Politikë

Rama nderon presidentin e Emirateve Arabe me Yllin e Madh të Mirënjohjes Publike: Mik i shtrenjtë i shqiptarëve (FOTO+VIDEO)

17 Korrik, 07:48| Përditesimi: 17 Korrik, 15:32

  • Share

Presidenti i Emirateve të Bashkuara Arabe, Muhammed Bin Zayed ka zhvilluar të mërkurën një vizitë zyrtare në Tiranë, ku është takuar me kryeministrin Edi Rama. Në fokus të diskutimeve kanë qenë forcimi i bashkëpunimit mes dy vendeve në fusha të ndryshme si edhe një sërë çështjesh rajonale e ndërkombëtare.

Gjatë takimit, Rama e nderoi Bin Zayed edhe me medaljen “Ylli i Madh i Mirënjohjes Publike”, nderimi më i lartë publik i dhënë nga Kryeministri, në vlerësim të rolit të tij në forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve. Kreu i qeverisë ndau pamjet nga pritja që i bëri Bin Zayed në Aeroportin e Rinasit, të cilin e cilëson si një mik të vjetër dhe të shtrenjtë të popullit shqiptar.

“Lartësia Juaj, Sheikh Mohamed bin Zayed Al Nahyan, President i Emirateve të Bashkuara Arabe: Për përkushtimin tuaj të palëkundur ndaj marrëdhënies strategjike midis vendeve tona; Për kujdesin tuaj vëllazëror në momente nevoje për popullin tonë; Për kontributin tuaj të pakrahasueshëm në kauzën globale të paqes dhe bashkëpunimit shumëpalësh;

Dhe për përulësinë tuaj që i përul të gjithë do të shtoja unë jashtë tekstit zyrtar…  Në emër të Republikës së Shqipërisë, me respekt të thellë dhe mirënjohje, ju dorëzoj Urdhrin e Madh me Yll të Mirënjohjes Publike. Zoti ju ruajtë gjithmonë dhe Zoti i bekoftë të dy popujt tanë”, tha Rama në fjalën e tij.

Rama theksoi simbolikën e fortë të dekoratës shqiptare.

“E kuqja dhe e zeza e shiritit tonë nuk janë vetëm ngjyrat kombëtare. Ato simbolizojnë, mbi të gjitha, dorëzimin e vetes ndaj providencës hyjnore në shërbim të tjetrit dhe gjakun që vëllezërit tanë dhanë për këtë tokë, që kurrsesi nuk duhet të jetë derdhur kot", vijoi Rama. 

Kryeministri kujtoi me mirënjohje ndihmën që Sheikh Zayed i ofroi Shqipërisë pas tërmetit shkatërrues të vitit 2019.

“Nuk do ta harroj kurrë që kur erdha te ju pas tërmetit shkatërrues, që la mijëra familje pa strehë, ju më morët dorën dhe më thatë: Vëlla, ti dhe populli yt nuk jeni vetëm!

Dhe sot, një lagje e re e bukur me mbi një mijë apartamente qëndron si dëshmi se ju e mendoni atë që thoni dhe thoni tamam atë që mendoni”, theksoi Rama.

Në një reagim në rrjete sociale, presidenti i Emirateve ka bërë me dije se kanë diskutuar për një sërë çështjesh rajonale dhe ndërkombëtare si dhe për zgjerimin e partneritetit mes dy vendeve.

"Pata kënaqësinë të takohesha me Kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama në Tiranë për të diskutuar mënyrat për të përforcuar më tej partneritetin në zgjerim të vendeve tona. Gjithashtu shkëmbyem pikëpamje mbi një numër çështjesh rajonale dhe ndërkombëtare dhe riafirmuam angazhimin tonë të përbashkët për të mbështetur përpjekjet për të çuar përpara paqen dhe stabilitetin në dobi të të gjithëve.", ka shkruar ai.

Në fokus të takimit të tyre kanë qenë diskutimet për rritjen e bashkëpunimit në sektorë të tillë si energjia e rinovueshme dhe teknologjia, ekonomia, tregtia apo siguria ushqimore. Të dy udhëheqësit theksuan rëndësinë e dialogut dhe diplomacisë në zgjidhjen e konflikteve globale dhe nevojën për një bashkëpunim më të madh ndërkombëtar për të promovuar paqen, stabilitetin dhe sigurinë.

 

 

 

Ora 13:35
Presidenti i Emirateve Arabe mbyll vizitën në Shqipëri, Kryeministri Rama e përcjell në aeroport

Presidenti i Emirateve të Bashkuara Arabe, Muhammed Bin Zayed, ka përmbyllur vizitën në Shqipëri.

Ai u përcoll në aeroport nga Kryeministri Edi Rama. Ky i fundit e shoqëroi me një postim në rrjetet sociale largimin nga Shqipëria të Presidentit të Emirateve Arabe.

