Politikë

‘Ti dhe populli yt nuk jeni vetëm’, Rama me presidentin e Emirateve: Nuk do ta harroj kur erdha tek ju pas tërmetit shkatërrues

17 Korrik, 11:12| Përditesimi: 17 Korrik, 11:40

  • Share

Kryeministri Edi Rama priti dje presidentin e emirateve të Bashkuara Arabe. Në fjalimin e nderimit të tij me Yllin e Madh të Mirënjohjes Publike, Rama kujtoi edhe ndihmën e Sheikh Muhammed Bin Zayed për Shqipërinë pas tërmetit shkatërrues të 2019.

“Nuk do ta harroj kurrë që kur erdha te ju pas tërmetit shkatërrues, që la mijëra familje pa strehë, ju më morët dorën dhe më thatë: Vëlla, ti dhe populli yt nuk jeni vetëm! Dhe sot, një lagje e re e bukur me mbi një mijë apartamente qëndron si dëshmi se ju e mendoni atë që thoni dhe thoni tamam atë që mendoni. Si ushtarak nga formimi dhe nga thirrja, ju keni zgjedhur të jeni një vëlla i armëve të Paqes.

E kujtoj fjalën tuaj: “Në fenë tonë themi: ‘O Zot, Ti je paqja dhe prej Teje vjen paqja’. Kërkimi i paqes është një parim i lindur, por parimet marrin kuptim vetëm kur shndërrohen në veprim”.

Ku tjetër, dhe nën udhëheqjen e kujt përveç tuajës, mund të kishte ardhur bashkënënshkrimi i Dokumentit për Vëllazërinë Njerëzore, mes pasuesit të Shën Pjetrit dhe ndjekësve të Profetit?

Dhe si do të mund të merrnin formë Marrëveshjet Abrahamike, kaq jetike për Lindjen e Mesme dhe frymëzuese për gjithë botën, pa guximin dhe dashurinë tuaj të sinqertë për paqen?

Pak mund ta kujtojnë, por tradita e Profetit  na mëson se kur e do vëllain për hir të Zotit, duhet t’ia thuash. Një njeri i tha Profetit, paqja qoftë mbi të:

“O i Dërguar i Zotit, e dua atë njeri”.

Dhe Profeti e pyeti: “Ia ke thënë?”

“Jo”.

“Atëherë shko dhe thuaja”.

Dhe ai shkoi, duke i thënë:

“Të dua për hir të Zotit.”

Dhe tjetri u përgjigj:

“Dashtë Ai për hir të të cilit më do, të të dojë edhe ty.”

Ndaj sot, Lartësi, si një vëlla, dua t’ju shpreh me një gjest publik dashurinë dhe besnikërinë ndaj jush si një bartës i dritës së arsyes në një botë që e humb atë çdo ditë dhe errësohet gjithnjë e më shumë”, tha Rama.


Lajmi kryesor:

Rama nderon presidentin e Emirateve Arabe me Yllin e Madh të Mirënjohjes Publike: Mik i shtrenjtë i shqiptarëve (FOTO+VIDEO)


SI.E./E.H/ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Përplasja mes Lapajt e Shabanit për mandatin, kush mendoni se ka të drejtë?