Kryeministri Edi Rama tha se tashmë Shqipëria i ka përmbushur kushtet për integrimin në BE dhe pret dritën jeshile të BE-së.
'Ne rikthehemi këtu, së bashku me ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë si dhe me skuadrën e ARRSH, së bashku me punonjësit që këtu vazhdojnë të merren me detaje jashtë trasesë së rrugës, përmirësime të mëtejshme të natyrës së rikualifikimit urban dhe mjedisor, pasi sot u bë e mundur që një mik i çmuar, përveçse Komisioneri Europian për Zgjerimin, të vinte këtu, në pamundësi për të qenë me ne në ditën e lajmëruar të çeljes së by-pass, në 7 korrik, gjë që lidhej me domosdoshmërinë për të çliruar fluksin e makinave, sidomos në fundjavë.
E pra, sot është një ditë shumë e bukur këtu dhe është gjithmonë kënaqësi e jashtëzakonshme të ngjitesh për të shijuar këtë panoramë të mrekullueshme të Vlorës dhe të Gjirit të Vlorës, por është edhe një ditë ku jam i bindur që Komisioneri do mund të na thotë diçka më shumë, lidhur me atë që ne presim dhe që është fillimi formal i negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Unë nuk dua të zgjatem me këtë pikë, gjërat i kemi thënë, i kemi stërthënë. Aktualisht, parlamenti i Maqedonisë së Veriut është i mbledhur, me gjasë dhe me shpresë, për të miratuar në fund të një debati tejet të politizuar dhe tejet padrejtësisht, për hir të vërtetës, atë që quhet “Propozimi i fundit francez”. Ndërkohë që përsa i përket Shqipërisë, Shqipëria nuk ka asgjë për të bërë më shumë sesa të presë dhe mundësisht të shohim dritën jeshile të ndezur, më në fund, një orë e më parë.
Nga ana tjetër, patjetër që do përsërisim dhe stër-përsërisim pa u lodhur të njëjtën gjë, që pavarësisht aspektit formal të procesit, ne do vazhdojmë përditë njësoj sikur negociatat të ishin hapur qysh atëherë kur duhet të ishin hapur, me reformat, me investimet, me financimet e garantuara falë edhe planit ekonomik të investimeve që u ideua dhe u çua përpara nga komisioni i ri, nën përkujdesin e posaçëm të Komisionerit Varhelyi dhe patjetër, edhe me punën e përbashkët me qeverinë holandeze për të siguruar që të kemi edhe propozime konkrete në Samitin e madh të Pragës, në tetor në mos gabohem, lidhur me si mundet që komuniteti i ri politik europian të përkthehet në hapa konkretë, komplementarë, hapa që nuk e ndryshojnë e as nuk e zëvendësojnë procesin e hedhjes së hapave për integrimin e plotë në Bashkimin Europia, por që e përshpejtojnë, në aspekte konkrete, përfshirjen e Shqipërisë dhe të vendeve të Ballkanit Perëndimor në gjirin e Europës së Bashkuar.
I dashur Komisioner, faleminderit edhe njëherë. Siç ne e premtuam, kështu po ndodh. Po ju presim me një super diell, në super gjirin e Vlorës dhe me bindjen që ju do ta shijoni këtë kënaqësi të veçantë, që është Vlora, ju kaloj fjalën me të gjithë mirënjohjen për gjithçka ju keni bërë deri më tani dhe gjithçka që do vazhdoni të bëni me të njëjtën kokëfortësi hungareze që ju karakterizon.'- tha Rama.
Lajmi kryesor:
Propozimi francez, Rama dhe Varhelyi në Bypassin e Vlorës: Nëse s'miratohet, të ndahemi nga Maqedonia! Komisioneri: Jemi shpresëplotë
M.Q./ReportTv.al