“Mirëardhsh mik i shtrenjtë”, ka shkruar Rama në foton shoqëruese.

 

Ora 11:27
Rama nderon me Yllin e Madh të Mirënjohjes Publike presidentin e Emirateve Arabe: E kuqja dhe e zeza, simbolizojnë gjakun që vëllezërit tanë dhanë për këtë tokë

Kryeministri Edi Rama ka nderuar Presidentin e Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheikh Mohamed bin Zayed Al Nahyan, me “Urdhrin e Madh me Yll të Mirënjohjes Publike”. Gjatë fjalës së tij, Rama vlerësoi ndihmën e dhënë nga Emiratet në momentet më të vështira për shqiptarët, duke e quajtur Sheikh Mohamed bin Zayed Al Nahyan një vëlla të vërtetë të popullit tonë.

Ai theksoi se shiriti i kuq e zi i dekoratës nuk përfaqëson vetëm ngjyrat kombëtare, por edhe dorëzimin ndaj providencës hyjnore dhe gjakun e derdhur nga vëllezërit tanë për këtë tokë.

“Mund të jetë një gjest i thjeshtë krahasuar me gjithçka keni bërë për ne, por me mirënjohje të thellë, në emër të popullit shqiptar, kam nderin t’ju dorëzoj Urdhrin e Madh me Yll të Mirënjohjes Publike. E di që keni marrë shumë dekorata, më thonë mbi njëzet nga më prestigjiozet në botë. Megjithatë, guxoj të shpresoj, e dini, jam kokëfortë se kjo kujtesë e mirënjohjes shqiptare mund të zërë një vend të veçantë mes tyre.

E kuqja dhe e zeza e shiritit tonë nuk janë vetëm ngjyrat kombëtare. Ato simbolizojnë, mbi të gjitha, dorëzimin e vetes ndaj providencës hyjnore në shërbim të tjetrit, dhe gjakun që vëllezërit tanë dhanë për këtë tokë, që kurrsesi nuk duhet të jetë derdhur kot. Po këto ngjyra frymëzuan një himn të shkruar një shekull më parë nga një poet i madh shqiptar, një peshkop ortodoks e njëherazi Kryeministër:

“Një flamur që lindi Kostandinin e Shenjtë,

Bashkon Kryqin dhe Shenjën e Gjysmëhënës,

Shpall të gjitha besimet si vëllezër hyjnorë,

Një flamur fisnik për njerëzimin mbarë.”

Ylli i këtij Urdhri, me formë të mprehtë, frymëzohet nga vula e heroit tonë kombëtar, Skënderbeut dhe nga 36 shkronjat e alfabetit tonë.

Kompozimi i tij risjell gjithashtu Vulën e Solomonit — Sulejmanit, mbretit të paqes — shpirti dhe trashëgimia e të cilit ndriçojnë në vetë udhëheqjen tuaj: si baba, burrë shteti, lider global, si njeri me besim dhe kulture të thellë.

Me një fjalë: si udhërrëfyes për njerëzimin. Lartësia Juaj, Sheikh Mohamed bin Zayed Al Nahyan, President i Emirateve të Bashkuara Arabe: Për përkushtimin tuaj të palëkundur ndaj marrëdhënies strategjike midis vendeve tona; Për kujdesin tuaj vëllazëror në momente nevoje për popullin tonë; Për kontributin tuaj të pakrahasueshëm në kauzën globale të paqes dhe bashkëpunimit shumëpalësh; Dhe për përulësinë tuaj që i përul të gjithë do të shtoja unë jashtë tekstit zyrtar…  Në emër të Republikës së Shqipërisë, me respekt të thellë dhe mirënjohje, ju dorëzoj Urdhrin e Madh me Yll të Mirënjohjes Publike. Zoti ju ruajtë gjithmonë dhe Zoti i bekoftë të dy popujt tanë”, tha Rama.

Ora 11:12
‘Ti dhe populli yt nuk jeni vetëm’, Rama me presidentin e Emirateve: Nuk do ta harroj kur erdha tek ju pas tërmetit shkatërrues

Kryeministri Edi Rama priti dje presidentin e emirateve të Bashkuara Arabe. Në fjalimin e nderimit të tij me Yllin e Madh të Mirënjohjes Publike, Rama kujtoi edhe ndihmën e Sheikh Muhammed Bin Zayed për Shqipërinë pas tërmetit shkatërrues të 2019.

“Nuk do ta harroj kurrë që kur erdha te ju pas tërmetit shkatërrues, që la mijëra familje pa strehë, ju më morët dorën dhe më thatë: Vëlla, ti dhe populli yt nuk jeni vetëm! Dhe sot, një lagje e re e bukur me mbi një mijë apartamente qëndron si dëshmi se ju e mendoni atë që thoni dhe thoni tamam atë që mendoni. Si ushtarak nga formimi dhe nga thirrja, ju keni zgjedhur të jeni një vëlla i armëve të Paqes.

