berlinit nuk ngeci nga ata që ngritën Ballkanin e Hapur, që të jemi shumë të qartë. Ngeci nga vetot “Jo nuk dua këtë, nuk vi aty, nuk firmos, nuk jam, shikohemi nesër”. Për këtë ngeci.

Shpresojmë që tani t’i japim një shtysë të re duke pasur parasysh që tani nuk është thjesht një proces si deri më sot, por shpresoj shumë që ta kthejmë në një proces të lidhur drejtpërdrejtë me planin e financimeve, planin e ri të financimeve të Bashkimit Europian, për të cilin na duhet Gjermania patjetër, në radhë të parë dhe pastaj gjithë vendet e tjera për ta jetësuar bashkërisht.

Pra, jemi në një moment të një kapërcimi në një fazë tjetër të marrëdhënieve me Bashkimin Europian dhe për këtë, Procesi i Berlinit është kyç, është një urë që këmbët e të cilës duhen forcuar dhe pikërisht që ne të merremi fort dhe të fokusohemi tek kjo urë pa u shqetësuar nga këto erërat, korentet, kundër-korentet, Ballkani i Hapur, kjo e ajo, unë them duhet të fokusohemi tek Procesi i Berlinit. Kjo është e gjitha.

Tani nëse doni që të nxjerrim një lajmërim vdekjeje, nuk e kam dhe nuk kam për ta nxjerrë. Nëse doni të dini se si duhet të vazhdojmë, sapo jua thashë.

Megjithatë, jeta është e bukur pikërisht sepse secili mund të këndojë këngën e vet, aq më tepër në një situatë liri-demokracie kështu që secili prej jush të zgjedhë të këndojë këngën e vet dhe ta thotë si e mendon, si e dëshiron. Kush e ka pritur që Ballkani i Hapur të dështojë, le ta këndojë fundin e Ballkanit të Hapur. Kush e ka mbështetur Ballkanin e Hapur, le t’i këndojë jetës së mëtejshme të Ballkanit të Hapur. Nuk ka asnjë problem.'- tha Rama.


Lajmi kryesor:

Turi ballkanik/ Rama: Ballkani i Hapur dha rezultate, tani me mendje e zemër në Procesin e Berlinit! Mesazh Kurtit: Me kanun edhe hasmit kur vjen në shtëpi i hapet dera


//ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?