Politikë

Rama: PD nuk do të zgjidhet kurrë nga shqiptarët nëse nuk kupton se është në pikë të hallit! Si mund të dalë bufi i kënetës para BE? (VIDEO)

1 Prill, 08:50| Përditesimi: 1 Prill, 10:00

  • Share

Kryeministri Edi Rama, tha gjatë rubrikës “Sy m’sy”, se PD nuk do të zgjidhet asnjëherë nga shqiptarët nëse nuk vetë përmirësohet. Rama përsëriti edhe njëherë mesazhin për të votuar për integrimin e vendit në BE, ndërsa tha se bufi i kënetës dhe ata që e rrethojnë nuk mund të fitojnë një mandat dhe të dalin para Unionit.

“Mesazhi duhet të jetë i qartë, ne shqiptarët, populli shqiptar, qytetarët e Shqipërisë duam të hyjmë në BE tani. Dhe me këtë mandat, mesazh, unë dhe ne do të shkojmë dhe do të kemi një argument të fortë më shumë për të nxitur procesin. E gjitha një luftë diplomatike, politike nga të katër anët dhe kush nuk e kupton këtë nuk kupton asnjë gjë se si funksionon bota dhe marrëdhëniet ndërkombëtare për një vend si Shqipëria, se për vende si Franca apo Gjermania ka më pak rëndësi se kush është në krye. Për një vend si ne është themelore. Si mund t’i vihet BE përpara bufi i kënetës dhe atë kënetë të madhe dhe BE të thotë se s’ka ndodhur asnjë gjë. Marrin ambasadorin e BE dhe thonë si mendon ti? Si do të thotë BE, do të thotë atë që tha ambasadori se hyrja në BE bëhet në bazë të meritës së vendit, po patjetër kush e diskuton këtë. Nëse vendi i jep mandatin një personazhi me halle të hapura me drejtësinë, për të cilat BE nuk është shprehur në asnjë rast dhe nuk ka lënë të kuptohet se ka ndonjë rezervë për proceset e drejtësisë, kështu që besoj se është.

Ky problem nuk zgjidhet nëse partia në fjalë nuk kupton se është në pikë të hallit dhe nëse ata, të cilët e mbështesin partinë në fjalë nga pasqyrat e kënetës nuk e vënë gishtin në plagë, por e kërkojnë gjetkë. Nëse ata që mbështesin nga pozicione jo drejtpërdrejt jo partiake atë far force vazhdojnë me teoritë se këtu nuk ka zgjedhje, këtu krimi, e këto nuk zgjidhet sepse janë kaq qesharakë sa që gati 1 milion shqiptarë i trajtojnë si njerëz të lidhur me krimin, si të shitur, prandaj nuk zgjidhen. E vetmja zgjidhje është se ajo parti të kuptojë se duhet ta zgjidhë përndryshe do të mbetet e pazgjedhshme dhe nuk do të zgjidhet kurrë nga shqiptarët nëse nuk ndryshon, kështu që nuk është problemi ynë", tha Rama. 


Lajmi kryesor:

Rama: Me diasporën, rezultat spektakolar! Akuzat se kopjuam programin, qesharake! Nuk ishte Kodi i Da Vinçit! S’ka integrim me bufin, BE s’është studio konsulence


Xh.D/SI.E./ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    A e keni vendosur se për kë do të votoni më 11 maj?