E kujtoj fjalën tuaj: “Në fenë tonë themi: ‘O Zot, Ti je paqja dhe prej Teje vjen paqja’. Kërkimi i paqes është një parim i lindur, por parimet marrin kuptim vetëm kur shndërrohen në veprim”.

Ku tjetër, dhe nën udhëheqjen e kujt përveç tuajës, mund të kishte ardhur bashkënënshkrimi i Dokumentit për Vëllazërinë Njerëzore, mes pasuesit të Shën Pjetrit dhe ndjekësve të Profetit?

Dhe si do të mund të merrnin formë Marrëveshjet Abrahamike, kaq jetike për Lindjen e Mesme dhe frymëzuese për gjithë botën, pa guximin dhe dashurinë tuaj të sinqertë për paqen?

Pak mund ta kujtojnë, por tradita e Profetit  na mëson se kur e do vëllain për hir të Zotit, duhet t’ia thuash. Një njeri i tha Profetit, paqja qoftë mbi të:

“O i Dërguar i Zotit, e dua atë njeri”.

Dhe Profeti e pyeti: “Ia ke thënë?”

“Jo”.

“Atëherë shko dhe thuaja”.

Dhe ai shkoi, duke i thënë:

“Të dua për hir të Zotit.”

Dhe tjetri u përgjigj:

“Dashtë Ai për hir të të cilit më do, të të dojë edhe ty.”

Ndaj sot, Lartësi, si një vëlla, dua t’ju shpreh me një gjest publik dashurinë dhe besnikërinë ndaj jush si një bartës i dritës së arsyes në një botë që e humb atë çdo ditë dhe errësohet gjithnjë e më shumë”, tha Rama.

Ora 11:04
Rama nderon me Yllin e Madh të Mirënjohjes Publike presidentin e Emirateve të Bashkuara Arabe: Erdhët tek ne si një anëtar i dashur i familjes

Kryeministri Edi Rama ka nderuar presidentin e Emirateve të Bashkuara arabe me titullin “Urdhri i madh me yll të mirënjohjes publike.

“Është një nder i madh t’ju mirëpresim sërish në vendin tonë, për herë të dytë brenda një periudhe kaq të shkurtër dhe, megjithëse nuk do të rrini aq gjatë sa do të dëshironim, prania juaj ndjehet si ajo e një të afërmi të dashur që kthehet për të parë nëse gjithçka shkon mirë në shtëpinë e të afërmve të vet. Profeti Muhamed (paqja qoftë mbi të) thoshte: “Nuk i lejohet një myslimani të shmangë vëllanë e tij për më shumë se tri ditë… dhe më i miri prej të dyve është ai që përshëndet i pari”.

Ju, Lartësi, erdhët tek ne me këtë frymë, si ai që përshëndet i pari. Si një anëtar i dashur i familjes, që ndonëse larg, nuk i lë kurrë të këputen fijet e dashurisë. Dhe tani është krejtësisht e qartë kush është më i miri nga të dy, nëse ka ekzistuar ndonjëherë ndonjë dyshim.

Më lejoni ta them këtë edhe në emër të njerëzve të mi, të pranishëm në këtë mbledhje të vogël, por shumë të veçantë për ne: Në fillim dëgjuam për Emiratet e Bashkuara. Pastaj mësuam për to. Pastaj shkuam dhe i pamë. Dhe më pas mësuam të njohim dhe të vlerësojmë njerëzit që kujdesen për to.

Të llogarisim veten mes miqve të vendit tuaj të jashtëzakonshëm është për ne jo vetëm një nder i madh si popull, por një burim kënaqësie të sinqertë dhe krenarie të posaçme për ne që përfaqësojmë vendin tonë. Dhe kjo marrëdhënie është mbi të gjitha meritë e përkushtimit tuaj personal ndaj kësaj vëllazërie.

Lartësi, ju më mësoni çdo ditë se vëllazëria e vërtetë nuk shpallet, ajo jetohet. Ajo ndërtohet duke ecur së bashku në të njëjtën rrugë, duke qëndruar bashkë me të vërtetën, duke përqafuar urtësinë që ju e trashëguat nga i ndjeri babai juaj, Sheikh Zayed bin Sultan Al Nahyan, Zoti i ndriçoftë shpirtin në paqe të përjetshme: “Ne jemi të gjithë krijesa të Zotit.”, tha Rama.

Xh.D/r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Tani: 17/07/2025 10:38

    Pjese e Massonerise boterore

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Përplasja mes Lapajt e Shabanit për mandatin, kush mendoni se ka të drejtë?